Aktiviteti njerëzor


Veliaj: Makinat janë burimi i ndotjes, të mbjellim pemë

Nga fshesat te makineritë ekologjike supermoderne Euro6: Pastrimi i Parkut të Liqenit do të bëhet me mjete të teknologjisë së avancuar, automatike dhe mbi të gjitha, që nuk ndotin mjedisin. Bashkia e Tiranës, mbështetur nga Ambasada Japoneze në Tiranë përmes “Grassroots Human Security Project”, e ka pajisur Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit me makineri dhe kosha që mundësojnë një pastrim më të shpejtë dhe efikas të Parkut të Liqenit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe ambasadori i Japonisë në vendin tonë, Makoto Ito, falenderoi miqtë japonezë.

“Para pak javësh, me ambasadorin japonez firmosëm një marrëveshje e cila mundëson një sistem të ri pastrimi, ekologjik, efiçent, që e bën xixë në kohë rekord Parkun e Tiranës, që njerëzit të gdhihen çdo mëngjes e të gjejnë një park të pastruar nga fillimi në fund, në 2 milionë metra katrorë. Pas asaj marrëveshje, sot kemi një sistem të ri, me mjete ekologjike që mbledhin të gjitha mbeturinat, si për kosha të mëdhenj, si për kosha të vegjël”, tha Veliaj.

Ai kërkoi edhe ndihmën e qytetarëve, të cilët jo vetëm që nuk duhet të ndotin mjedisin, por edhe të kujdesen që mbetjet t’i hedhin në vendet e caktuara. “Tani na duhet shumë bashkëpunim nga qytetarët, duhet ta mirëmbajmë parkun, t’i hedhim mbeturinat atje ku duhet, të bëhemi pjesë e fushatës së mbjelljes së pemëve, të ulim lëvizjet me makinat private për distancat e vogla, që jo detyrimisht janë të nevojshme”, shtoi kryebashkiaku.

Veliaj theksoi se gjithkush duhet të ndjejë përgjegjësinë për të mbrojtur mjedisin, ndërsa vuri në dukje se burimi kryesor i ndotjes në kryeqytet janë makinat. “Sot jemi në një situatë ku Tirana është më e pastër. I vetmi burim i ndotjes janë makinat. Tirana nuk ka fabrika, as oxhaqe, as uzina, do të thotë që nuk kemi ndotje industriale. E vetmja ndotje që vjen në Tiranë është nga tymi i makinave. Ftesa për qytetarët është të përdorim biçikletën, të ecim në këmbë, kështu heqim peshë, ulim shpenzimet dhe ndotjen e qytetit. Është e vetmja mënyrë! Qytete shumë më të zhvilluara e më të pasura se ne i kanë lënë makinat, jo se s’kanë para t’i blejnë ato, por se kanë vendosur se nuk ia vlen të helmohen fëmijët për distanca që fare mirë mund të bëhen me këmbë”, u shpreh ai.

Mandej, Veliaj ftoi trupin diplomatik në Tiranë, qytetarët dhe bizneset që të bëhen pjesë e aksionit për mbjelljen e pemëve në kryeqytet. “Ka filluar stina e mbjelljeve. Me ambasadorin mbollëm disa panja japoneze dhe besoj se është në nderin e secilit të lerë një shenjë në qytet. Në momentin që ulim ndotjen që vjen nga makinat dhe shtojmë oksigjenin që vjen nga pemët, realisht mund të kemi qytetin që kemi ëndërruar gjithmonë dhe besoj se do ia arrijmë kësaj stine të mbjelljeve, me mbi 150 mijë pemë të mbjella”, nënvizoi Veliaj.

Ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Makoto Ito theksoi se donacioni do të kontribuojë në mirëmbajtjen e Parkut të Liqenit, ndërsa vlerësoi ndryshimin rrënjësor që ka pësuar Tirana në vitet e fundit.

“Personalisht kam një afeksion ndaj Parkut të Liqenit sepse fundjavave vrapoj, kam filluar ta frekuentoj dhe të shkëmbej disa përshëndetje me njerëz shumë miqësorë. Ky park është simbol i miqësisë dhe i bukurisë së Tiranës. Si ambasador, kam mundësinë të takoj shumë vizitorë të huaj dhe nuk mund t’i krahasoj me 4 apo 5 vite të shkuara, sepse kam vetëm një vit në detyrë, por shumë nga miqtë e mi të huaj më kanë treguar se qyteti i Tiranës ka ndryshuar në mënyrë drastike. Ky ndryshim kaq i madh, që mezi e bën të njihet të njëjtin qytet, jam i sigurt se ka ndodhur si rrjedhojë e punës së madhe që ka bërë Kryebashkiaku”, tha ambasadori Ito.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.