Aktiviteti njerëzor


Gazeta britanike “The Independent” shkruan mbi tregëtinë e specieve të faunës së egër në Shqipëri

Restorantet në Shqipëri ofrojnë mish nga gjuetia e arinjve në mënyrë të paligjshme - pjesë e një tregtie të paligjshme të jetës së egër që është "jashtë kontrollit", shkruhet në gazetë.

Ekspertët kanë deklaruar se për ta ka qenë hera e parë që shihnin mish ariu të gatuar në Evropë, dhe paralajmëruan se mishi i papërpunuar i kafshëve mund të çojë në shpërthim të sëmundjeve zoonotike siç ishte rasti i koronavirusit.

Organizata FOUR PAWS ka evidentuar arinj, ujqër, shqiponja, majmunë të cilët shiteshin publikisht në rrjetet sociale.

FOUR PAWS, një organizatë globale për mirëqenien e kafshëve, zbuloi fakte tronditëse në disa hulumtime të fundit në Shqipëri. Fauna e egër, e mbrojtur me ligj dhe madje pjesë e listës së kuqe të specieve të rrezikuara, siç janë arinjtë e murrmë, ujqërit, shqiponjat, skifterët, apo edhe kafshë ekzotike siç janë majmunët, ofrohen për shitje online, në kundërshtim flagrant me legjislacionin në fuqi, i cili, me ndryshimet e kodit penal të tetorit 2019, parashikon deri në burgim për krimin mjedisor.

Blerësit janë kryesisht individë privatë dhe pronarë lokalesh që abuzojnë me këto kafshë duke i ekspozuar në mënyrë të paligjshme si atraksione për klientët. Për më tepër, janë evidentuar restorante që në menutë e tyre kanë listuar haptazi pjata të përgatitura me mish të egër, përfshirë mishin e ariut.

Një restorant në Drilon është kapur teksa reklamonte mishin e ariut në menunë e tyre në Facebook. Emërtimi, "mish ariu" - "në sezone", që do të thotë "sipas sezonit".

Një përfaqësues nga “Mbrojtja dhe Ruajtja e Mjedisit Natyror në Shqipëri” (PPNEA), tha: "Ajo që është veçanërisht alarmante në këtë rast nuk është vetëm fakti që mishi i ariut po shitet, por është edhe shtimi në kllapa në menu "në sezone ", që jep përshtypja se ka një sezon gjuetie për arinjtë.

"Në fakt nuk ka sezon të gjuetisë për ndonjë kafshë të egër në Shqipëri, ekziston një moratorium gjuetie dhe ndalim gjuetie për vite me rradhë në të gjithë vendin – i cili kaloi në 2014 dhe u zgjat në 2016 deri në Mars të vitit 2021.”

FOUR PAWS, ka qenë mjaft aktive në Shqipëri që në vitin 2015 dhe ka ndërmarrë një sërë aksionesh për shpëtimin e kafshëve të robëruara, sensibilizimin e opinionit publik, ngritjen e kapaciteteve lokale, etj. Në maj të vitit 2020, FOUR PAWS bëri një kërkim të thelluar në tregun shqiptar online, duke u përqëndruar në speciet e mbrojtura. Kërkimi u përqëndrua në disa nga portalet më të mëdha të shitblerjeve online. Përveç kafshëve ekzotike, siç janë majmunët, dhjetëra reklama për shitjen e arinjve të murrmë, ujqërve, dhelprave, shqiponjave, etj. u gjetën aktive, një pjesë e të cilave të vendosura kohëve të fundit.

Megjithëse ligjërisht platformat e shitblerjeve online kanë përgjegjësi penale pasi lehtësojnë zhvillimin e një aktiviteti të paligjshëm, shumë nga këto reklama janë akoma në internet. Por problemi kryesor është se ka një mungesë të plotë kontrolli nga organet shtetërore. Shitësit mund të ofrojnë hapur, online, kafshë të egra të rrezikuara – të pashqetësuar dhe me sa duket pa ndonjë pasojë.

FOUR PAWS, gjatë punës disa vjeçare në Shqipëri, ka hasur shpesh në restorante që mbajnë arinj në kafaze për tërheqjen e turistëve, por rastet e restoranteve të përmendura nga PPNEA përbëjnë një tregues se gjuetia dhe tregtia e kafshëve të egra në Shqipëri është jashtë kontrollit. “Nëse qeveria nuk do të ndërhyjë shpejt dhe me vendosmëri, ato pak kafshë të egra të mbetura do të jenë histori”, shprehet Barbara van Genne, përgjegjëse e departamentit të shpëtimit të kafshëve të egra pranë FOUR PAWS, duke shtuar: “Fatkeqësisht, një shembull i trishtë është shqiponja e malit – simboli kombëtar shqiptar. Në vitet 1990, në Shqipëri kishte akoma rreth 200 çifte shqiponjash, ndërsa sot më pak se gjysma e tyre mund të gjenden në natyrë. Megjithatë, janë me dhjetëra reklamat e shitjes online të tyre”.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.