Aktiviteti njerëzor


Objektivi për biokarburantet, në pikëpyetje – Bejtja: Duhet ta përmbushim

Duke filluar nga viti 2020, 10% e sasisë së karburanteve të konsumuara për transport në vendin tonë duhet të përbëhet nga biokarburantet. Projektligji i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë është diskutuar në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, ndërkohë që vjen në kuadër të detyrimeve që ka vendi ynë për përdorimin e energjive të rinovueshme në masën 38% deri në vitin 2020. Por gjatë diskutimeve në komision, u theksua se arritja e këtij objektivi duket e vështirë, duke qenë se ligji është ende në diskutim.

Miratimi i këtij ligji do i  hapë rrugën prodhimit të biokarburanteve në vend, ndërsa zbatimi i tij do të jetë detyrim për aktorët që operojnë në tregun e hidrokarbureve. Ndërkohë që, deputetët ngritën shqetësime mbi mundësinë e krijimit të pozitave monopol, por kjo mundësi u hodh poshtë nga  zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja.

Grupet e interesit e konsideruan draftin e ministrisë me defekte dhe boshllëqe, teksa shtuan se ai diskriminon importuesit. Biokarburantet janë lëndë djegëse për sektorin e transportit që prodhohen nga biomasa, ndërkohë që projektligji i propozuar nga qeveria parashikon prodhimin e tyre brenda vendit ose importin e tij. Sipas dokumentit, kur prodhimi vjetor vendas i biokarburanteve dhe i lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, nuk mbulon të gjithë sasinë minimale vjetore, për t’u hedhur në treg, shoqëritë e tregtimit me shumicë që do të pajisen me licencat përkatëse detyrohen të garantojnë furnizimin e tregut me këtë sasi minimale vjetore nëpërmjet importit. Aktualisht, në vendin tonë konsumohet  rreth 840 mijë ton në vit karburant.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.