Aktiviteti njerëzor


Mirëmbajtja e monumenteve të kulturës, aksion pastrimi në kalanë e Ali Pashës në Butrint

Në kuadër të programit të mirëmbajtjes së monumenteve, Parku Kombëtar i Butrintit realizoi ditët e fundit mirëmbajtjen e kalasë së Ali Pashës në grykëderdhje të kanalit të Vivarit.

Puna e specialistëve të mirëmbajtjes u përqendrua në pastrimin e vegjetacionit në strukturat e monumentit dhe pastrimin e rrugëkalimeve për të krijuar lehtësi në vizitueshmërinë e saj.

“Kujdesi dhe mirëmbajtja për monumentet dhe mjedisin përreth është pjesë e rëndësishme e punës sonë të përditshme. Por kujdesi dhe ndërgjegjësimi duhet të jetë nga të gjithë ne, për të mbrojtur dhe promovuar këto pasuri të veçanta të trashëgimisë tonë kulturore”, thekson Parku Kombëtar i Butrintit.

Kjo kala është ndërtuar rreth viteve 1807–1808, për të ndaluar zbarkimin e ushtrive franceze të Korfuzit. Kështjella ka përmasa 20 x 30 m, me katër kulla të vendosura në qoshet. Dy kullat e drejtuara nga deti kanë planimetri rrethore, ndërsa dy të tjerat, në anë të kundërt janë katërkëndëshe. Midis këtyre të fundit ndodhet edhe porta kryesore e kështjellës.

Një portë tjetër më e ngushtë është hapur në mesin e murit verior, në drejtim të bregut të kanalit. Mënyra e mbrojtjes së kësaj porte të tërheq vëmendjen në mënyrë të veçantë. Përveç dy kullave, që e mbronin nga ana e jashtme, ajo ka dhe një sistem të brendshëm fortifikimi.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.