Të tjera


Urat e paligjshme me inerte në plazhet e Adriatikut rrezik për mjedisin

Mbi 15 ura me masive gurësh janë ndërtuar vitet e fundit në bregdetin mes Malit të Robit dhe fshatit Qerret, e cila njihet prej kohësh si zona e fshatrave turistike pranë Kavajës.

Megjithëse, ende askush nuk di të thotë saktësisht se cili është funksioni i tyre, ndërtimi i urave me gurë brenda në det vijon pa ndërprerje dhe fenomeni ka përfshirë edhe plazhe të tjerë në jug dhe në veri të qytetit të Durrësit.

Tomorr Spahiu, inxhinier specialist për ndërtimin e porteve, tha për BIRN, se këto pontile janë ngritur pa asnjë studim paraprak dhe sipas ndërtuesve, ato synojnë të shmangin rrezikun e erozionit detar.

Ing. Spahiu shton se urat prej gurësh të mëdhenj që nxirren nga guroret në qarkun e Durrësit, dhe që kanë një gjatësi deri në 50-60 metra janë ndërtuar vertikalisht me bregdetin, por mundësitë për ta ruajtur në mënyrë të pandryshuar raportin e detit me bregun janë shumë të vogla.

Sipas specialistit me përvojë, problematikat e erozionit në bregdetin tonë janë krijuar nga gërryerja pa kriter e lumenjve për nxjerrjen e inerteve me qëllim ndërtimi. Kjo situatë e ka lehtësuar erozionin bregdetar në disa zona, duke i alarmuar dhe detyruar investitorët e fshatrave turistikë të kërkojnë zgjidhje afatgjata. Në mjaft raste godinat e pushuesve janë ndërtuar jo larg detit dhe pontilet me gurë janë gjetur si një mburojë e bregut, i cili nuk mbathet më nga aluvionet e lumenjve si më parë.

Arjan Mema ka gjetur pontile gurësh edhe në plazhet e Shën Pjetrit, 35 kilometra në veri të qytetit. Ai shton se inerte dhe betone pa asnjë funksion gjen edhe në bregdetin e Currilave deri në plazhet e Kallmit.

E njëjta gjendje edhe në plazhin më të hershëm të vendit. Urat me qëllime turistike të viteve ‘80, që më parë shfrytëzoheshin si bare e restorante modeste, tashmë e kanë rritur disa herë sipërfaqen duke u mbathur me gurë dhe betone gjithfarësh.

Sipas prof. Adem Hysenit urat e ngritura në bregdet i shkaktojnë një dëm të madh mjedisor plazheve ku janë ngritur, pasi dallgët i thërrmojnë dhe nxjerrin në sipërfaqe të gjitha mbeturinat e depozituara pranë tyre. Ndërkohë ai thekson se bregdeti Adriatik në vendin tonë është i tipit akumulativ, në të cilin toka fiton ndaj detit. “Por jo gjithmonë ndodh kështu; erozioni detar është edhe këtu i pranishëm, veçanërisht pranë zonave kodrinore dhe në grykëderdhjet e lumenjve,” tha ai.

Plazhet e Rrushkullit, Jubës dhe Hamallajt, pranë grykëderdhjes së Erzenit, apo edhe ato të Vilë Bashtovës më në jug rrezikojnë njëlloj si ato të zonës së fshatrave turistikë në Malin e Robit, pranë Kavajës. Kjo është arsyeja, që sipas inxhinierit numri i urave prej guri vazhdon të rritet, ndërsa zgjidhja duket gjithnjë e më larg./ Reporter.al

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.