Ajri


Nga Dragostunja në Togëz, ankesat e banorëve kundër HEC-ve në vesh të shurdhër. Ekspertët: Duhet moratorium

Në deklaratën mjedisore që mban datën 23.08.2018 për ndërtimin e HEC- Grabova 2 nga një bashkim kompanish, theksohet se në konsultimin me publikun morën pjesë përfaqësues nga komuniteti i zonës, përfaqësues nga pushteti vendor si dhe nga Drejtoria Rajonale e Mjedisit dhe përfaqësues nga studio mjedisore.

Por ndërkohë banorët thonë se dëgjesat nuk janë bërë me banorë të Grabovës së Sipërme, e cila preket nga ndërtimi i HEC-ve, por me banorë të Grabovës së poshtme ose të Gramshit.

Në zonë gjatë kësaj periudhe janë miratuar dy kontrata. Hidrocentrali Grabova 1 me fitues “GR Albania” SH.P.K., “Agna” Sh.A. dhe “Alb – Star” sh.p.k me fuqi instalimi 12.900KW. Kontrata duhet të zbatohej brenda 24 muajve nga viti 2017 dhe koncesioni do të zgjasë 35 vjet.

Një tjetër kontratë që prek më nga afër banorët është kontrata e llojit BOT është fituar nga dy shoqëri, “Vëllezërit Hysa dhe “Hidropower” sh.p.k. Bashkimi i shoqërive ndër të tjera ka fituar edhe një kontratë shtesë koncesioni për 35 milion Kilovatë/orë në vit shtuar kontratës së parë në 2017 duke rritur gjithashtu fuqinë e instalimit nga 8.1 KW në 10.8 MW. Energjia që pritet të prodhojnë HEC-et mbi 35 milion kw/h në vit. Koncesioni është dhënë për një periudhë 35 vjeçare. Sipas kontratës koncensionare, shoqëria ndërtuese do të investojë rreth 1.5 miliardë lekë në ndërtimin e HEC Grabova 2.

Bashkimi i operatorëve, që ka aksionerë vëllezërit Hysa dhe Kapllanaj, ka arritur të nënshkruajë dy shtesa kontrate dhe e fundit mban datën 11.06.2020 me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës të firmosura nga zv. Ministri Ilir Bejtja.

Më shumë se sa korrigjimi i të dhënave për sasinë e prodhimit të energjisë, e cila u riparua në shtesën e parë të kontratës, qëllmi ishte shtyrja e afatit të zbatimit të punimeve, i shkelur tashmë nga kompania. Duke qenë se shtesa e parë e kontratës hynte në fuqi në 22.06.2018, operatori kërkoi më shumë kohë duke u justifikuar me vonesat e shkaktuara nga institucionet për marrjen e lejeve të nevojshme pë realizimin e kontratës.

Në kontratën shtesë citohen si shkak Bashkia Gramsh për dhënin në përdorim të fondit pyjor, kullosor, vonesë në miratimin e pikës së lidhjes me rrjetin e transmetimit ose të shpërndarjes me OST si dhe vonesat e krijuara për shkak të pandemisë të COVID 19, që sipas kësaj shtese e kanë bërë të pamundur përmbushjen e detyrimeve kontraktuale sipas afatit.

Në vazhdim duke përdorur edhe nene të kontratës së parë të koncesionit, kompania ka arritur të marrë shtesën në afate nëpërmjet nenit 5 ku “Afati 12 muaj nga data e hyrjes në fuqi të kontratës për fillimin e punimeve të zëvendësohet me 12 muaj afat nga hyrja në fuqi e kësaj kontrate shtesë të koncesionit. Po kështu ndryshimet teknike kanë bërë që të shtohet rreth 5 milion kilovat orë në vit nga kontrata e mëparshme.

Banorët e Grabovës së Sipërme në Gramsh u përballën në muajin maj 2021 me njoftimin nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për shpronësimin e tokave në shërbim të ndërtimit të hidrocentralit Grabovë 2.

Kur mendonin se dhënia e lejes për këtë HEC ishte pezulluar, ata mësuan se në 2017 ishte dhënë sërish me koncesion dy kompanive të tjera që ishin bashkuar tashmë në një operator me emrin H.K HEC Grabova 2. Ata kishin refuzuar një dëgjesë me përfaqësues të kompanive tashmë të shpallura fituese të koncesionit dhe menduan se koncesioni nuk ishte miratuar. Banorët do të përballen me shtrimin e tubacionit dhe marrjen e ujit të përrenjve në këtë zonë edhe pse askush prej pjestarëve të rreth 100 familjeve të fshatit nuk ka firmosur për lejimin e ndërtimit. Me ndërtimin e HEC-ve kompanitë fusin në tubacione tre përrenjtë që furnizojnë me ujë Grabovën e Sipërme. Për të kundërshtuar ndërtimin kanë hartuar edhe një peticion të cilin ia kanë nisur institucioneve të Presidentit, Kryeministrit, dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Po kështu janë duke përgatitur një padi që do ta depozitojnë në Gjykatën Administrative si dhe një denoncim në SPAK për shkeljet në marrjen e lejes së vlerësimit të ndikimit në mjedis.

Kompania H.K HEC GRABOVA 2” SHPK në përgjigje të kërkesës sonë për nëse ka kryer konsultime me publikun, siç parashikon ligji, thotë se janë njoftuar të gjithë banorët e Grabovës së Poshtme dhe Grabovës së Sipërme, që prek ndërtimi i HEC-it. “Njoftimi për dëgjesat ka qenë për të gjithë banorët që preken nga ky projekt dhe pjesëarrës në to kanë qenë ata që kanë dashur të marrin pjesë. Pjesëmarrës në këto dëgjesa kanë qenë edhe përfaqësues të institucioneve që ligji ua detyron pjesëmarrjen”, sqaron kompania.

Kompania sjell në vëmendje ekzistencën e një HEC-iqë shfrytëzon këto ujëra (HEC funksional nga koha e komunizmit, por qe sipas banoreve nuk shfrytëzpm ujërat e përrenjve të Grabovës), HEC që sipas saj nuk ka sjellë dëme për banorët. Ajo thekson se kontrata ka kushte penalizuese nëse shkelet edhe sa i përket shfrytëzimit të ujit duke konfirmuar se HEC-i nuk do të shfrytëzojë ujin gjatë periudhës së vaditjes.

Sa i përket vonesave për zbatimin e kontratës, kompania sqaron se kjo ka ardhur edhe nga urdhëri i Ministrisë së Energjitikës Nr. 48 datë 30.01.2019 “Për verifikimin në zbatim të kontratave konçesionare dhe proçedurave objekt i Vendimit të Këshillit të Ministrave.

Grabova jeton me ujin e burimeve. I gjithë aktiviteti është i lidhur me ujin. Në këtë zonë ekzistojnë edhe urat shekullore që tregojnë se uji gjithmonë ka qarkulluar në këtë zonë, por me ndërtimin e HEC-ve banorët thonë se gjithçka do të thahet..

Të shqetësuar për fatin e të gjithë zonës, ata thonë se shembujt se si janë tharë të gjithë zonat pas ndërtimit të HEC-ve janë të shumtë. Isli Paço thotë se ata do të bëjnë të gjitha përpjekjet dhe nuk dorëzohen. “Ne i bëjmë thirrje që të mos arrijmë deri në ekstrem se po qe se vazhdojnë ne do arrijmë deri atje sa kryeplaku do të dorëzojë vulën dhe ne nuk do qasim asnjë pushtetar, si pushtetar qendror si vendor, polici e çdo gjë, neve nuk do t’i qasim këtu fare”, paralajmëron ai.

Të vendosur në rezistencën e tyre banorët e Grabovës janë duke përgatitur një padi në Gjykatën Administrative si dhe kërkojnë ndërhyrjen e SPAK për hetimin e lejes së ndikimit në mjedis që i është dhënë kompanisë nga Ministria e Mjedisit nëpërmjet zv. Ministrit Ilir Bejtja. Ata pretendojnë që HEC-et të mos ndërtohen, pasi nëse do të ndodhë një gjë e tillë fati i florës, faunës dhe sidomos i jetës së tyre është i paracaktuar.

Ndërkohë që HEC Grabovë sapo ka filluar nga ndërtimi, me pasojat e mosrespektimit të lejeve mjedisore dhe kontratave për ndërtimin HEC-ve po përballen çdo ditë banorët e disa zonave në Librazhd. Edhe pse ata kanë reaguar në shumë raste për shkelje nga ana e kompanive për kushtet e kontratës si dhe dëmet që i janë shkaktuar atyre, rezultati nuk ka qenë pozitiv. E vetmja praktikë e plotë kundër një kompanie për dëmshpërblim të banorëve vazhdon të jetë në proces gjyqësor.

Në vitin 2014 njësia Qendër në Librazhd si dhe një përfaqësi e banorëve të fshatit Togës nënshkruan një akt marrëveshje me kompanisë C& S Energy pas shqetësimeve të vazhdueshme që ata kishin ngritur për pasojat e ndërtimit të HEC-ve.

Ndër pikat e marrëveshjes “ishte zgjidhja e shpërthimit të minave gjatë punimeve, dëmshpërblimi i pasojave nga shpërthimet në shtëpitë e banorëve. Zgjidhja e problemit të burimit të ujit të pijshëm të lagjes së fshatit Togës duke marrë përsipër ndërtimin e puseve për familjet që do të kenë ndotje të ujit”.

Propozimet e fshatit Togës ishin: “ndërtimi i urës varëse të fshatit, ndërtimin e një rruge tek varrezat e fshatit, investim në përmirësimin e sistemit të vaditjes”. Kjo marrëveshje mbeti në letër pasi vetë kompania nuk bëri ndërhyrje dhe 4 vjet më vonë nëpërmjet një koërkese banorët iu drejtuan bashkisë Librazhd për rrezikun e dëmtimit të urës si shkak i ndërtimit të HEC-it të shoqëruar nga firmat e banorëve.

Bashkia Librazhd i është drejtuar në mars 2018 kompanisë C& S Energy, pronë e kishës ortodokse me një kërkesë dëmshpërblimi pasi grupi i punës i ngritur nga bashkia konstatoi dëmtime të urës si pasojë e ndryshimit të drejtimit të rrjedhës së lirë të lumit si pasojë e ndërtimit të HEC-it duke u bazuar edhe tek kushtet e kontratës. Bashkia ka përmendur edhe marrëveshjen që kompania dhe njësia administrative ka nënshkruar një aktmarrëveshje. Sipas përllogaritjes vlera e dëmit arrin në 11 milion lekë. Rreth dy javë më pas kompania kthen përgjigje duke icilësuar pretendimet e bashkisë dhe banorëve të pambështetura dhe të papranueshme.

Banorët e 6 fshatrave në Orenjë iu drejtuan bashkisë me një peticion një vit më parë duke kërkuar zgjerimin dhe riparimin e rrugës. Ata kanë paralajmëruar edhe bllokimin e punimeve të HEC-it nëse firma nuk do të marrë përsipër kërkesën e tyre.

Bashkia Librazhd nisur nga ky peticion iu drejtua kompanisë ERDY Energy për të kontribuar për ndërhyrjen e riparimit të rrugës së fshatrave Orenjë, Gurakuq dhe Floq dhe nga vetë kompania për ndërtimin e HEC-it. “Me të drejtë komuniteti kërkon këtë ndërhyrje pasi rruga ka amortizim të madh”, thotë bashkia në shkresën e saj duke bashkëngjitur kërkesën e banorëve, por nuk mori një përgjigje për këtë kërkesë.

Në disa raste banorët iu drejtuan edhe institucionit të Presidentit duke kërkuar ndërhyrjen e tij për shqetësimet e tyre. Zeqir Dosku nga fshati Dragostunjë iu drejtua Presidentit në mars të këtij viti me shqetësimin për dëmtimin e ujit të pijshëm nga kompania e ndërtimit të HEC-it në këtë zonë. Pak ditë më vonë ai mori një përgjigje që shkresa e tij është duke u vlerësuar nga ana e institucionit të Presidentit si dhe adresimi i saj, por çështja nuk mori një zgjidhje.

Banorët kanë bërë ankesa të vazhdueshme për pasojat që po i shkaktojnë HEC-et e ndërtuara apo në ndërtim. Refat Korra po nga Dragostunja thotë pasojat e HEC-eve janë të shumëfishta, ndërsa ndërtimi i rrugëve brenda parkut kombëtar ka shkatërruar mjedisin dhe një sipërfaqe të madhe pyjore të mbjellë me arra.

Mungesa e ujit duket se është problemi më i hasur nga komunitetet lokale pas ndërtimit të HEC-eve. Në fshatin Kuturman të zonës së Çermenikës, Nazmi Kurti është pronar i një mulliri bloje buzë lumit të Orenjës që mbulonte prej vitesh nevojat e 20 fshatrave të kësaj zone. Por mulliri ka dalë tashmë jashtë funksionit dhe Kurti fajëson për këtë rrëmbimin e ujit nga njëri prej HEC-eve të zonës.

Koncesioni për ndërtimin e një rrjeti hidrocentralesh në këtë zonë është firmosur që prej vitit 2008, por që ka nisur zbatimin disa vite më vonë. Kurti thotë se në fillim e kishin siguruar që HEC-et nuk do të shkaktonin probleme për mullirin, por premtimi sipas tij është shkelur me të dyja këmbët. “U bë diga dhe ata kanë lejuar vetëm 47 cm ujë për mjedisin, duke mos llogaritur fare nevojat tona. Ne jemi 3 km larg digës dhe kur vjen uji këtu, është i pamjaftueshëm duke nxjerrë jashtë funksioni mullirin e bluarjes për 20 fshatra të zonës së Çermenikës”, tha Kurti.

Njësoj si në Dragostunjë, banorët e fshatit Kuturman ankohen se tanimë nuk kanë ujë të mjaftueshëm për të vaditur arat dhe për bagëtitë. Edhe pse i janë drejtuar institucionit vendor me një ankesë konkrete, nuk kanë marrë ndonjë përgjigje shpresëdhënëse.

Një kërkese për informacion AKBN që duhet të monitorojë zbatimin e kontratave të koncesionit deklaroi se nuk ishte ajo që monitoronte, por një insitucion tjetër. “Ne monitorojmë vetëm anën teknike dhe është autoriteti i Kontratave Koncesionare. Drejtoria e monitorimit të HEC-eve në AKBN nuk ka kompetencë të marrë masa për mospërputhjen e detyrimeve kontraktuale nga ana e shoqërive koncesionare. Është autoriteti kontraktor (në këtë rast Ministria e Infrastruktirës dhe Energjitikës), që duhet të marrë masa pas raporteve që i dërgohen nga ky institucion”, thuhet në përgjigjen dërguar nga AKBN.

Deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka një masë të marrë ndaj kompanive të HEC-ve pavarësisht ankesave të komunitetit ku janë ndërtuar.

Eksperti i mjedisit: Duhet një moratorium për HEC-t derisa shteti të funksionojë

Situata pas ndërtimit të HEC-eve në zonën e Gramshit dhe Librazhdit duket se nuk ka një zgjidhje të kënaqshme për të gjithë komponentët. Eksperti i Mjedisit, drejtues i Klubit Ekologjik Elbasan, Ahmet Mehmeti thotë se të gjithë organizmat mjedisorë janë dakord dhe mbështesin përdorimin e energjisë së ujit si një energji e pastër, por parë kjo në situatën shqiptare krijon probleme të mëdha sa i përket abuzimit dhe dëmeve që shkaktojnë nga mungesa e kontrollit dhe zbatimit të ligjeve. “Duhen shfrytëzuar ato burime ujore që nuk dëmtojnë ekosistemin, nuk dëmtojnë ekonominë e fshatarëve duke i marrë ujin e pijshëm, për vaditje apo për një jetë normale të tyre. Ajo që ka ndodhur në të vërtetë me ndërtimin e këtyre HEC-eve është dëmtimi i rëndë i mjedisit, si dhe një e keqe e madhe që shton varfërinë dhe braktisjen nga ana e banorëve të këtyre zonave”.

Mehmeti propozon si zgjidhje një ndalesë totale të dhënies së lejeve dhe një ngrirje për lejet që ende nuk janë zbatuar.

Nga të dhënat e grumbulluara  rezulton se nga viti 2007 deri në fund të vitit 2017, qeveritë e drejtuara fillimisht nga Partia Demokratike dhe më pas nga Partia Socialiste firmosën të paktën 35 kontrata koncesionare për ndërtimin e mbi 84 hidrocentraleve të vegjël për prodhimin e energjisë elektrike, pothuajse në çdo lumë dhe përrua të zonës.

Mbi 82% e kontratave koncesionare bien në territorin e Bashkisë së Librazhdit, ndërkohë që 7 prej hidrocentraleve janë ndërtuar tashmë brenda zonës së mbrojtur të parkut kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Por duket se kontratat nuk kanë të ndaluar pavarësisht premtimit të qeverisjes socialiste se pas ardhjes së saj në pushtet nuk do të nënshkruheshin më të tilla.

Kontrata e Grabovës është një prej shembujve se koncesionet vazhdojnë dhe dëmet ndaj mjedisit po ashtu në mungesë të një monitorimi dhe pasojash konkrete për kompanitë që shkelin lejet mjedisore dhe kontratat e koncesionit./ ACQJ.al

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.