Aktiviteti njerëzor


Ligji i ri për pyjet/ Prerja e paligjshme konsiderohet krim dhe dënohet

Ligji i ri për pyjet, i cili e konsideron prerjen e drurëve pyjorë vepër penale që dënohet me heqje lirie, kërkon masat e duhura, fillimisht duke sensibilizuar banorët që të bëjnë kujdes, pasi një dru i prerë do të thotë krim, për të cilin nuk gjobitesh, por dënohesh.

Në këtë kuadër kryebashkiaku i Pukës, Gjon Gjonaj zhvilloi një takim me drejtues dhe punonjës të sektorit të pyjeve në bashki, të cilët tani e tutje kanë të gjithë kompetencat dhe përgjegjësit për mbrojtjen dhe menaxhimin e masiveve pyjore.

Kryetari i bashkisë, Gjonaj pas njohjes me ligjin e ri, i bëri të ditur stafit të sektorit pyjor, se tani e tutje pesha e përgjegjësisë do të bjerë mbi ta, nëse konstatohen dëme, autorët e të cilëve nuk dihen.

“Çdo inspektor pyjor do të jetë përballë akuzës për shpërdorim detyre nëse do të ndodhë që pyjet të priten jashtë kritereve që përcakton ligji”, – tha Gjonaj.

Një muaj kohë do të ketë Sektori Pyjor për të treguar respektimin e ligjit, tha ai, duke shtuar se do të nisin masat që nga kërkesa për dorëheqjen e kreut të Sektorit Pyjor.

Kryebashkiaku Gjonaj teksa i premtoi mbështetje inspektorëve në zbatimin e ligjit të ri, u premtoi atyre mbështetje duke u bërë të ditur se askush nga dëmtuesit e pyjeve nuk do të ishte me imunitet, apo i mbrojtur.

“Kemi bërë organizimin e sektorit pyjor, me personat përgjegjës dhe në kushtet e  zhvillimit të ekonomisë, masat rehabilituese për ruajtjen edhe menaxhimin e pyjeve kërkojnë të jemi të përgjegjshëm. Ligji i kompletuar që përcakton fashën e punës dhe përgjegjësinë e çdo inspektori apo inxhinieri, të cilët duhet të mbajnë procesverbal mbi gjendjen aktuale të parcelave pyjore dhe në zonat e dëmtuara pa autorë, është përgjegjësi e vetë personave, të përcaktuar për kujdesin në këto zona”, – tha Gjonaj.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.