Kalendari Mjedisor

Rreziku nga përmbytjet: Tendenca e shteteve për të ndërtuar qytete të reja në zonat më problematike

Ndërsa bota po urbanizohet me shpejtësi, numri i ndërtesave të pozicionuara në zonat me rrezikshmëri të lartë nga përmbytjet po rritet, duke shkaktuar në këtë mënyrë shqetësime serioze (të ardhura prej fatkeqësive natyrore por edhe pakujdesisë njerëzore), për jetën e njerëzve në një moment kur kriza klimatike po përshkallëzohet.

By admin

Ndërsa bota po urbanizohet me shpejtësi, numri i ndërtesave të pozicionuara në zonat me rrezikshmëri të lartë nga përmbytjet po rritet, duke shkaktuar në këtë mënyrë shqetësime serioze (të ardhura prej fatkeqësive natyrore por edhe pakujdesisë njerëzore), për jetën e njerëzve në një moment kur kriza klimatike po përshkallëzohet.

Sipas një studimi të botuar në revistën ‘Nature’, midis viteve 1985 dhe 2015, numri i vendbanimeve (duke filluar që nga fshatrat e vegjël deri tek mega-qytetet) me ekspozimin më të lartë ndaj rrezikut nga përmbytjet u rrit me 122%. 

“Në një kohë kur vendbanimet njerëzore duhet tu përshtaten ndryshimeve klimatike, shumë vende në fakt po e rrisin me shpejtësi ekspozimin e tyre ndaj përmbytjeve”, shprehet Paolo Avner, ekonomist në Bankën Botërore dhe një ndër autorët kryesorë të studimit. 

“Kjo është një tendencë shqetësuese, veçanërisht pasi përmbytjet, në kuadër të ndryshimeve klimatike, po intensifikohen në mbarë botën”, shton ai.

Studiuesit analizuan të dhënat periodike mbi përmbytjet globale sikurse edhe të dhënat mbi zonat ku ishin ndërtuar banesat përgjatë periudhave 1985-2015 për të kuptuar shkallën e rrezikut të prekjes së popullsisë, së një zone specifike, nga përmbytjet. Ata zbuluan se gjatë kësaj periudhe, ndërsa vendbanimet në botë u rritën me 85%, ndodhi fenomeni i çuditshëm i urbanizimit të shpejtë në zonat me rrezik të lartë përmbytjeje krahasuar me zonat me rrezikshmëri të ulët.

Në studim evidentohet fakti që ekspozimi ndaj të gjitha llojeve të përmbytjeve po rritet por cënueshmëria ndaj përmbytjeve në bregdet po avancon me ritme shumë më të shpejta. 

Studiuesit arritën në përfundimin se rreziku për tu përballur me përmbytjet ekziston në të gjitha rajonet e botës dhe prek çdo grup njerëzish pavarësisht të ardhurave, megjithatë për disa pasojat mund të jenë më të rënda sesa për të tjerët. Në raport përmendet se rreziku është më i lartë në Azinë Lindore e rajonin e Paqësorit, dhe më i ulët në Amerikën e Veriut dhe Afrikën Sub-Sahariane.

Vendet me të ardhura mbi mesataren kanë vlerat në përqindje më të larta të vendbanimeve të ndërtuara në zonat më të rrezikuara nga përmbytjet. Këto rezultate kryesohen nga Kina, e cila ka përjetuar urbanizim shumë të shpejtë dhe është vendi që ka më shumë banesa të ndërtuara në zonat me rrezik të lartë nga përmbytjet midis 1985 dhe 2015.

Bazuar tek të dhënat e raportit vendet me të ardhura më të larta gjatë periudhës 30-vjeçare panë rritje relativisht të ngadaltë të vendbanimeve në zonat e rrezikuara. Shumë prej tyre, përfshirë SHBA-në, Japoninë dhe Holandën, kishin tashmë shumë vendbanime në zonat me rrezik të lartë përmbytjeje të ndërtuara që nga viti 1985 dhe u është dashur të shpenzojnë shumë për t’i bërë ato të sigurta për banim.

Pse njerëzit zgjedhin të ndërtojnë në zonat me rrezikshmëri të lartë nga përmbytjet?

Ka shumë arsye pse sasia e ndërtesave në toka të cënueshme nga përmbytjet po rritet. Mungesa e tokave të sigurta për të ndërtuar është një ndër nxitësit kryesor të ndërmarrjes së rriskut. Tokat që nuk preken nga përmbytjet tashmë janë të zëna dhe në to janë ndërtuar qendra biznesi apo qendra të cilat gjenerojnë përfitime financiare për shtetet dhe bizneset. 

Sikurse vihet re, zhvillimi modern po ndodh në mënyrë disproporcionale duke mundësuar vendosjen e vendbanimeve në zona me rrezik të lartë përmbytjeje të cilat duhet të shmangen. Në Vietnam, për shembull, rreth 1/3 e ndërtesave janë vendosur në tokë bregdetare. 

Duket se fokusi tek rritja e përfitimeve ekonomike po bën që të lihet mënjanë siguria e banesave sidomos në qytetet kryesore portuale, komunitetet bregdetare ose zonat turistike. Disa arsye të tjera përfshijnë mungesën e të dhënave mbi zonat që mund të ndodhin përmbytjet në të ardhmen si edhe planifikimin e dobët urban.

Florida Jugperëndimore, në rrezik nga uraganet gjithnjë e më të rënda, ka parë zhvendosje të popullsisë drejt zonave me rrezik për të jetuar për shkak të motit të saj me diell dhe çmimeve të lira. Kjo rritje erdhi pasi shteti lehtësoi anën ligjore rreth ndërtimit në zonat me rrezik të lartë dhe të ulët nga fatkeqësitë natyrore. 

Raporti rekomandon ndërmarrjen e një sërë veprimeve për politikëbërësit dhe planifikuesit, përfshirë investimet në gatishmërinë ndaj fatkeqësive, sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe planet e evakuimit në zonat ku rreziku nga përmbytjet është i lartë, po aq sa edhe rishikimin e planeve të përdorimit të tokës dhe planifikimit me kriter të ndërtimit në zonat ku rreziku është në rritje. 

Robert Nicholls, profesor i përshtatjes klimatike në Universitetin e Anglisë Lindore, i cili nuk ishte i përfshirë në studim, shprehet se metodologjia e raportit ishte e duhura dhe gjetjet e tij ishin “interesante, por jo befasuese”. Sipas tij modelet e zhvillimit po nxisin fatkeqësitë natyrore, dhe ndryshimet klimatike si një faktor shtesë ndikues do ta përkeqësojë akoma edhe me tepër situatën.