Aktiviteti njerëzor


Nisma për hartimin e metodologjisë për vlerësimin pasuror të krimit mjedisor në Zonat e Mbrojtura në Shqipëri

Në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe si rezultat i disa detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocijimit, Shqipëria ka bërë hapa përpara në përafrimin e kuadrit ligjor dhe institucional me atë të BE-së. Në këtë kuadër, edhe sektori i mjedisit ka pësuar një sërë ndryshimesh ligjore dhe institucionale.

Koncepti më i ri, është cilësimi i dëmtimit të mjedisit, i cili konsiderohet si krim mjedisor dhe sanksionohet në Kodin Penal të ndryshuar në vitin 2019.

Megjithatë zbatueshmëria e Kodit është një sfidë e madhe për shkak të mungesës së akteve nënligjore që do të përcaktonin organet dhe procedurën që duhet të ndiqet.

Prerjet e paligjshme në pyje filluan të tërheqin vëmendjen publike në fund të viteve 90-të, si rezultat i ndikimeve negative ekonomike, sociale dhe mjedisore. Prerjet e paligjshme ndodhin zakonisht kur priten drurët, transportohen, blihen ose shiten në shkelje të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare. 

Por përpos prerjes, paligjshmëria mund të ndodhë gjatë transportit, përpunimit dhe eksportit, për shembull përmes mos deklarimit në dogana, ose shmangien e taksave dhe detyrimeve të tjera. Kohët e fundit, INTERPOL ka dokumentuar se ndikimi i prerjeve të paligjshme në pyje në rang botëror ka arritur në vlerat 51-152 USD.

Në vendin tonë, gjatë vitit 2018 krimet mjedisore zënë vetëm 0.78% të krimeve totale të kryera në rang vendi. Në vlerë sasiore krimet mjedisore ishin 247 raste të regjistruara ku 57.8% e përbëjnë krimet në pyje dhe prerjet e paligjshme.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) ka kërkuar përmes një draft VKM-je një rishikim të mënyrës së vlerësimit të dëmit në zonat e mbrojtura duke i shtuar gjobës administrative të vendosur nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit dhe një shtesë në varësi të rëndësisë së zonës ku është kryer dëmi.

Informacioni për dëmin e shkaktuar nga prerjet e paligjshme në pyje dhe zonat e mbrojtura në vendin tonë janë të pakta ose më së shumti mungojnë. Në këtë kontekst vlerësimi pasuror i dëmit mjedisor është i rëndësishëm edhe nga këndvështrimi vetëm i kompensimit të dëmit. 

Studimi i prezantuar nga Eco Albania synon të sjellë pikërisht një metodologji të vlerësimit pasuror të prerjes së paligjshme në pyje, duke marrë si rast specifik pyjet në Zona të Mbrojtura.

Burimi: "Vlerësimi pasuror i krimeve mjedisore në Shqipëri" / Eco Albania, Friedrich Ebert Stiftung

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.