Të tjera


Politika të gjelbra për Ballkanin Perëndimor?!

Katastrofat natyrore dhe ndotja po nxjerrin në pah neglizhencën e qeverive dhe dështimet institucionale në Ballkanin Perëndimor. Aktivistët duhet të mbajnë përgjegjës për këtë elitat politike.

Tërmetet që vazhdojnë të godasin Shqipërinë, më i madhi prej të cilëve shkaktoi vdekjen e 51 personave dhe la mijëra të pastrehë, kanë drejtuar përsëri me të drejtë vëmendjen te ndërthurja e politikës dhe mjedisit në Ballkanin Perëndimor – pra, te tendenca në të cilën mungesa e përgjegjësisë politike ka përkeqësuar me vite kostot ekonomike dhe njerëzore të katastrofave natyrore dhe një klimë në ndryshim.

Ngjarjet në Shqipëri, për shembull, kanë nxjerrë në pah pyetje në lidhje me ndërtimet e paligjshme ose të rrezikshme në vend, por ky është një fenomen rajonal.

Reduktimi i kostove, shkeljet e kodit dhe zonave të ndërtimit, punëtorët e papërvojë – lista e faktorëve që kontribuojnë në një epidemi të vërtetë ndërtimesh të pasigurta është sa e gjatë aq edhe alarmante.

Kushdo që ka kaluar sadopak kohë në ndonjë qendër kryesore urbane në rajon, por veçanërisht në zonat periferike dhe rurale, nuk mund të mos ketë parë shembuj të shumtë të këtij fenomeni.

Në fakt, ekziston një industri e vërtetë grupesh nëpër media sociale që merren me ndjekjen e shembujve të tillë, megjithëse shpesh në mënyrë komike.

Tërmetet shqiptare duhet të sqarojnë, megjithatë, se kjo nuk është çështje për të qeshur. Mbi të gjitha, Ballkani Perëndimor nuk është bërë aktiv sizmikisht kohët e fundit.

Ashtu si tërmeti që goditi qytetin bregdetar shqiptar të Durrësit në orët e para të 26 nëntorit 2019, tërmeti famëkeq i Banja Lukës i vitit 1969 ishte me madhësi 6.4. Në vitin 1961, Shkupi u shkatërrua nga një tërmet me madhësi 6.1 që vrau 1,100 persona dhe shkatërroi thuajse të gjithë qytetin. Edhe tërmetet më të vogla kanë qenë një dukuri e rregullt në të gjithë rajonin për dekada me radhë.

As mungesa e përgjithshme e gatishmërisë ndaj katastrofave në të gjithë rajonin nuk është për të qeshur.

Përmbytjet e vitit 2014 që prekën zona të mëdha të Kroacisë, Bosnjës dhe Serbisë – më të këqijat në më shumë se një shekull – duhet të ishte tashmë një thirrje zgjimi; si në aspektin e mungesës së përgjithshme të kapaciteteve emergjente nëpër rajone të ndryshme administrative në të tre vendet, ashtu edhe për mungesën edhe më të thellë e kapaciteteve për t’u përballur me realitetet në rritje të ndryshimeve klimatike. Pak ka ndryshuar në pesë vjet që nga ai vit, edhe pse përmbytjet sezonale janë bërë akoma më të rënda.

Cilësia e ajrit kritike

E njëjta gjë mund të thuhet për çdo faktor klimatik ose mjedisor në këto vende. Zjarret po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më shkatërruese çdo vit në të gjithë brigjet dalmate dhe Malit të Zi dhe po përhapen gjithnjë e më shumë në brendësi të rajonit, veçanërisht në tokat e thata të Hercegovinës.

Dhe ekziston edhe cilësia e rrezikshme e ajrit në të gjithë rajonin, me norma sidomos të rënda të ndotjes së ajrit në Sarajevë, Beograd, Shkup dhe Prishtinë. Në fund të fundit, në një kontekst global, këto janë qytete të vogla – me një popullsi prej gati katër milionë banorë së bashku. E megjithatë, këto qytete kanë indekse të cilësisë së ajrit në të njëjtën kohë me super qytete të mëdha indiane dhe kineze, të cilat janë po ashtu qendra të mëdha industriale.

Qartazi, çështja këtu nuk është rritja e kapaciteteve ekonomike të këtyre politikave të Ballkanit Perëndimor. Jo, problemi këtu është një neglizhencë qeveritare dhe dështimi institucional.

Cilësia e ajrit në rajon po arrin nivele kritike sepse qeveritë nuk kanë pranuar të rregullojnë ndotësit industrialë, për t’i bërë karburantet e pastra të përballueshme për konsumatorët, sidomos për ngrohjen e shtëpive, as nuk kanë bërë shumë për të inkurajuar zhvillimin e energjisë së rinovueshme apo edhe transportin publik.

Por qeveritë lokale jo vetëm nuk kanë arritur të rregullojnë cilësinë e ajrit.

Vendimi i fundit i Bosnjës për t’iu drejtuar një banke kineze zhvillimi për të financuar një zgjerim masiv të termocentralit famëkeq të qymyrit Tuzla tregon se këtu ekziston një element interesit malinj.

Elitat politike dhe bashkëpunëtorët dhe donatorët e tyre në industrinë e ndërtimit dhe atë të energjisë po punojnë së bashku për të parandaluar zbatimin e reformave të rëndësishme rregullatore dhe mjedisore. Pse? Për shkak se karburantet e pista dhe mungesa e rregullimit do të thotë më shumë para në xhepat e tyre.

Lëvizje të gjelbra

Është e qartë se këtu ekziston një problem sistemik dhe, po ashtu, ekziston një nevojë urgjente për një ndryshim të madh në politikat e qeverisë. Por e njëjta gjë mund të thuhet për secilën nga këto probleme: tërmetet, përmbytjet, zjarret etj. Secila prej këtyre kërkon qeveri të gatshme të sakrifikojnë burime dhe ekspertizë për të matur me kujdes rreziqet, për të punuar me zell për të zbutur efektet dhe në këtë mënyrë për të shpëtuar jetë.

Fakti që kjo nuk ka ndodhur mund të hidhet poshtë si një tjetër dështim i elitës politike të Ballkanit Perëndimor, një tjetër aspekt i mosrespektimit të tyre të zakonshëm për mirëqenien e qytetarëve të tyre.

Por nuk duhet të jemi aq cinikë.

Që nga fillimi i kësaj dekade, kemi parë në heshtje shfaqjen e një lëvizjeje të vogël, por të mirëorganizuar të gjelbër në Ballkanin Perëndimor.

Deri më tani, ajo ka qenë e organizuar tradicionalisht në kontekstin e betejave specifike, në komunitete specifike. Por ndërsa ndryshimet klimatike dhe dështimi institucional për t’u përballur me faktorët mjedisor fillon të ofrojë kosto gjithnjë e më të mëdha ekonomike dhe njerëzore në rajon, ne prapë mund të shohim të lindë diçka më e bashkuar. Ose, në të kundërt, duhet të punojmë për t’u siguruar që pikërisht kjo të ndodhë.

Qytetarët, politikëbërësit dhe aktivistët në rajon nuk mund ta trajtojnë më klimën dhe mjedisin si një shqetësimi të Botës së Parë.

Efektet më shkatërruese të një neglizhencë të tillë janë parë pikërisht në rajone të pazhvilluara dhe periferike si Ballkani Perëndimor.

Dhe ndërsa efektet e ndryshimeve klimatike dhe ndotjes thjesht përkeqësohen nga çështjet e korrupsionit dhe prapambetja demokratike në rajon, shëndeti themelor i biosferës lokale, aq sa edhe kapacitetet lokale për t’u përballur me fatkeqësitë natyrore, paraqesin një mundësi tjetër për t’i mbajtur elitat politike përgjegjëse.

Thjesht, këto duhet të jenë biseda që shqetësojnë në mënyrë direkte publikun. Nga kjo gjë varen jetë njerëzish.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.