Aktiviteti njerëzor


Njoftim për shtyp: Organizatat e Shoqërisë Civile i drejtohen Qeverisë

Organizatat e Shoqërisë Civile i drejtohen Qeverisë: Mos ndërmerrni asnjë vendim pa u siguruar për transparencë dhe pjesëmarrje!

Letra e dërguar Kryeministrit Edi Rama, Presidentit të Republikës Ilir Meta, Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi nga WWF Adria dhe 10 OJF përmban rekomandime për përshpejtimin e hapave drejt ekonomisë së gjelbër. Organizatat kërkojnë kufizimin e vendimeve të cilat nuk janë urgjente për shëndetin dhe sigurinë e popullsisë.

TIRANË, 6 Maj 2020–Transparenca e plotë dhe mirëqeverisja janë parësore në këto kohë në mënyrë që të mos cënohen të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit dhe vendimmarrja demokratike në shoqërinë tonë, është mesazhi i dërguar qeverisë shqiptare sot nga WWF dhe organizatat bashkëpunëtore. Organizatat e Shoqërisë Civile janë të vetëdijshme për kushtet ekstreme në të cilat qeveria po punon. Megjithatë, ato i kërkojnë qeverisë që të shtyjë për më vonë çdo vendimmarrje e cila nuk lidhet në mënyrë të menjëhershme me shëndetin dhe sigurinë e njerëzve, për të cilat nuk mund të sigurohet një pjesëmarrje dhe transparencë e plotë në këtë moment.

Në letrën e drejtuar Kryeministrit, Presidentit dhe Kryetarit të Kuvendit si dhe për dijeni të Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, WWF, INCA, EcoVolis, Milieukontakt Shqipëri, REC Albania, AIC Shkodra, EDEN, EcoAlbania, SHBO, PPNEA, TOKA, sjellin në vëmendje të vendimmarrësve disa rekomandime që përshpejtojnë transformimin drejt një ekonomie miqësore me klimën, që respekton mjedisin dhe ripërtërin natyrën, shëndetin dhe mirëqënien e njërezve. Organizatat rekomandojnë që:

Të mbështetet dhe forcohet zbatimi dhe financimi i standardeve dhe politikave ekzistuese mjedisore për të adresuar krizën e klimës, humbjen e biodiversitetit dhe ndotjen e mjedisit.

Të investohet më shumë në ngritjen e vetëdijes dhe edukimit në lidhje me të drejtat e njeriut, zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e natyrës, duke forcuar shoqërinë tonë për t'u përballur me sfidat e së ardhmes.

Të bëhet e mundur shpërndarja e fondeve stimuluese dhe masave lehtësuese sipas kushteve, në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane dhe Marrëveshjen e Parisit, në mënyrë që të drejtojë transformimin e ekonomisë sonë drejt qëndrueshmërisë.

Të fillohen nisma të gjera e të qëndrueshme në përputhje me interesin publik.

Të sigurohet mbështetje për organizatat (lokale) të shoqërisë civile

Letra e dërguar Kryeministrit, Presidentit dhe Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë gjendet më poshtë bashkëlidhur.

Për më shumë informacion:

[email protected]


Letra e plotë:

Tiranë, 6 Maj 2020

Drejtuar: Shkëlqesisë së Tij, Z. Ilir Meta, President i Republikës

                Shkëlqesisë së Tij, Z. Edi Rama, Kryeministër

                Shkëlqesisë së Tij, Z. Gramoz Ruçi, Kryetar i Parlamentit

Për dijeni të: Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Z. Blendi Klosi

                     Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Znj. Belinda Balluku

Nga: Organizatat e shoqërisë civile të renditura në fund të kësaj letre

Lënda: Mjedisi dhe kriza e COVID-19


Të nderuar Shkëlqesi,

Pandemia e shkaktuar nga SARS-CoV-2 po sjell një krizë të pashembullt, pasojat e së cilës janë ende të paqarta. Ne jemi të ndërgjegjshëm mbi situatën sfiduese me të cilën po përballet qeveria, që nga njëra anë i duhet të zhvillojë dhe të sigurojë zbatimin e masave për të mbajtur njerëzit tanë të sigurt dhe të shëndetshëm, ndërsa nga ana tjetër, të fillojë përgatitjet për përgjigjen ndaj pasojave ekonomike dhe sociale të sjella nga të njëjtat masa.

Jemi tejet të pikëlluar nga humbjet e jetëve shkaktuar nga virusi, dhe si pjesë e shoqërisë, keni mirënjohjen tonë për punën e palodhur për të parandaluar përhapjen e kësaj epidemie në vendin tonë.

Si pjesë e shoqërisë civile, sidoqoftë, ne ju bëjmë thirrje që të ruani parimet e transparencës dhe qeverisjes së mirë, si themelet e një shoqërie demokratike të bazuar në sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut për secilin individ, pavarësisht kohës së pasigurt dhe të vështirë në të cilën ndodhemi. Vendi ynë pajtohet me parimet e transparencës dhe qeverisjes së mirë si një vend kandidat i Bashkimit Evropian, si dhe në linjë me konventa të ndryshme ndërkombëtare të ratifikuara nga Shqipëria, siç është Konventa e Aarhusit.

Transparenca kërkon shpalosjen e informacionit për hartimin e politikave dhe shpenzimet, ndërsa siguron qasjen e qytetarëve në informacione të tilla. Prandaj, është një element kryesor për të ndërtuar përgjegjshmërinë dhe besimin tek vendimmarrësit.

Parimet e qeverisjes së mirë, të transparencës, pjesëmarrjes, përgjegjësisë, efektivitetit dhe koherencës shërbejnë për të krijuar besim në procesin e hartimit të politikave, duke rritur kështu legjitimitetin dhe besueshmërinë e institucioneve publike. Veçanërisht të rëndësishme janë parimet e informacionit dhe pjesëmarrjes në kohë, të cilat shërbejnë për të siguruar proceset vendimmarrëse gjithëpërfshirëse dhe pjesëmarrëse duke angazhuar të gjithë palët e interesuara. Përveç rritjes të besueshmërisë së procesit, ato lejojnë një pronësi më të gjerë mbi vendimet e marra, duke siguruar një mundësi për të bashkëzhvilluar dhe përmirësuar idetë fillestare. Pjesëmarrja gjithëpërfshirëse është gjithashtu një mënyrë për të siguruar që institucionet të jenë përgjegjëse për veprimet ose mosveprimet e tyre.

Zbatimi kuptimplotë, konsistent dhe i vazhdueshëm i transparencës dhe qeverisjes së mirë është thelbësor në këto kohë sfiduese, në mënyrë që të mos cënohen të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit dhe vendimmarrja demokratike e pranishme në shoqërinë tonë. Kushtet aktuale ekstreme të punës, përfshirë lëvizjen e kufizuar dhe kufizimin e tubimeve, nuk janë të favorshme për të siguruar siç duhet vendimmarrjen pjesëmarrëse dhe transparencën. Kështu, ne i kërkojmë qeverisë të shtyjë çdo vendimmarrje që nuk është menjëherë e rëndësishme për shëndetin dhe sigurinë e njerëzve, për të cilat transparenca dhe pjesëmarrja kuptimplotë nuk mund të sigurohet.

Jemi të vetëdijshëm se institucionet përkatëse duhet të fillojnë të hartojnë masa lehtësimi dhe plane për të frenuar rënien e mundshme ekonomike pas pandemisë. Duke marrë parasysh këtë, po përçojmë disa rekomandime që do të na ndihmojnë të ecim përpara dhe të përshpejtojmë lëvizjen drejt një ekonomie e cila është miqësore ndaj klimës, mbron dhe rimëkëmb mjediset tona natyrore, shëndetin dhe mirëqenien, dhe nuk lejon që asgjë të shkojë në humbje - në mënyrë të drejtë dhe pa lënë askënd pas:

- Të mbështetet dhe forcohet zbatimi dhe financimi i standardeve dhe politikave ekzistuese mjedisore për të adresuar krizën e klimës, humbjen e biodiversitetit dhe ndotjen e mjedisit. Nëse nuk arrijmë të përparojmë këtu, ne do ti bëjmë sfidat aktuale për klimën dhe krizat e biodiversitetit më të rënda dhe të shtrenjta. Ky çmim do të paguhet nga çdo anëtar i shoqërisë sonë, por do të lërë një gjurmë më të fortë për të varfërit, të disavantazhuarit dhe më të cënueshmit.

- Të investohet më shumë në ngritjen e vetëdijes dhe edukimit në lidhje me të drejtat e njeriut, zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e natyrës, duke forcuar shoqërinë tonë për t'u përballur me sfidat e së ardhmes. Përmes investimeve afatgjata të dedikuara në arsim dhe në ndërgjegjësim, duke përfshirë edhe mbështetjen për organizatat e shoqërisë civile, ne ndërtojmë një shoqëri të drejtë, më tolerante dhe të informuar, të aftë për të adresuar në mënyrë të qartë kërcënimet ndaj mirëqenies tonë, përkatësisht krizën klimatike, humbjen e biodiversitetit dhe përkeqësimin e përgjithshëm të aftësisë së planetit tonë për të mbështetur mënyrën tonë të jetesës.

- Të bëhet e mundur shpërndarja e fondeve stimuluese dhe masave lehtësuese sipas kushteve, në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane dhe Marrëveshjen e Parisit, në mënyrë që të drejtojë transformimin e ekonomisë sonë drejt qëndrueshmërisë. Këto investime duhet të japin përfitime afatgjata për shoqërinë tonë dhe të ndihmojnë që ekonomia jonë të jetë më elastike ndaj goditjeve në rritje. Kjo u mbështet tashmë nga 17 ministra evropianë të klimës dhe mjedisit, të cilët kërkuan që planet e rimëkëmbjes të integrojnë tranzicionin e gjelbër dhe transformimin dixhital. Ne sugjerojmë që edhe Ministria jonë të bëjë të njëjtën gjë.

- Të fillohen nisma të gjera e të qëndrueshme në përputhje me interesin publik. Përveç sigurimit të punësimit të drejtpërdrejtë për ata që preken nga rënia ekonomike dhe ndihmojnë në rimëkëmbjen e ekonomisë, këto nisma duhet të japin përfitime të prekshme dhe të barabarta për mjedisin, siç janë restaurimi i ekosistemeve, uljet e drejtpërdrejta të emetimeve, efikasiteti i energjisë dhe dekarbonizimi.

- Të sigurohet mbështetje për organizatat (lokale) të shoqërisë civile që kanë shtrirje të gjerë në ofrimin e shërbimeve me bazë në komunitet, duke punuar drejtpërdrejtë me grupet më të cënueshme. Përveç zhvillimit të programeve të reja në këtë drejtim, duhet të vazhdojnë të jenë plotësisht të disponueshme fondet tashmë të alokuara për mbështetjen e OShC-ve për të vazhduar punën e tyre. Disbursimi i këtyre fondeve do të jetë i dobishëm për të mbështetur zhvillimin e hapësirës qytetare, si dhe funksionimin e organizatave të shoqërisë civile që mund të jenë partnere të fuqishme në bashkëkrijimin e zgjidhjeve për të lehtësuar ndikimet e krizave.

Organizatat tona janë të gatshme të punojnë me ju për të siguruar që përkundër këtyre sfidave, ne të vazhdojmë në rrugën e një tranzicioni të drejtë e të barabartë drejt një shoqërie vërtetë të qëndrueshme, ku askush nuk mbetet pas.

Sinqerisht,

World Wide Fund for Nature, WWF Adria 

e mbështetur nga organizatat shqiptare:

EcoVolis

Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri, INCA

Milieukontakt Shqipëri

Qëndra Burimore e Mjedisit në Shqipëri, REC Albania

Qëndra e Informacionit Aarhus Shkodër, AIC Shkodra

Qëndra Mjedisore për Zhvillim, Edukim dhe Rrjetëzim, EDEN

Qëndra për Mbrojtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri, EcoAlbania

Shoqata e Bujqësisë Organike, SHBO

Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri, PPNEA

Shoqata për Mbrojtjen e Alpeve Shqiptare, TOKA

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.