Aktiviteti njerëzor


Vendimi: Ndalohet ndërtimi i HEC-eve në zonat e mbrojtura

Ndërtimi i HEC-eve nuk do të lejohet më të kryhet në zonat e shpallura të mbrojtura. Ky vendim i prerë vjen nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, pas konstatimit të abuzimeve të shumta me lejet mjedisore. Ministri Blendi Klosi, në fjalën e tij ka bërë me dije se ky vendim synon të ndalojë ndërtimet në zonat me vlera jo vetëm natyrore por edhe historike.

“Ne kemi marrë një vendim, nëpërmjet ligjit të zonave të mbrojtura. Kështu në zonat e mbrojtura nuk do të ketë më leje për të dhënë një HEC. Kushdo ministër pas meje, do ta ketë pothuajse të pamundur e unë do të shpresoja 100% të pamundur, që të japë leje mjedisore në një zonë që është e klasifikuar si një zonë e mbrojtur”,-theksoi ministri Klosi. Synimi kryesor i ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit është vendosja e një ekuilibri mes zhvillimit ekonomik dhe ruajtjes së natyrës është. Ndërkohë kjo ministri ka ngritur një grup pune me ekspertë të fushës për vendosjen e rregullave të forta lidhur me ndërtimin e HEC-eve dhe mënyrën e shfrytëzimit të lumenjve pa sjellë dëme në mjedis. “Vendosja e këtij ekuilibri nuk do të thotë domosdoshmërisht refuzimin e njërës nga të dyja veprimtaritë. Ne duam që të kuptojmë qartë se cilat janë rregullat mbi të cilat sot zhvillohet një aktivitet si aktiviteti i prodhimit të energjisë të natyrës”,-shtoi Klosi. Valbona, Osumi, Vjosa Bushtrica janë disa prej lumenjve me vlera të mëdha mjedisore dhe turistike me të cilat është abuzuar ndër vite dhe që kërkojnë ndërhyrje emergjente për të ndalur pasojat.

Disa kohë më parë, drejtori ekzekutiv i organizatës mjedisore Eco Albania, Olsi Nika ka thënë për “Gazeta Shqiptare” se numri i projekteve të hidrocentraleve që do të ndërtohen buzë lumenjve apo përrenjve, ka arritur në 540 në vendin tonë. “Sa i përket ndikimit të këtyre HEC-eve nuk mund të flitet në mënyrë përgjithësuese por sidoqoftë një shifër prej 540 HEC-esh (ndoshta edhe më tepër në vitet e ardhshme), në një rrjet hidrografik prej rreth 3.000 km padyshim që është një ngarkesë e papërballueshme. Megjithatë nga përvoja jonë e deritanishme si EcoAlbania, nuk është vetëm problemi i sasisë shumë të madhe të projekteve të HEC-eve por edhe vendosja e tyre pa i marrë parasysh të gjitha konsekuencat e sidomos mënyra e ndërhyrjeve si pjesë e procesit të zbatimit të këtyre projekteve. Mjafton të përmendim se vë Shqipëri rreth 39% e të gjithë HEC-eve janë planifikuar/ndërtuar apo janë në ndërtim në rrjetin e Zonave të Mbrojtura. Në këtë optikë ndikimi i HEC-eve në integritetin e këtyre zonave më ekuilibra mjaft të brishtë do të jetë në shumë raste i pakthyeshëm”,-thotë Nika. Më tej ai shton se pjesa më e madhe e këtyre HEC-eve janë shumë të vegjël dhe nëse do të ndërtoheshin kontributi i tyre në buxhetin e energjisë do të ishte jo më shumë se 10-15%, ndërkohë që gjurma e tyre ekologjike është aq e madhe sa nuk e justifikon sakrificën e natyrës për pak energji. “Sa i përket ndikimit të ekonomi, gjithashtu, kontributi është mjaft i vogël si nga prodhimi i energjisë ashtu edhe nga punësimi ndërkohë që orientimi drejt turizmit natyror do të ishte disa herë më i leverdishëm për politikat e zhvillimit dhe në respekt të natyrës”,-thekson eksperti. 

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.