Të tjera


Pelikani Kaçurrel përgatitet për folezim, ndihmohet nga specialistët e parkut Divjakë

Drejtori i Parkut të Karavastasë në Divjakë, Ardian Koçi, njoftoi se ka përfunduar përgatitja për folezimin e Pelikanit Kaçurrel.

Në reagimin e tij, publikuar të premten, bëhet me dije se, përgatitja e foleve u realizua përmes mbështetjes së specialistëve të AOS dhe banorëve të zonës.

“Sapo përfunduam përgatitjen e foleve të Pelikanëve. Të mbështetur nga specialistët e AOS dhe banorë të zonës, i dhame dorën e fundit duke u hedhur kripth (salicornia euroaea)”-, thekson Ardian Koçi, Drejtori i Parkut të Karavastasë, në lagunën e Divjakës.

Divjaka sot është një nga parqet natyrore më të vizituara të vendit për turizmin detar, natyror, të peizazhit, atë të vëzhgimit të shpendëve të rrallë ujorë dhe të historisë. Pelikani Kaçurrel, ka gjetur habitatin e vet dhe vëmendjen më të madhe në Lagunën e Divjakës.

Drejt Divjakës tashmë udhëtojnë në çdo stinë të vitit me dhjetëra vizitorë ditorë, jo vetëm në stinën e verës, ku ujërat e pastra të Adriatikut lagin rërën e kristaltë dhe brigjet pyjore të pishave aromë mirë, por edhe në stinët e tjera të vitit kur nuk bëhet plazh, vizitorët dhe turistët e huaj nuk mungojnë në Divjakën me një peizazh tërheqës dhe një faunë të veçantë për t’u vëzhguar ku vendin e parë e zë Pelikani Kaçurrel.

Tashmë është periudha kur kjo specie e rrallë dhe tepër mbresëlënëse sidomos në fluturim, ka kohën e shumimit dhe të përgatitjes së foleve, apo çerdheve, ku do të çelin e do të rrisin të vegjlit e tyre.

Përgatitjet ata i kanë nisur, por në ndihmë të tyre, në ruajtjen e mjedisit ku shumohen dhe të ngritjes së çerdheve, u kanë ardhur dhe specialistët e këtij parku, ku këto ditë kanë filluar kufizimin e territorit të me bova ujore e mjete të tjera, të grumbullojnë e të hedhin shkarpa apo barin e nevojshëm për foletë e tyre, të caktojnë roje të përforcuara, që çiftëzimi dhe vezët e çelura të jenë të sigurta.

Çdo fundjavë vizitorë të shumtë popullojnë Parkun e Divjakës, ku objekt bëhet vëzhgimi i shpendëve të shumtë e të veçantë që popullojnë këtë lagunë. Turizmi i vëzhgimit të shpendëve lagunore tashmë po kthehet në një lëvizje të vërtetë turistike edhe për vendin tonë.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.