Të tjera


Furnizimi me energji/ Remont në agregatin numër 1 në HEC-in e Komanit

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare vijon masat për garantimin e furnizimit me energji në prag të dimrit. Bëhet fjalë për investime dhe ndërhyrje të planifikuara, që bëhen në HEC-et e kaskadës së Drinit, si masa sigurie për stinën e dimrit.

Në Hidrocentralin e Komanit po vijon remonti në agregatin nr.1.”Teknikët e mirëmbajtjes bën uljen e portave në biefin e poshtëm dhe hapjen e valvulave dranazhuese të ujit për tharjen e plotë të dhomës spirale dhe konit të tubit thithës për kontrollin vizual të rrotës së punës, gominës hermetizuese dhe farfallës së droselit”, bën të ditur KESH.

Komani është hidrocentrali i dytë dhe më i fuqishëm i kaskadës së lumit Drin. Për nga fuqia e instaluar, pozicioni dhe vëllimi i rezervuarit, ky HEC luan rol kyç për prodhimin dhe shfrytëzimin e të gjithë kaskadës. Komani është hidrocentrali me kapacitetin më të madh të prodhimit të energjisë në vendin tonë.

Hidrocentrali i Komanit është i tipit me digë dhe rezervuar. Diga është e tipit me mbushje me gurë dhe ekran betonarme. Diga është 133m e lartë dhe 290 m e gjatë. Diga e Komanit, është ndër 10 digat më të larta të këtij lloji në Europë. Diga ka një volum total prej 5 milion m3. Diga ka krijuar një rezervuar jo shumë të madh, prej 500 milion m3 ujë, ndërsa vëllimi i dobishëm i tij është 90 milion m3 ujë(kuota; 169- 176).

Punimet për ndërtimin e tij nisën në vitin 1980. Në 1985-ën filloi punën turbina e parë. Me kapacitet të plotë centrali u vu në punë në vitin 1988.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.