Aktiviteti njerëzor


Nis testimi i HEC Moglicë

Hidrocentrali i Moglicës, si një prej projekteve më të rëndësishëm hidroenergjetik, parashikohet të hyjë në prodhim në pranverë të këtij viti.

Në një prononcim për TV SCAN kompania Statkraft, që po kryen investimin, bëri me dije se aktualisht po realizohet testimi dhe kolaudimi i veprës.

Sipas saj, mbushja e rezervuarit të Moglicës filloi në qershor 2019 dhe së fundmi rezervuari ka arritur nivelin e nevojshëm për të mundësuar fillimin e fazës së testimit dhe kolaudimit, që është thelbësore për sigurinë dhe cilësinë afatgjatë të strukturave të projektit.

Kjo fazë mund të zgjasë disa muaj, në varësi të rezultateve të testimeve, ndërkohë që sipas kompanisë nëse rezultatet e testimeve të fazës se kolaudimit janë brenda parametrave, planifikohet që në pranverën e këtij viti të fillojnë operimet tregtare nga HEC Moglicë.

Ky hidrocentral ka një kapacitet të instaluar prej rreth 184 MW dhe prodhim mesatar vjetor prej 450 Gwh, çka do të rrisë kapacitetin prodhues në vend.

Moglica është një nga dy hidrocentralet e Kaskadës së Devollit, përveç atij të Banjës, I cili është në operim prej vitit 2016.

Investimi për këto 2 hidrocentrale përllogaritet në mbi 530 milion euro, ndërsa së bashku parashikohet të prodhojnë 729 Gwh në vit, duke mundësuar rritjen e prodhimit të energjisë në Shqipëri me  17 %.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.