Anija me ‘mbetje të rrezikshme’ lihet në pritje në radën e portit të Durrësit

Anija “Molivia” me 102 kontenierët e dyshuar në bord ndodhet në pritje për t’u ankoruar…

By Mjedisi Sot

Anija “Molivia” me 102 kontenierët e dyshuar në bord ndodhet në pritje për t’u ankoruar në portin e Durrësit, ndërkohë që drejtori i BAN, Jim Puckett i kërkon qeverisë shqiptare një proces transparent hetimi dhe një mostër të mbetjeve për analiza të pavarura.

Pas një udhëtimi të gjatë detar, anija “Molivia” me flamur turk dhe me 102 kontenierë që dyshohet se mbartin mbetje të rrezikshme në bord, mbërriti mëngjesin e së hënës në radën e jashtme të portit të Durrësit, thuajse katër muaj pas nisjes kontroverse nga e njëjta pikë.

Por anija “Molivia” nuk arriti të ankorohej, pasi një kërkesë e kapitenit të saj për të avancuar drejt portit të Durrësit është lënë në pritje. Anija uli spirancën në radën e jashtme rreth orës 8:00 të mëngjesit, në pritje të përgjigjes nga Kapiteneria e Portit.

Udhëtimi i 102 kontenierëve me destinacion Tajlandën ka ngjallur shqetësime prej muajit gusht, kur organizata mjedisore “Basel Action Network”, BAN, ngriti alarmin se brenda tyre mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme me burim hirin e oxhaqeve metalurgjike elektrike (EAFD).

Prokuroria e Durrësit ka nisur një hetim ndaj kompanisë eksportuese “Sokolaj” sh.p.k, e cila nga ana e saj ka deklaruar se i kishte blerë mbetjet nga kompania e prodhimit të shufrave të hekurit, “Kurum International”.  Kompania “Kurum” ka mohuar që të ketë lidhje me eksportin e mbetjeve të rrezikshme, ndërsa Gjovana Sokolaj, administratore e kompanisë “Sokolaj”, ka pretenduar në Prokurori se mbetjet nuk janë të rrezikshme.

Drejtori i BAN, Jim Puckett, i pranishëm në portin e Durrësit këtë mëngjes u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të mundësojnë një hapje publike të konteinerëve për një proces hetimor transparent, ndërsa kërkon që qeveria shqiptare të ndajë me organizatën e tij një mostër për analiza të pavarura.

“Ne jemi 95% të sigurt se këto mbetje janë pikërisht ato për të cilat sinjalizuesi na vuri në dijeni dhe jemi 100% të sigurtë që këto mbetje nuk duhej të ishin eksportuar kurrë në Tajlandë,” tha Puckett i BAN.

“Tani që anija u kthye, është jetike që të bëjmë një analizë të plotë dhe transparente të përbërësve të këtyre mbetjeve, të mësojmë se kush i ka prodhuar dhe kush është përgjegjës për transportin pa paketimin dhe njoftimin e duhur, në shkelje të mundshme të ligjit ndërkombëtar,” shtoi ai.

Në prag të mbërritjes së anijes, Prokuroria e Durrësit lëshoi një urdhër sekuestroje të dielën për të 102 konteinerët që ndodhen në bordin e anijes “Molivia”. Urdhri i sekuestros, një kopje e së cilit disponohet nga BIRN, kërkon një përshkrim të detajuar të karakteristikave dhe numrave të konteinerëve si dhe të dhënat mbi kodet e sigurisë dhe gjendjen e plumçeve të secilit konteiner, “pa proceduar me hapjen e konteinerëve”.

Qeveria shqiptare hoqi përgjegjësinë nga vetja në muajin gusht, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe ajo e Mjedisit pretenduan se të gjitha procedurat e eksportit ishin kryer në rregull.

Megjithatë, drejtori i BAN, Jim Puckett thotë se puna e vërtetë për të zbardhur skandalin sapo ka filluar. Nga porti i Durrësit, Puckett kërkoi një proces transparent dhe të hapur të marrjes së mostrave dhe analizës së mbetjeve, duke përfshirë ndarjen e një mostre prej mbetjeve për BAN dhe organizatat e tjera të pavarura.

Ai kërkoi gjithashtu krahasimin e “gjurmës kimike të mbetjeve me burime të njohura për mbetjet në Shqipëri, për të identifikuar qartë se kush i ka gjeneruar mbetjet”.