Aktiviteti njerëzor


Krimi Mjedisor: 85 mije dollare per 1 ha pyll te prere pa leje. Germimet, penalitet 600 dollare per meter kub

Çdo veprim që shkakton dëme mjedisore do të penalizohet me gjoba mjaft të rënda.  Përmes një vendimi që mban datën 13 shkurt, Këshilli i Ministrave ka miratuar listën e re të gjobave për shkeljet mjedisore, të cilat tashmë mund të shkojnë në qindra mijëra dollarë për shkelje të rënda.  Përmes vendimit, Qeveria vendos normat për përcaktimin e vlerës së dëmit të shkaktuar në zonat e mbrojtura  mjedisore, e cila përbëhet nga dëmi i shkaktuar dhe kostot e riparimit të dëmit, e të rehabilitimit të zonës e të kthimit të saj në gjendjen e mëparshme, si dhe administrimin e vlerës monetare të zhdëmtimit nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.

Shpyllëzimi i fondit pyjor ose i pyjeve pa miratimin përkatës, dhe pa përdorimin e tokës, është edhe shkelja që penalizohet me gjobat më të rënda, që shkojnë 8.5 milionë lekë, apo rreth 85 mijë dollarë për hektar.  Por mjafton edhe zënia ose përdorimi pa leje i këtyre sipërfaqeve, pa i dëmtuar ato, që shkelësit të përballen me gjoba të rënda prej 3 milionë lekësh, apo 30 mijë dollarësh për hektar.

Penalitetet të kripura janë parashikuar edhe për guroret, shfrytëzimin e materialeve inerte, apo edhe thjesht punimet pa leje. Ndërtim pa leje i furrave të gëlqeres, kamina për qymyr druri, eshkë, kovaçi, katrani e të tjera të kësaj natyre, pavarësisht nga madhësia do të gjobiten me 10 mijë lekë copa.  Kryerja e gërmimeve ose punimeve të tjera për nxjerrjen e gurëve, rërës, zhavorrit, dheu, humusit, plisave të barit e të tjera si këto do penalizohen me 8 mijë lekë për metër kub.

Ndërkohë që hapja e rrugëve, linjave telefonike, telegrafike, televizive, gazsjellëse, naftësjellës, kanaleve, linjave të tensionit të lartë, ujësjellësve e të tjera të kësaj natyre, pa miratimin përkatës në zonat e mbrojtura do të penalizohet me gjoba deri 600 dollarë për metër kub.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.