Kalendari Mjedisor

COP28: Samiti i klimës përfundon me marrëveshje. Çfarë do të ndodhë me karburantet fosile?

Propozimi i parë i publikuar nga presidenca e samitit të COP28, u prit me reagime negative duke u konsideruar si masë e pamjaftueshme në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Pas diskutimeve të gjata mbrëmjen e së martës…

By admin

Propozimi i parë i publikuar nga presidenca e samitit të COP28, u prit me reagime negative duke u konsideruar si masë e pamjaftueshme në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Pas diskutimeve të gjata mbrëmjen e së martës, përfaqësues nga 200 shtete ranë dakort për një marrëveshje që kërkon fazë tranzitore për t’u tërhequr nga përdorimi i karburanteve fosile.

Një propozim i përditësuar u publikua nga presidenca e samitit të Emirateve të Bashkuara Arabe, duke bërë thirrje për një “tërheqje graduale nga karburantet fosile në një mënyrë të drejtë, të rregullt dhe të barabartë, për të arritur zero shkarkime deri në vitin 2050, në përputhje me shkencën.”

Teksti i ri bëri thirrje dhe për “përshpejtimin e përpjekjeve për largimin gradual të qymyrit në prodhimin e energjisë”, si edhe për “trefishimin e kapacitetit të energjisë së rinovueshme botërore, dhe dyfishimin e efiçencës energjitike deri në vitin 2030.”

Megjithatë, sërish nuk u propozua një ndërprerje e menjëhershme e karburanteve fosile. Djegia e qymyrit, naftës dhe gazit natyror është kontribuesi më i madh në ndryshimet klimatike, duke përbërë më shumë se tre të katërtat e emetimeve botërore të gazeve serrë.

Shumë besonin se samiti i klimës COP28 do të konsiderohej i suksesshëm vetëm nëse do të rezultonte në një marrëveshje për të “eleminuar” plotësisht karburantet fosile.

Diskutimet vazhduan deri në orët e para të ditës së mërkurë, duke zgjatur 48 orë. Reagimet e marrëveshjes përfundimtare ishin kryesisht pozitive.

 “Ky është fillimi i fundit”, tha shefi i OKB-së për klimën, Simon Stiell, i cili njëkohësisht pranoi, “Aktualisht po shkojmë afërsisht drejt 3°C. Kjo barazohet me vuajtjen masive njerëzore, prandaj COP28 duhet të marrë vendime të mëdha. Progresi deri më tani nuk është mjaftueshëm i shpejtë, por padyshim që ai po rrit ritmin.”

Marrëveshja e COP “i dërgon mesazhe shumë të forta botës”, pohoi John Kerry, delegati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë, jo të gjitha reagimet ishin pozitive.

“Ne jemi shumë të zhgëënjyer nga kjo marrëveshje. Shpresuam dhe luftuam që ky COP të ishte fundi i epokës së karburanteve fosile, por kjo nuk pasqyrohet në tekstin përfundimtar”, tha Selma de Montgomery, aktiviste për klimën nga Danimarka.

“Ishte një kompromis. Nuk jemi të lumtur, por të gjithë jemi dakort”, tha delegati i Federatës Ruse, Mikhail Gitarskiy. Moska, e cila mbështetet kritikisht nga të ardhurat e hidrokarbureve, kundërshtoi ndërprerjen e karburanteve fosile gjatë gjithë negociatave.

Kjo marrëveshje u konsiderua si “historike” nga presidenti i COP28, Sultan al-Jaber, gjatë fjalimit të tij përmbyllës. Për herë të parë në gati tre dekada është arritur një marrëveshje mbi çështjen e karburanteve fosile.