Aktiviteti njerëzor


Bashkëpunimi shumë palësh ndër-institucional për adresimin e cështjeve të krimit mjedisor në Shqipëri

Krimi mjedisor renditet i katërti si aktivitet kriminal, pas prodhimit dhe tregtimit të lëndëve narkotike, trafikut ilegal dhe ai i qenieve njerëzore. Prej vitit 2007 krimi mjedisor është rritur me të paktën 5-7% / vit.

Gjithashtu është rritur numri i krimeve mjedisore të organizuara nga grupet kriminale; me natyrë ndërkufitare me ndikim mbi shëndetin, florën, faunën dhe ndotjen e mjedisit. Sektori i krimit mjedisor prek më së shumti burimet natyrore që kanë menaxhim kompleks dhe prej shumë agjencive të ndryshme. Krimi mjedisor është i vështirë për tu vlerësuar, detektuar dhe ndjekur për shumë arsye. Në rastet e krimeve mjedisore ndërkufitare apo me shtrirje të gjerë gjeografike kërkohet përfshirja e gjerë e shumë agjencive ligj-zbatuese dhe laboratorëve teknikë.

Koordinimi i punës së agjencive të tilla për krimin mjedisor vlerësohet një sfidë për shumicën e vendeve, sikundërse edhe për vendin tonë.

Rritja e kërkesës për burime natyrore (lëndë drusore, zhavorr dhe gurë, përdorimi i ujit nëntokësor, gjuetia sportive, etj) është rritur në mënyrë të vazhduar, duke kapur ritme shfrytëzimi në mbi 2-3 herë më shumë sesa kapaciteti rigjenerues i natyrës. Shtrëngimi i kërkesave të ligjit dhe uria për të ruajtur nivelin e lartë të normës së fitimit ka bërë që shumë biznese dhe individë të përfshihen në vepra të krimit mjedisor, me ndikim negativ mbi mjedisin si psh:

derdhje e mbetjeve përgjatë lumenjve dhe shmangia e pagesave të vend-depozimit në landfille;

djegia e mbetjeve për të zvogëluar sasinë e mbetjeve që duhet përpunuar ose transportuar;

prerja ilegale e pyjeve për lëndë drusore (shpesh e vlerësuar si aktivitet i lirë, me pak apo aspak kontroll prej autoriteteve menaxhuese të zonave pyjore;

djegia e qëllimshme e pyjeve dhe livadheve për hapjen e sipërfaqeve të lira për ndërtime (shpyllëzim) apo përmirësim të kullotës për bagëtinë.

Për këtë arsye u mbajt dhe Konferenca e 5-të Ndërkombëtare Shkencore mbi “Krimin mjedisor, Sigurinë Mjedisore dhe Sigurinë Kombëtare”, e organizuar nga Akademia e Sigurisë në bashkëpunim të ngushtë me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri dhe Bashkinë e Tiranës, me pjesëmarrjen e më se 100 përfaqësuesve të shoqërisë civile, studiuesve, institucioneve publike dhe organeve ligj-zbatuese.

Diskutimet në konferencë u përqendruan në forcimin e bashkërendimit dhe bashkëpunimit të gjithë aktorëve të përfshirë në mbrojtjen e mjedisit për rritjen e sigurisë mjedisore dhe pakësimin e krimeve mjedisore në vend. Konferenca kishte për synim që t’i sillte krimet mjedisore në qendër të vëmendjes, duke rritur ndërgjegjësimin për to, ndarë praktikat e mira, paraqitur zgjidhje dhe nxitur reagimin ndaj tyre qoftë të institucioneve të shtetit ashtu edhe të shoqërisë. Pjesëmarrësit po theksojnë nevojën për burime njerëzore shtesë, bashkëpunim më të intensifikuar ndër-institucional, si dhe ndryshime legjislative për ta luftuar këtë problem.

“OSBE-ja është krenare që mbështet këto projekte si dhe platformat e tjera që bëjnë bashkë aktorë të rëndësishëm nga fusha të ndryshme, me synim shqyrtimin e shtrirjes dhe natyrës specifike të krimeve mjedisore dhe masat që duhen marrë për t’i bërë ballë tyre”, tha zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri Robert Wilton në fjalën e mbajtur në hapje të konferencës.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, tha se lufta kundër krimit mjedisor kërkon bashkëpunimin e gjithë aktorëve, shtetërorë dhe jo shtetërorë si dhe ndërveprimin mes tyre në mënyrë të sinkronizuar. “Ne si ministri kemi ndërmarrë tashmë nismat tona së bashku me partnerët tanë për ta luftuar krimin mjedisor, i cili është një realitet i njohur në vendin tonë. Po i kalojmë një sërë kompetencash edhe Policisë së Shtetit për çështjet e krimit mjedisor, me qëllim që të marrë ndëshkimin e merituar”.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës Burimore të Mjedisit dhe Menaxheri i Programeve për Qeverisjen Lokale dhe Mjedisin në Prezencën e OSBE në Shqipëri, z. Elton Qendro, theksuan rëndësinë e disa rekomandimeve në lidhje me bashkëpunimin shumë palësh ndër-institucional për adresimin e çështjeve të krimit mjedisor në Shqipëri, si:

Konsolidimi i arritjeve përmes zgjerimit të fushës së veprimit, dhe komunikimit me agjencitë e tjera në nivel qendror dhe vendor; 

Rritja e efiçencës dhe rritja e shkallës së reagimit (në kohë) në organizimin dhe shkëmbimin e informacionit për marrjen e masave për të parandaluar vepra të krimit mjedisor në sektorë të ndryshëm;

Marrjen e masave konkrete për të adresuar mangësitë në kuadrin ligjor ose qartësimin e rolit institucional të agjencive në nivel qendror dhe vendor;

Rritja  e nivelit të ndërgjegjësimit, kuptimit të drejtë, dhe mbështetjes së aktorëve të ndryshëm përfshirë vendimmarrës dhe autoritete ekzekutive lidhur me punën e GNIKM, përfaqësimin dhe kontributin në të, krahas fuqizimit të bashkëpunimit me Organizata të Shoqërisë Civile dhe publikun e gjerë.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.