Mbetjet


Angazhim për mbrojtjen e mjedisit/ Gjermania jep 5.4 milionë euro për menaxhimin e mbetjeve të ngurta në Vlorë

Gjermania jep 5.4 milionë  euro për menaxhimin e mbetjeve të ngurta në Vlorë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj nënshkroi dje me Bankën Gjermane për Zhvillim KfW marrëveshjen e grantit për rritjen e fondeve të programit aktual për menaxhimin e mbetjeve të ngurta të Vlorës me një shumë shtesë prej 5.4 milionë eurosh.

Sipas njoftimit për shtyp të Ambasadës Gjermane, granti i dhënë nga Qeveria Gjermane do të përdoret për masa shtesë për mbrojtjen e mjedisit si edhe për ngritjen e një sistemi për menaxhimin e mbetjeve në zonat e Vlorës dhe Selenicës. Programi i menaxhimit të mbetjeve të ngurta në rajonin e Vlorës bazohet mbi një studim të financuar nga Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Ai përfshin ndërtimin e një landfilli të ri sanitar ne Sherrishtë në të cilin do të depozitohen mbetjet e prodhuara në Vlorë dhe Selenicë, ndërtimin e mjediseve të seleksionimit dhe kompostimit për mbetjet e llojeve të ndryshme dhe mbetjeve të riciklueshme të para seleksionuara, blerjen e pajisjeve për mbledhjen e mbetjeve (kamionë për mbledhjen e mbetjeve si edhe kosha/kontenierë mbetjesh) për përmirësimin dhe zgjerimin e mbledhjes së mbetjeve dhe shërbimin e transportit të tyre në zonën ku shtrihet projekti. Po ashtu, programi parashikon një projekt pilot pajisjen me kamionë dhe kontenierë për ndarjen në burim të mbetjeve të riciklueshme dhe atyre organike, mbylljen e vend-depozitimeve të pakontrolluara dhe ilegale në zonën ku do te shtrihet programi. Punimet për këtë program priten të fillojnë në 2020. Duke përfshirë grantin e mësipërm, Qeveria Gjermane, përmes KfW-së ka dhënë një mbështetje prej 12 milionë eurosh në formën e një kredie të butë dhe 15 milonë euro grante për këtë program.

KfW-ja është një nga bankat për zhvillim lider në botë. Me eksperiencën e saj shumëvjeçare KfW është e angazhuar që në emër të Republikës Federale Gjermane si edhe të Landeve Federale të përmirësojë kushtet ekonomike, sociale, ekologjike si edhe kushtet e jetesës në mbarë botën. Në Shqipëri, KfW zbaton bashkëpunimin financiar dhe siguron grante dhe kredi të buta për investime kyçe në infrastrukturë dhe shërbime konsulencë që lidhen me projekte të ndryshme. Bashkëpunimi Gjermano-Shqiptar filloi në vitin 1988. Që nga ai vit Qeveria Gjermane  ka angazhuar një shume totale prej mbi një miliard euro, duke u bërë kështu donator më i rëndësishëm bilateral në vend. Sektori i mbrojtjes së mjedisit është një nga sektorët kyç të Bashkëpunimit Financiar Gjermani-Shqipëri, për të cilin Qeveria Gjermane ka angazhuar më shumë se 41 milion euro, që nga viti 1988.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.