COP28: Shqipëria, ndër vendet e rrallë që nuk shkarkon CO2 për prodhim energjie

COP28 markon takimin vjetor klimatik të 28-të të Kombeve të Bashkuara, ku përfaqësuesit e shteteve do të diskutojnë mbi ndryshimet klimatike. Ky samit mbahet në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, nga data 30 nëntor, deri më 12 dhjetor 2023.

Në ditën e dytë të samitit, liderët botërorë dhanë deklaratat e tyre kombëtare, si një mundësi për të fokusuar vëmendjen në prioritetet dhe aksionet konkrete për të limituar rritjen e temperaturës globale me 1.5°C dhe për arritjen e objektivave të Marrëveshjes së Parisit. Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, gjithashtu mori pjesë në këtë samit, ku jo vetëm shprehu aksionet mbi gazet serrë, por edhe theksoi shqetësimet e tij:

By admin

“Si përfaqësues i Republikës së Shqipërisë, por edhe i një rajoni në zhvillim në Europë, Ballkanit Perëndimor, qëndroj para jush sot për të ndarë disa mendime. Për dekada, vendet në zhvillim si vendi ynë, janë përpjekur në mënyrë të palodhur për të trajtuar sfidat që sjell ky zhvillim ndërkohë që janë përballur me efektet negative të ndryshimeve klimatike. Marrëveshja e Parisit ishte një rreze shprese, një premtim i bërë nga bota për të mbrojtur planetin tonë dhe banorët e tij. Megjithatë, realiteti është larg zotimeve të ndërmarra. Për ta thënë ashtu siç është, barra e aksionit për klimën vazhdon të bjerë mbi shpatullat e vendeve në zhvillim, pavarësisht kontributit tonë minimal në këtë krizë, ndërkohë që ndotësit e mëdhenj bëjnë maksimumin e tyre për të na dhënë leksione, por jo për të ndalur vetë…”

Ai premtoi një reduktim të gazeve serrë me 20.9% brenda vitit 2030, dhe arritjen e neutralitetit klimatik brenda vitit 2050. Gjatë deklaratës, u theksua se prioritet të madh ka dhe energjitika:

“…Vendi ynë synon të kthehet në një lider energjitik në rajon, dhe eksportues i energjisë neto brenda vitit 2030. Shqipëria është një nga vendet e rrallë, që nuk prodhon shkarkime të CO2 nga prodhimi i energjisë. Nga ana tjetër, jemi në një rrezik ekstrem hidrologjik, pasi varemi nga klima, ndaj jemi në proçes diversifikimi në shkallë të plotë të energjisë diellore dhe të erës…”

Gjithashtu, nuk u la pa përmendur dhe shpallja e Vjosës, lumit të fundit të egër në Europë si “Park Kombëtar”, në mars të këtij viti.

Midis deklaratave dhe axhendës së ngjeshur të samitit, gazeta The Guardian tërhoqi vëmendjen e aktivistëve, shkencëtarëve dhe pjesëmarrësve të COP28. Në një event online më 21 nëntor, presidenti i COP28 për këtë vit, Sultan Al Jaber ka pohuar se nuk ka “asnjë shkencë” që sugjeron se duhet një ndërprerje e përdorimit të lëndëve djegëse fosile për të limituar rritjen e temperaturës globale me 1.5°C, raportoi The Guardian. Ai gjithashtu shtoi se kjo ndërprerje do të ndalonte zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik, vetëm nëse duam të rikthejmë botën në shpella. Përveç drejtimit të COP28 në Dubai, Al Jaber është dhe shefi ekzekutiv i kompanisë shtetërore të naftës së Emirateve të Bashkuara Arabe, Adnoc, të cilën shumë vëzhgues e shohin si një konflikt interesi.

Shkencëtarët pohuan se këto komente janë “tepër shqetësuese” dhe “drejt mohimit klimatik”. Më shumë se 100 shtete në Afrikë, Europë, Paqësor dhe Karaibe, mbështesin heqjen graduale të lëndëve djegëse fosile. SHBA-ja, prodhuesi më i madh në botë i naftës dhe gazit, gjithashtu mbështet këtë ndalim. Shtete të tjera, si Rusia, Arabia Saudite dhe Kina, e refuzojnë këtë thirrje. Të dyja opsionet janë në tryezë në COP28.

Pas publikimit të komenteve të Al Jaber nga gazeta The Guardian, shumë të rinj protestuan në kundërshtim me komentet e presidentit të COP28: “Shkenca është e qartë. Nafta dhe gazi duhet të ndalohen për të arritur qëllimin 1.5°C”!