Natyra


Shqipëria i bashkohet zbatimit të censusit ndërkombëtar të shpendëve të ujit

Edhe këtë vit ekipe ekspertësh dhe aktivistësh mjedisorë vendas i janë bashkuar censusit ndërkombëtar për shpendët e ujit, i cili zhvillohet njëkohësisht në 144 vende.

Që në orët e agimit të datës 11 Janar, Shoqata e Ornitologëve të Shqipërisë (AOS) dhe aktivistë mjedisorë filluan zhvillimin e censusit të shpendëve të ujit për vitin 2020, duke monitoruar dhe raportuar nëpërmjet një skeme numërimi zogjtë  në të gjitha zonat ujore natyrore apo artificiale anembanë Shqipërisë.

Në këtë census përfshihen ornitologë e biologë, ekspertë të fushës si edhe anëtarë të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, të angazhuar me punën e tyre të palodhur në mbrojtjen e faunës Shqiptare.

“Është bukur të merresh dhe të studiosh shpendët”, shprehet Ervis Loçe, laborant i Muzeut të Shkencave Natyrore, i cili edhe ai ishte pjesmarrës në ekipin e zbatimit të censusit 2020. “Jo vetëm në natyrë, por edhe në laborator. Për më tepër, në laborator ke mundësi të shohësh edhe gjëra të cilat nuk i gjen dot në natyrë”.

Grupe të ndryshme pune kanë filluar me observimin dhe monitorimin në zona të ndryshme ujore te Shqipërisë siç janë për shembull liqenet, lumenjtë, rezervuarët, këneta, zona të mbrojtura detare, etj. Një ndër zonat e konsideruara me rëndësi të veçantë në Shqipëri për sa i përket ekzistencës së specieve të zogjve ujor përbën dhe Parku i Mbrojtur Kombëtar i Divjakë-Karavastasë, ku përbëjnë veçanti speciet e rrezikuara për zhdukje.

Mjedise të tjera ujore me rëndësi janë ato të Shkodrës/Velipojës, Pogradecit, Nartës, Butrintit, Orikumit, Karpenit, Patokut, Prespës së Madhe dhe të Vogël, etj.

Shqipëria i është bashkuar Censusit Ndërkombëtar të Shpendëve të Ujit (IËC) që në vitin 1993, ku fillimisht ky census u zhvillua në habitatet bregdetare dhe liqenin e Shkodrës. Ky census në nivel ndërkombëtar ka filluar që në vitin 1967.  Censusi zhvillohet për çdo vit në më shumë se 144 vende, në mbi 25 mijë habitate të ndryshme ujore.

Rezultatet e mbledhura nga ky census raportohen në Qëndrën Ndërkombëtare të Zonave Ujore, të cilat më pas përdoren për marrjen e masave ndaj mbrojtjes dhe konservimit jo vetëm të këtyre shpendëve por mbi të gjitha të habitateve ku ata jetojnë.

Të dhënat e analizuara për periudhën (1993-2019) tregojnë se Shqipëria strehon çdo vit një mesatare prej 165 mijë shpendëve të ujit dimërues që përfaqësojnë rreth 95 specie të ndryshme të shpendëve të ujit.  Gjithsesi, nga këto të dhëna vihet re një trend negativ që pasqyron një rënie të numrit të këtyre zogjve dimërues të ujit.

“Kjo rënie vjen si pasojë e degradimit të habitateve nga ngacmimet e njerëzve, ndërhyrjet e tyre, vrasjet apo gjuetia e paligjshme e shpendëve, dhe një rol të madh luajnë ndotjet urbane,”  theksoi Taulant Bino, drejtor i Shoqatës së Ornitologëve të Shqipërisë.

“Por të gjitha këto mund të pastrohen, për të shpëtuar këto specie”, përfundoi ai.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.