Aktiviteti njerëzor


Pamje satelitore të masakrës mjedisore, kompania turke në Kukës ndërtoi objekte pa leje

Zbulohen foto si ishte tre vite para koncesionit fabrika e kromit dhe si u shndërrua në gjendjen që është sot

Kjo është një fotografi ajrore e vitit 2007, që tregon territorin dhe gjendjen e fabrikës së ferokromit në Kalimash të Kukësit. Terreni është në këtë gjendje që shohim, dhe kjo foto është bërë, tre vite para se kjo minierë të jepej me koncesion, për 35 vite me radhë nga ish-ministri i Energjitikës Dritan Prifti.

Nga imazhi hartografik, por edhe nga krahasimi i gjendjes me imazhin e vitit 2019 (nga Google),rezulton që kantieri i fabrikës së ferokromit Kalimash, ka pësuar një sërë ndryshimesh në organizim, sheshe pune për makineri, prishje ndërtimesh dhe ndërtime të reja.

Kjo vërehet me këtë foto të shkrepur nga ajri në vitin 2015, ku dallohet qartë se pesë vite pasi ka marrë konçesionin e shfrytëzimit të minierës, kompania “Illyria Minerals Industry”, ka prishur ndërtesa dhe ka ndërtuar objekte.

Për verifikimin e objekteve të reja në këtë territor, Inspektorati Ndërtimor në Kukës, ka kryer pak ditë më parë një kontroll të dokumentacionit të këtyre ndërtimeve, ku ka rezultuar se objektet janë ndërtuar pa leje. Disa nga objektet kanë qenë ekzistuese ndërsa disa të tjera janë bërë të reja. Në total janë 28 objekte. Siç paraqitet në këtë imazh hartografik, rezulton se të gjitha gjurmët e ngjyrosura, të shprehura në metra, janë ndërtime të vjetra ekzistuese, ndërtime të reja, të padeklaruara për efekt të taksave dhe Tarifave Vendore të Bashkisë Kukës. Këto taksa nuk janë paguar në bashkinë e Kukësit dhe për pasojë momentalisht zyra e taksave në këtë bashki, pritet që në ditët në vijim të kërkojë nga kompania konçesionare “Illyria Minerals Industry” pagimin e taksave miliona lekë të ndërtesave.

Njëherësh, policia ndërtimore do jetë ajo që do vendosi në ditët në vijim për shembjen ose jo të ndërtesave pa lejë të kësaj kompanie. Ndërkohë, gjatë këtyre ditëve inspektorati kombëtar i mjedisit ka dërguar ekspertët e tij për verifikimin më nga afër të situatës dhe më pas do vendosi për të marë penalitetet ose jo, ndaj kësaj kompanie. Si pasojë e gërmimeve pa leje, kompania konçesionare ka hapur rrugë pa leje, me gjatësi prej 18 km dhe gjerësi 3 metra, me një sipërfaqe prej 54 mijë e 600 metra katror, për të lidhur 5 kantieret e shfrytëzimit me fabrikën e pasurimit të kromit në Kalimash.

Për më tepër kjo kompani konçesionare ka sjellë dëmtime të pariparueshme jo vetëm në shpatet malore, por edhe në ujërat e liqenit të Fierzës, pasi të gjitha sterilat e dala nga fabrika e kromit, i hedh në lumë duke ndotur liqenin e Fierzës, i cili së fundi është nominuar nga qeveria shqiptare për të kultivuar peshkun në ujërat e tij. Dëmi i llogaritur nga Bashkia e Kukes shkon në shifra astronomike 37 miliardë dhe 892 milion lekë të reja. Report Tv ishte në terren për të parë më nga afër situatën e masakrimit të sipërfaqes malore, të cilën kompania koncensionare nuk ka lejë për  shfrytëzim minerali në këtë zonë dhe gjithashtu  hodhi dritë mbi këtë konçesion të dyshimtë dhe aspak të favorshëm 

Bashkia Kukës iu drejtua me një kallëzim penal prokurorisë, ku kërkon ndjekjen penale të këtij subjekti dhe administratorit të saj, turkut Akin Atik, por dhe pronarëve të këtij konçesioni, që kontrollohet në 100 për qind të aksioneve nga kompania “Energy Resources”. Bashkia Kukës ngre si shkelje një sërë veprimesh penale të kryera nga kompania konçesionare, e cila ka fituar të drejtën e shfrytëzimit për 35 vite të minierës së Kromit dhe Bakrit në Kalimash. Sipas kallëzimit “Illyria Minerals Industry” ka ndërhyrë në mënyrë të kundraligjshme për shfrytëzimin e mineralit, duke hapur pesë kantiere shfrytëzimi në një sipërfaqe totale prej 782 mijë metra katror tokë, pyje dhe kullotë

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.