Të tjera


Durrës, takim mbi ruajtjen dhe studimin e anijeve të mbytura në ujërat shqiptare

Ruajtja dhe konservimi i anijeve të mbytura në ujërat shqiptare gjatë 100 viteve të fundit; ngritja e një muzeu kombëtar të detarisë si dhe puna për krijimin e disa parqeve nënujore më qëllim turistik ishin temat kryesore që u diskutuan në takimin e zhvilluar mbi trashëgiminë nënujore detare në Durrës.

Në këtë takim që u organizua me nismën e komandës së Forcës Detare morën pjesë përfaqësues të ministrive të Kulturës, të Turizmit si dhe përfaqësues të institucioneve shkencore dhe të universiteteve.

Kapiteni i rangut të parë Artur Meçollari, zv komandant i FD, tha se në ujërat shqiptare janë identifikuar 64 anije të huaja, të mbytura kryesisht gjatë dy Luftërave Botërore si dhe një grup anijesh të Flotës tonë detare që janë mbytur pas viteve 1990.

“Për një periudhë 100-vjeçare nga mbytja, të gjitha veprimet duhen koordinuar nga shteti i flamurit (shteti që e ka pronë) dhe vendi në brigjet e të cilit anija është fundosur. Ato ligjërisht trajtohen sipas konventave ndërkombëtare, ku bën pjesë edhe vendi ynë”,– tha Meçollari, duke shprehur shqetësim për dëmtimin e tyre nga keqbërësit.

Drejtori i drejtorisë së politikave të zhvillimit në MK, Gjet Ndoj, u ndal në rëndësinë e  inventarizimit të të gjitha objekteve nën ujë në Institutin përkatës të Regjistrimit.

Ngritja e një muzeu kombëtar të detarisë ishte tema, në të cilën solli përvojën e tij përfaqësuesi i Komunës së Ulqinit, Ilir Çapuni, ndërsa arkeologu nënujor Adrian Anastasi insistoi në ruajtjen dhe studimin e anijeve të mbytura “in situ”, aty ku janë fundosur.

Komanda e Forcës Detare paraqiti më pas propozimet për ngritjen e tre parqeve me atraksione nënujore në Vlorë dhe Durrës, si dhe hartimin e një platforme për ngritjen e një Muzeu Kombëtar të Detarisë, në ish-shkollën e Flotës detare në Vlorë.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.