Aktiviteti njerëzor


Tri vatra të fuqishme zjarri në masivet pyjore të Librazhdit

Burime zyrtare bëjnë me dije se në masivet pyjore të rrethit të Librazhdit prej disa orësh janë identifikuar tri vatra zjarri me përmasa të mëdha. Njëra prej tyre është shfaqur në masivin pyjor në Turje në Njësinë Administrative Stravaj në Bashkinë Prrenjas, ndërsa dy të tjera në Skënderbej.

Flakët sipas informacioneve nga terreni janë përhapur në të gjitha drejtimet për shkak të erës së fortë që ka mbizotëruar gjatë mëngjesit të sotëm dhe kanë shkaktuar djegien e një sipërfaqe prej disa ha me ahishte. Dyshohet se zjarrvënia ka qenë e qëllimshme dhe ndërhyrja me mjete në zonën e Turjes është e pamundur për shkak terrenit.

Për izolimin e vatrave të shumta të zjarrit aktualisht po punojnë banorë të zonës dhe 16 punonjës të Bashkisë Prrenjas. Situatë edhe më problematike raportohet se është krijuar edhe në masivet pyjore të fshatit Skënderbej në Njësinë Administrative Rrajcë.

Njëra nga vatrat e zjarrit ka përfshirë një masiv pyjor në zonën e shpallur “Trashëgiminë Botërore e UNESCO-s” në Rrajcë të bashkisë Prrenjas. Nga zjarri nē kētë zonë janë dëmtuar tre ha pyje ahu.

Zjarri është shfaqur në vendin e quajtur “Zgavra e Zezë”, ndërkohë që pak ditë më parë po në këtë zonë në vendin e quajtur “Përroi i Peshkut” pjesë përbërëse e Parkut Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë” u dogjën shtatë ha me pyje ahu. Ndërsa një vatër tjetër zjarri ka përfshirë një masiv pyjor jo shumë karg kësaj zone.

Aktualisht për shuarjen e zjarrit në këto zona po punojnë punonjësit e Zonave të Mbrojtura dhe pritet që të shkojnë në mbështetje të tyre edhe forcat e ushtrisë. Ndërkohë pritet të nisin hetimet për të identifikuar personat që mund tu kenë vënë zjarrin në mënyrë të qëllimshme masive pyjore në Skënderbej dhe Stravaj. 

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.