Aktiviteti njerëzor


Ngrihet Taskforca, jo më gjueti të paligjshme peshku në liqenin e Shkodrës

Në liqenin e Shkodrës nuk do të ketë më gjueti të paligjshme të peshkut dhe ndotje të mjedisit në këtë zonë atraktive të qytetit.

”Pas ankesave të shumta të mbërritura në zyrën e prefektit, sot u ngrit Taskforca për mbrojtjen dhe kundër gjuetisë së paligjshme në liqenin e Shkodrës. Duke filluar nga sot do kemi një vëmendje të shtuar për peshkimin e paligjshëm në këtë liqen”, tha prefekti i qarkut të Shkodrës Valdrin Pjetri.

Ai shtoi se, ”gjithashtu duke nisur që nga nesër Autoriteti i Kontrollit Ushqimor (AKU) do dalë nëpër gjithë tregjet e qytetit të Shkodrës për të parë ku ka shitje të paligjshme të peshkut nga liqeni i Shkodrës. Vetëm në këtë mënyrë mund të parandalohet ky fenomen. Nga takimet e bëra në Shirokë janë dhënë disa masa ndëshkimore për subjektet të cilat janë kapur gjatë momentit të kryerjes së peshkimit të paligjshëm”.

”Peshkimi i paligjshëm në këtë periudhë është i ndaluar në liqenin e Shkodrës pasi është periudha e shumimit të peshkut. Kundravajtësit që do shihen duke peshkuar në liqenin e Shkodrës do ndëshkohen me masa të rrepta”, përfundoi prefekti Pjetri.

Liqeni i Shkodrës ndodhet në veriperëndim të Shqipërisë dhe është liqeni më i madh i Gadishullit të Ballkanit. Është i gjatë 43 km dhe i gjerë 14 km dhe thellësi mesatare 7-10 m, me pikën më të thellë 44 m. Liqeni i Shkodrës është i pasur dhe në faunë. Rreth 250 lloje shpendësh gjenden në liqen dhe rreth tij, ku gjysma janë migrues dhe pjesa tjetër folezon në brigjet e liqenit. 

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.