Aktiviteti njerëzor


Dita e Shërbimit Pyjor/ Mbillen 500 pemë në Urën Vajgurore

Në të dyja anët e shtratit të lumit Osum në Urën Vajgurore u mbollën sot 500 pemë, në kuadër të Ditës së Shërbimit Pyjor.

Në aksionin për mbjelljen e pemëve ishin të pranishëm ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe kryetarja e bashkisë së Urës Vajgurore, Juliana Mema.

Gjatë aksionit ministri Klosi tha në fjalën e tij se “bashkia po bën investime në kuadër të stabilizimit të shtratit të lumit, që gjithmonë ka shkaktuar përmbytje të kësaj zone. Me të rinjtë e qytetit po mbjellim 500 pemë , për të vazhduar me një projekt afatgjatë që ta pyllëzojmë këtë zonë dhe ta kthejmë në një zonë rekreative për qytetin”.

“Është e rëndësishme që të vazhdojë ky aksion me të rinjtë dhe me sa më shumë pjesëmarrje të qytetarëve, sepse e gjithë zona duhet të kthehet në një zonë të gjelbër për qytetin dhe të kemi mundësi që qyteti i Urës Vajgurore, qyteti i vjetër u Dimalit, të rikthehet si një pikë e fuqishme turistike, të ketë edhe këtë zonë bashkangjitur veprave të tjera publike dhe trashëgimisë kulturore”-, nënvizoi Klosi.

Ministri Klosi tha se “bashkia e Urës Vajgurore po vazhdon me një projekt të madh që ne kemi për stabilizimin e vend depozitimit të mbetjeve urbane, pasi duke krijuar këto dy mundësi do të shpresojmë shumë që edhe shtrati i lumit edhe gjithë zona përreth të kthehen në një qendër rekreative për të gjithë turistët që vizitojnë qarkun e Beratit dhe duhet ta kenë një ndalesë në Urën Vajgurore”.

Kryetarja e bashkisë së Urës Vajgurore, Juliana Mema, tha se “nisma do të vazhdojë duke bërë të mundur që të shkojë në 5 mijë pemë. Kjo nismë përveç se i shërben identitetit dhe rijetëzimit të pyllit të dikurshëm në këtë zonë i shërben edhe rritjes së cilësisë së jetës së qytetarëve”.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.