Të tjera


Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca gjatë konferencës për “Mbështetjen e Negociatave për Kapitullin 27 të Mjedisit”

I dashur Ministër,

Shkëlqesitë Tuaja,

Të dashur partnerë,

Javën e kaluar pata kënaqësinë të çelja fushatën e BE-së “Sot për Mjedisin” në shoqërinë tuaj, Ministër Klosi dhe Ambasadore Håstad. Fakti që jemi mbledhur sërish për të folur rreth mjedisit flet shumë për rëndësinë e tij në rritje si një hapësirë politikash në Shqipëri.

Politikat e mjedisit dhe klimës do të jenë përparësia kryesore e BE-së në mandatin e Komisionit të ri Evropian. Në 100 ditët e para në detyrë Komisioni do të propozojë një "Marrëveshje të Gjelbër Evropiane" për ta bërë Evropën kontinentin e parë në botë neutral ndaj klimës deri në vitin 2050, si dhe një udhëheqëse botërore në ekonominë qarkore dhe teknologjitë e pastra.

Këto objektiva do të përfshihen në legjislacionin e BE-së dhe, veçanërisht, në Kapitullin 27 të acquis të BE-së. Për ta thënë thjesht, ato do të bëhen detyrime edhe për Shqipërinë, pasi të fillojnë negociatat.

Kapitulli 27 i acquis të BE-së është më i komplikuari dhe më i kushtueshmi për t'u zbatuar për vendet kandidate. Ai përmban legjislacion horizontal mbi cilësinë e ajrit, menaxhimin e mbetjeve, menaxhimin e ujit, mbrojtjen e natyrës, kimikatet apo mbrojtjen nga zhurma.

Ai përfshin 73 direktiva që Shqipëria duhet t’i përafrojë me legjislacionin e saj. Ky kapitull i acquis dhe evolucioni i tij do të kërkojnë investime të mëdha dhe punë të palodhur.

BE-ja e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë për të bërë përparim në fushën e Kapitullit 27.

Për momentin, ne i mbështesim autoritetet shqiptare me një projekt të rëndësishëm teknik të asistencës për menaxhimin e mbetjeve në Kukës dhe Gjirokastër. Edhe disa bashki të tjera shqiptare do të përfitojnë.

Përafrimi i sektorit të ujërave do të jetë kërkesa më e vështirë për sa i përket investimeve në infrastrukturë dhe periudhës së tranzicionit. Nevojat janë të mëdha, të vlerësuara në më shumë se 5 miliardë Euro vetëm për Direktivën për Trajtimin e Mbetjeve Ujore Urbane. Por Bashkimi Evropian dhe Shtetet Anëtare të tij tashmë janë mobilizuar për ta ndihmuar Shqipërinë. BE-ja, së bashku me Austrinë dhe Gjermaninë, financojnë ngritjen e kapaciteteve për një shumë prej 4 milion Eurosh. Dhe BE-ja, Gjermania dhe Zvicra do të fillojnë të zbatojnë një program shumë të madh të investimeve në sektor me vlerë 126 milion Euro duke nisur nga viti 2020.

Gjithashtu nga viti 2020, Shqipëria do të marrë mbështetje shtesë përmes programit të ri mbi Ekonominë Qarkore dhe Rritjen e Gjelbër, i cili është përgatitur në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit. BE-ja do të ndajë gati 3 milion Euro asistencë teknike për përgatitjen dhe zbatimin e legjislacionit që lidhet me mbetjet.

Në funksion të kësaj, Shqipëria duhet t’i planifikojë me kujdes ndërhyrjet dhe investimet e saj. Burimet që vijnë nga donatorët dhe vetë buxheti i Shqipërisë do të duhet të prioritizohen në mënyrë të zgjuar. Burimet shtesë për të harmonizuar ligjet kombëtare me acquis e BE-së mund të mobilizohen, për shembull, duke përdorur parimin “ndotësit paguajnë”.

Përveç burimeve financiare, Shqipëria gjithashtu do të duhet të mobilizojë burimet njerëzore për të punuar me Kapitullin 27. Donatorët mund të mbështesin me asistencë teknike - dhe le të falënderojmë në këtë drejtim Suedinë për angazhimin e saj në këtë fushë. Por performanca e administratës publike shqiptare ka një rëndësi shumë të madhe.

Me të gjithë aktorët që veprojnë së bashku, kam besim se mund të arrijmë rezultate të shkëlqyera. Fushata jonë Sot për Mjedisin përpiqet pikërisht ta bashkojë vendin lidhur me domosdoshmërinë për të adresuar çështjet mjedisore. Për të kryer ndryshimet themelore që vijnë me Kapitullin 27 do t'ju duhen qytetarë plotësisht të informuar dhe të mobilizuar.

Ndërgjegjësimi është thelbësor në këtë fazë të procesit. Jam i lumtur që po punojmë së bashku në të njëjtin drejtim, për ndryshimin kulturor, legjislativ dhe politik që nevojitet për të ofruar një Shqipëri më të gjelbër.

Faleminderit!

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.