Aktiviteti njerëzor


Mirditë: 87-vjeçari që u shoqërua në polici pasi kundërshtoi HEC-et: “Deri sa të vdes, unë do shkoj në protestë”

Katër banorë të Mirditës janë shoqëruar në polici ditën e djeshme pasi janë paditur për pengim të punimeve nga përfaqësues të firmës private “Shpërdhaza Energji”, që po ndërton HEC-et në zonën e Kaçinarit.

Në këtë komunë janë planifikuar të ndërtohen katër hidrocentrale. Konkretisht, punimet priten të kryhen në fshatrat Kaçinar; Arrëz; Simon dhe Shpërdhazë.

Konflikti ka ndodhur afër shtëpisë së 87-vjeçarit, Ndrekë Frroku. Ai, bashkë me tre banorë të tjerë janë shoqëruar në komisariat ku u mbajtën rreth katër orë, për t’u lënë më pas të lirë.

Ndrekë Frroku tregon për Citizens Channel se e ka përjetuar keq shoqërimin e tij në polici për të dhënë deklaratën.

“Me thanë të drejtën ishte hera e parë në jetën time si pashë policinë, se s’kisha shku kurrë. U ndjeva shumë keq, kur domethanë në pronën time, vjen ai tjetri e të ma marrë me dhunë“, rrëfen ai.

“Unë jam një plak 87 vjeç. Jam çu nga shtrati se ka ardh një firmë, ma mirë t’i thomi firmë hajdutësh, kanë ardh për me na marr ujin. Kam dalë, kam vu do dru në rrugë sa mos të kalojnë dhe u kam thanë se nuk kaloni. Dojshin me shku, me ba punime. Një herë rezistuen, ma në fund të fundit, njoftun policinë“, shpjegon zoti Ndrekë.

Ai bën me dije se nuk ka përdorur asnjë formë dhune ndaj punëtorëve të firmës “Shpërdhaza Energji” dhe se pasi policët janë paraqitur në vendin e ngjarjes, i kanë kontrolluar shtëpinë, me vetë lejen e tij.

“I thanë ‘na kanë ndalë me dhunë’. Unë jam një plak 87 vjeç, ça dhune mund të bajsha unë?! Erdhi na mori policia, policia e shoqërueme me ata të firmës. Jo vetëm sot, po na ka ndal policia në Qafë-Vorrës kur kemi ba grevën. Bërtita atëherë, po flas edhe sot, bërtita: “Policia me pushtuesit. Na i quajtëm pushtues“.

Sipas tij, ndërtimi i HEC-eve nënkupton tharjen e pesë fshatrave që furnizohen me atë ujë dhe nuk i sjell asnjë të mirë atij komuniteti.

“Tashi, këtu thahen pesë katunde, 5043 hektarë tokë vadisin këto përrenj. Duke qenë se asht gjithë ky dam i madh si bahet, shpronësohen mbi 5000 banorë, pa qenë fare fare fare me vlerë kjo punë. Veç me qit fare një popull të tanë“.

Shoqërimi ka shqetësuar jo vetëm atë por edhe familjarët e të moshuarit Frroku, pasi ai ka probleme shëndetësore.

“Merre me mend, tre [familjarët] kanë ardh me makinë atje [në komisarit] se ata e dishin se unë bile jam me kartelë, jam i sëmurë me zemër. Më erdhën atje, u shqetësun pa masë. U shqetësu plaka, 88 vjeç. O zot i madh, gati tu qa“. Ndreka tregon se nuk do dorëzohet dhe do i mbrojë ato çfarë ai e quan trashëgimi brez pas brezi.

“Deri sa të vdes, unë do shkoj në protestë. Protesta paqësore ama në qoftë se na bjen në qafë fort, do të ulena në xhade [rrugë] e të shkelin makinat mbi ne. Ujin na e kemi trashëgimi, brez pas brezi, edhe dum t’ua lamë djemve trashëgimi“.

Shoqërimi në komisariat ka irrituar banorët e Mirditës

“Banorët, një pjesë që e kanë ditur, janë mjaft të irritum, një pjesë që e kanë marrë vesh. Këtu nuk asht ba asnjë lloj prononcimi, asnjë lloj takimi me fshatin as me kënd, çdo gja asht ba në mënyrë të fshehun dhe si pasojë popullit i heq ujin“, shprehet për Citizens Channel Fran Frroku, një tjetër banor i Mirditës dhe i afërm i Ndrekës, pjesë e qytetarëve që kundërshtojnë që prej muajit prill ndërtimin e HEC-eve në komunën e Kaçinarit.

Frani tregon se firma këmbëngul të vazhdojë punimet, ndërkohë që është hapur një proces gjyqësor, i transferuar tashmë në Gjykatën e Lezhës.

“Ne kemi që në prill të vitit që kaloi, çështjen e kemi në gjykatë, kemi ba padi për dhënien e tenderit në mënyrë të padrejtë dhe akoma vazhdon. Gjykata e Tiranës e ka kalu në Lezhë dhe akoma nuk kemi marrë asnjë lloj përgjigjeje, asnjë lloj gjaje“. Ai tregon se do përdorin të gjitha mjetet që mos t’u merret uji.

“Revolta jonë do vazhdojë tashi, mbase do vijë duke u përkeqësu ma keq sepse ne po e lamë atë ujin që të futet nëpër tuba, ne na hiqet e drejta e të jetumit në atë zonë. Ne do ta mbrojmë deri në ditën e fundit“, përmbyll Fran Frrokaj.

Rezistenca e mirditorëve ndër muaj

Citizens Channel ka raportuar edhe më herët lidhur me protestat që janë zhvilluar në Mirditë. Banorët e Kaçinarit kanë përzënë në formë të vazhdueshme makineritë e punimeve nga terreni dhe shprehen të bindur se nuk do lejojnë ndërtimin e hidrocentraleve.

Në muajin shtator të vitit 2019,  Fax Web ka publikuar një audio ku dëgjohet ish-administratori i Kaçinarit, Gjet Shkurti, teksa shpreh se leja për t’u ndërtuar këto HEC-e është dhënë nga vetë kryeministri Rama, zotim të cilin ai duhet ta çojë deri në fund ose duhet të kthejë mbrapsht shumën prej shtatë milion eurosh.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.