Aktiviteti njerëzor


Siguria mjedisore, Kuko: Prioritet, qëllimi ynë të ndërgjegjësojmë të gjithë shoqërinë

Zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko tha sot se siguria mjedisore duhet të jetë në top listën e prioriteteve të zyrtarëve vendorë, qoftë të zgjedhur, qoftë të emëruar të cilët duhet të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre dhe nga ana tjetër të marrin përsipër përgjegjësitë dhe pasojat sipas rastit kur nuk  zbatojnë kompetencat të ngarkuar nga ligji.

Kuko foli në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me temë “Krimi mjedisor, siguria mjedisore dhe siguria kombëtare” ku theksoi se në prizmin e prioriteteve, merr vlerë vendosja para përgjegjësisë e gjithë aktorëve që nuk ushtojnë kompetencat e tyre. “Rritja e masës së ndëshkimit mund të jetë një masë tjetër që i shërben kësaj kauze, prandaj e shohim si të mundshme dhe me interes forcimin dhe përshkallëzimin e masave ndëshkuese për të gjithë autorët që kryejnë vepra penale të parashikuara si krime mjedisore”, tha ajo.

Kuko tha se struktura qendrore apo lokale që janë ngarkuara me detyra specifike, për të patur sukses në këtë njësi inspektimi në çdo rreth ka nevojë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e çdo organi qendror apo vendor i cili merret drejtpërdrejt apo tërthorazi me  çështje të mbrojtjes së territorit.

“Në këtë  prizën roli i prefektit të qarkut është mjaft  i rëndësishëm pasi ai mund të shërbej si një hallke  kyçe në ekzekutimin e shpejtë të masave mbrojtëse apo parandaluese në mjedis”, tha ajo.

“Megjithatë, qëllimi ynë është të ndërgjegjësojmë të gjithë shoqërinë me çështjen  mbrojtjes së mjedisit, është një çështje që i përket patjetër strukturave, u përket qytetarëve të rinjve i përket  aktivistëve. Mjedisi është shtëpia jonë. Natyra është shtëpia  jonë”, tha ajo.

Në vijim Kuko vlerësoi bashkëpunimin ndërkombëtar dhe bashkëpunimin rajonal në mbrojtje të mjedisit.

“Nuk mund të lëmë jashtë vëmendjes edhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë sidomos  me vendet fqinjë, pasi ndajmë jo vetëm një hapësirë të caktuar në këtë rajon por edhe ekosisteme të përbashkëta, hapësira ujore, liqene, lumenj. Ne kemi nevojë të marrim përvojat më të mira të fqinjëve tanë dhe të mundim të ofrojmë  gjithë bashkëpunimin tonë në çështjen e mbrojtjes  së mjedisit, qoftë kjo përmes strukturave të specializuara ashtu edhe  përmes agjencive ligjzbatuese”,- tha ajo.

Po ashtu, Kuko shtoi se: “Siguria mjedisore është pjesë e sigurisë së përgjithshme të jetës dhe  pjesë e këtij vendi dhe me një ndikim afatgjatë, prandaj kërkohet ndërgjegjësim në radhë të parë, parandalim me masa efikase dhe masa mbrojtëse. Natyra ka ligjësinë e vet, e nëse e cenon atë ajo do të hakmerret”, tha Kuko.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.