Të tjera


Shkodër: Rruga e amortizuar dhe mungesa e shërbimeve i shtyn banorët drejt braktisjes së fshatit Linaj

Vargjet e Migjenit në “Kangët e Mjerimit”, do ta përshkruanin fare mirë me panoramën që të ofron kjo zonë. Edhe pse jemi në vitin 2021 mjerimi, varfëria dhe harresa janë aktualiteti 30 vjeçar i këtij fshati të lënë në mëshirë të fatit.

Banorët tregojnë se prej vitesh nuk kanë parë asnjë investim, përveç premtimeve të shumta në kohë fushate elektorale.

Zoge Ramadani, banore në këtë fshat tregon se disa herë i është bërë thirrje bashkisë për amortizimin e aksit rrugor, por edhe për mungesën e ujit të pijshëm, por thotë se këto thirrje kanë rënë në vesh të shurdhët. Ramadani tregon për Citizens Channel se pikërisht nga këto probleme, të rinjtë kanë zgjedhur të migrojnë drejt qyteteve të tjera.

“Kanë qenë më mijëra shtëpi dhe vetëm prej kësaj rruge janë largu. Kam pasur rreth 30 të afërm të mi, kemi ngel vetëm 7” -tregon Zoge Ramadani.

Ndërsa, Skënder Kurtaj tregoj për Citizens Channel se varfëria është ulur këmbëkryq në këtë fshat dhe jetesa është mjaft e vështirë.

“Unë merrem me kultivimin e duhanit dhe bagëti, por nuk na mbështet askush për të bërë një biznes të vogël në këtë zonë. Gjithë dimrin marrim borxh dhe vera na shkon duke larë borxhin nga prodhimi që shesim. Gjithë këto probleme vijnë nga mungesa e vëmendjes së bashkisë, se këtu mund të vinin edhe turistë pasi ajri është i pastër dhe prodhimet janë bio” – shprehet Skënder Kurtaj.

“Shkolla që po braktiset nga fëmijët”

Ndërkohë, një problem shqetësues është edhe shkolla Linaj, e cila vuan mungesën e investimeve. E ndodhur rrëzë malit, me asnjë banesë përreth. 20 fëmijët që marrin mësim aty, përballen me kushte aspak të përshtatshme për një shkollë.

Mësuesja Mimoza Rexhvelaj tregon për Citizens Channel se shkolla është e amortizuar prej vitesh, ndërsa askush nuk është interesuar për këtë problem. Nga ana tjetër, ajo na tregon edhe sakrificën e fëmijëve që çdo ditë ecin rreth 45 minuta në këmbë për të mbërritur tek shkolla.

“Në këtë shkollë jap mësim që prej vitit 2015 dhe janë po të njëjtat kushte të mjerueshme përgjatë gjithë këtyre viteve. Kjo shkollë nuk ka pasur asnjëherë investime, por thjesht mirëmbajtje të vogla. Janë riparuar xhama të thyer nga I ftohti dhe kushtet atmosferike, por mungojnë kornizat e dritareve, të cilat nuk janë parë të nevojshme të vendosen nga institucionet arsimore’’ – shprehet mësuese Mimoza.

Rexhvelaj tregon se ngrohja e klasave bëhet me gaz, por këto pajisje janë po aq të amortizuara sa vetë godina, duke vënë në rrezik sigurinë e nxënësve.

Përveç të tjerash, Mimoza shprehet se në këtë shkollë nuk ka pastruese edhe as mjete pastrimi, ku mësuesit përveç dhënies së dijenisë kthehen në pastrues të klasave ku japim mësim.

“Një dryn në portën e qendrës shëndetësore”

Dera e mbyllur e qendrës shëndetësore të fshatit

Përsa i përket qendrës shëndetësore, ajo nuk kryen asnjë funksion pavarësisht se institucioni i shëndetit publik dhe bashkia kanë investuar në godinën e re.

Kjo qendër shëndetësore rri gjatë gjithë kohës  e mbyllur, sepse mungon mjeku për t’u dhënë shërbim banorëve të zonës, të cilët detyrohen të udhëtojnë në qytetin e Koplikut apo të Shkodrës për të marrë konsultat e mjekësore, e në rastet më të vështira kur mjeku nuk është prezent ata detyrohen të paguajnë kosto ekstra për transportimin e familjarëve të tyre drejt spitaleve të  qytetit.

Në lidhje më këto problematikat e fshatit Linaj, Citizens Channel kontaktoi me kryetarin e Bashkisë të Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, ky i fundit duket se nuk është njohur asnjëherë me realitetin e kësaj zone. Projektet e tij në letra tregonin se gjithçka ishte në rregull dhe topi u kalohej sa banorëve ashtu edhe institucioneve të tjera.

“Sa i takon ujit të pijshëm nuk e di të ketë probleme të tilla, e di që linjat janë vjetruar, por deri tani askush nuk është ankuar për ujë. Kurse, shkolla sipas dijenisë time është riparuar dhe është përgjegjësi e drejtorit ajo. Për sa i përket qendrës shëndetësore në këtë fshat, ekziston por nuk është funksionale. Kanë qenë dy mjekë, por tani ka ngel një infermiere dhe nuk është e përditshme’’- shprehet kryetari Tonin Marinaj.

Mes mjerimit, braktisjes dhe shpopullimit banorët e mbetur në fshatin Linaj duket se do të presin premtimet e radha të fushatës elektorale./ Citizens Channel


Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.