Të tjera


Restaurimi i natyrës: Parlamenti Evropian miraton ligjin për të restauruar 20% të natyrës, ndërsa Shqipëria ecen në drejtim të kundërt.

Ligji i ri vendos objektivin që BE-ja të restaurojë të paktën 20% të sipërfaqeve tokësore dhe detare të vendeve të BE-së deri në vitin 2030 dhe të gjitha ekosistemet që kanë nevojë për restaurim deri në vitin 2050.

Ligji i BE-së për restaurimin e natyrës, i rënë dakord me shtetet anëtare, do të restaurojë ekosistemet e degraduara në të gjitha vendet anëtare, do të ndihmojë në arritjen e objektivave të klimës dhe biodiversitetit të BE-së dhe do të rrisë sigurinë ushqimore. Për të arritur objektivat e përgjithshme, shtetet anëtare duhet të restaurojnë të paktën 30% të habitateve të mbuluara nga ligji i ri (duke filluar nga pyjet, kullotat dhe ligatinat deri tek lumenjtë, liqenet dhe shtretërit e koraleve) nga një gjendje e keqe në një gjendje të mirë deri në vitin 2030, duke u rritur në 60 % deri në vitin 2040 dhe 90% deri në vitin 2050. Në përputhje me qëndrimin e Parlamentit, vendet e BE-së duhet t'u japin përparësi zonave të Natura 2000 (rrjeti më i madh i zonave të mbrojtura në botë) deri në vitin 2030. Pasi të jenë në gjendje të mirë, vendet e BE-së duhet të sigurojnë që këto zona të mos përkeqësohen ndjeshëm. Shtetet anëtare do të duhet gjithashtu të miratojnë Plane Kombëtare restaurimi duke detajuar mënyrën e arritjes së objektivave që kanë vendosur. 

Ekosistemet Bujqësore

Për të përmirësuar biodiversitetin në ekosistemet bujqësore, vendet e BE-së do të duhet të bëjnë përparim në dy nga tre treguesit e mëposhtëm: indeksiiI fluturave; pjesa e tokës bujqësore me karakteristika peizazhi me diversitet të lartë; stoku i karbonit organik në pjesën me minerale të tokës bujqësore. Duhet gjithashtu të merren masa për të rritur indeksin e përbashkët të shpendëve që hyjnë në tokën bujqësore pasi zogjtë janë tregues pozitivë të gjendjes së përgjithshme të biodiversitetit. Duke qenë se restaurimi i tokave torfe të kulluara është një nga mënyrat me kosto më efektive për të reduktuar emetimet në sektorin bujqësor, vendet e BE-së duhet të restaurojnë të paktën 30% të tokave të kulluara deri në vitin 2030, 40% deri në 2040 dhe 50 % deri në vitin 2050. Rinjomja do të mbetet vullnetare për fermerët dhe pronarët e tokave.Ligji parashikon një frenim emergjent, siç kërkohet nga Parlamenti, kështu që objektivat për ekosistemet bujqësore mund të pezullohen në rrethana të jashtëzakonshme nëse ato reduktojnë rëndë tokën e nevojshme për prodhim të mjaftueshëm ushqimor për konsum të BE-së.

Ekosisteme të tjera

Ligji kërkon gjithashtu që të krijohet një trend pozitiv në disa tregues në ekosistemet pyjore dhe të mbillen tre miliardë pemë të tjera. Shtetet anëtare do të duhet gjithashtu të rikthejnë të paktën 25 000 km lumenj, në lumenj me rrjedhje të lirë dhe të sigurojnë që të mos ketë humbje neto në sipërfaqen totale kombëtare të hapësirës së gjelbër urbane sikurse edhe të mbulesës së pemëve në zonat urbane. Pas votimit të ligjit, raportuesi César Luena (S&D, ES), tha: “Sot është një ditë e rëndësishme për Evropën, pasi kalojmë nga mbrojtja dhe ruajtja e natyrës në restaurimin e saj. Ligji i ri do të na ndihmojë të përmbushim shumë nga angazhimet tona ndërkombëtare mjedisore. Rregullorja do të rivendosë ekosistemet e degraduara duke respektuar sektorin e bujqësisë dhe duke u dhënë fleksibilitet shteteve anëtare. Do të doja të falënderoja shkencëtarët për sigurimin e provave shkencore.

Hapat e ardhshëm 

Marrëveshja e rënë dakord me shtetet anëtare u miratua me 329 vota pro, 275 kundër dhe 24 abstenime. Tani ligji duhet gjithashtu të miratohet nga Këshilli, përpara se të publikohet në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe të hyjë në fuqi 20 ditë më vonë.

Konteksti

Mbi 80% e habitateve evropiane janë në gjendje të keqe. Komisioni propozoi më 22 qershor 2022 një ligj për restaurimin e natyrës për të kontribuar në rikuperimin afatgjatë të natyrës së dëmtuar në të gjithë zonat tokësore dhe detare të BE-së, për të arritur objektivat e BE-së për klimën dhe biodiversitetin dhe për të arritur angazhimet ndërkombëtare të BE-së, veçanërisht Kunming-un e OKB-së - Kuadri i Biodiversitetit Global të Montrealit. Sipas Komisionit, ligji i ri do të sillte përfitime të konsiderueshme ekonomike, pasi çdo euro e investuar do të rezultonte me të paktën 8 euro përfitime. Ky legjislacion i përgjigjet pritshmërive të qytetarëve në lidhje me mbrojtjen dhe restaurimin e biodiversitetit, peizazhit dhe oqeaneve siç shprehet në propozimet 2(1), 2(3), 2(4) dhe 2(5) të konkluzioneve të Konferencës mbi të ardhmen e Evropës.

Ndryshimet ligjore në Shqipëri i hapin zonat e mbrojtura për ndryshime të parikthyeshme!

Para disa ditesh Kuvendi i Shqiperisë miratoi ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura i cili parashikon që:

Së pari, këtej e tutje nuk do të jenë planet e menaxhimit, por vendimet e Këshillit të Ministrave që do të përcaktojnë se cilat aktivitete do të lejohen brenda zonave të mbrojtura. Pra, fuqia kalon, nga ekspertët te burokratët e emëruar politikisht.

Së dyti, këtej e tutje ndryshimet përfundimtare mbi menaxhimin e zonave të mbrojtura mbeten në dorë të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT),  duke përjashtuar nga përgjegjësia Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit. Por KKT-ja është organi më i lartë zhvillimor në hierarkinë e organeve planifikuese, qëllimi i së cilës mbetet zhvillimi urban e jo konservimi, sikundër këtë të fundit e ka ligji i zonave të mbrojtura.

Së treti, këtej e tutje peizazhet e mbrojtura (Narta, Velipoja, Ohri, kryesisht ekosistemet bregdetare dhe ligatinore) do të kenë vetëm një nënzonë; bie nënzona qendrore, duke i dhënë mundësi zhvillimeve turistike (hoteleve me pesë yje) brenda tyre, sipas rregullave të KKT-së. Zonimi nuk konsiderohet më një çështje përmbajtësore, por një “element tekniko-formal”.

Ndërkohë shteti Shqiptar ecen në drejtim të kundërt të vendimeve të Parlamentit European duke miratuar  projektligjin që i hap rrugën shkatërrimit të Parqeve Kombëtare dhe shënon fundin e rrjetit kombëtar të Zonave të Mbrojtura dhe  kërcënon dekada përpjekjesh dhe investimesh të ruajtjes për të mbrojtur pasurinë natyrore të Shqipërisë. Me miratimin e tij këtij projekt-ligji qeveria Shqiptare ka shpërfillur thirrjet e Bashkimit Evropian për të ndaluar votimin, duke kërcënuar në mënyrë serioze integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura, i miratuar me shumicë të thjeshtë në seancën e 22 Shkurtit në Kuvend, është ngjarja më e rëndë kundër natyrës dhe Zonave të Mrojtura.


Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.