Aktiviteti njerëzor


Sezoni turistik- Durrës, punë intensive për pastrimin e vijës bregdetare

Bregdeti shqiptar njihet për bukuritë e tij të shumta, të cilat shpesh mbesin në hije nga ndotja e pakujdesshme e njerëzve me mbetje urbane.

Bashkia e Durrësit në bashkëpunim me Ndërmarrjen komunale të pastrimit kanë zhvilluar ditët e fundit një aksion pastrimi në plazhin e Durrësit.

Prefekti i Durrësit, Roland Nasto, tha sot për ATSH-në se “ky aksion po vijon në kuadër të pastrimit të vijës bregdetare në prag të sezonit turistik”.

Sipas tij, në qendër të aksionit ka qenë pastrimi i plazhit nga “Apolonia” deri tek “Iliria”, ndërsa në aksion kanë marrë pjesë përveç ndërmarrjes komunale edhe bizneset, apo qytetarë vullnetarë, si dhe ata që kanë shtëpitë pranë këtij plazhi.

“Po përgatitemi për një mjedis sa më të pastër për pushuesit vendas dhe të huaj që do të frekuentojnë plazhin e Durrësit”, – tha Nasto.

Së shpejti, bëri të ditur Nasto, do të nisim edhe një aksion më të gjerë për pastrimin e plazhit të Durrësit.

Nasto tha se “puna do të vazhdojë me intensitet, deri në sigurimin e ambienteve sa më të pastra dhe dinjitoze për pushuesit”.

Bashkia e Durrësit vazhdimisht gjatë sezonit turistik dhe jo vetëm, ka zhvilluar aksione pastrimi në plazhin e Durrësit.

Këto aksione shërbejnë jo vetëm për pastrimin dhe mbajtjen pastër të mjedisit urban, por edhe për ndërgjegjësimin e pushuesve dhe turistëve mbi ruajtjen e pastërtisë dhe shëndetit. 

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.