Aktiviteti njerëzor


A ka leverdi të ndërtosh HEC-e në Vjosë?

Një studim austriak zbulon efektin shkatërrues të sedimenteve të larta .

“Për shkak të ritmeve të larta të transportit të sedimenteve të Vjosës, mostrat tregojnë një humbje vjetore të rezervuarit prej rreth 2% në rastin e Kalivaç-it dhe më shumë se 2% në rastin e Poçem-it. Kjo redukton ndjeshëm prodhimin e energjisë duke filluar nga viti i parë i operimit “

“Ndërtimi i digave në këtë lumë specifik dhe sidomos në këtë seksion të sistemit lumor (zonë e madhe ujëmbledhëse dhe ngarkesa të larta sedimenti) është një koncept ‘problematik’ për sa i përket prodhimit të energjisë dhe përfitueshmërisë”

Institucionet shtetërore dhe kompanitë koncesionare po avancojnë me projektet për ndërtimin e dy hidrocentraleve në lumin Vjosë, por një studim 2-vjeçar i realizuar nga Universiteti i Burimeve Natyrore të Vjenës, në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës arrin në përfundimin se në 30-60 vite rezervuari i tyre do të mbushet me sedimente, çka do të ulë prodhimin e energjisë si dhe do kërkojë kosto të larta financiare për mirëmbajten e digave. Kjo kohë përkon pikërisht me mbarimin e kontratave koncesionare dhe me transferimin e veprave për shtetin shqiptar, duke trashëguar 2 vepra energjetike “problematike”.

Kalivaçi dhe Poçemi

Në datën 13 qershor 2018, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi se ka përmbyllur negocimin dhe nënshkruar kontratën koncesionare me subjektin fitues të garës për ndërtimin, operimin dhe transferimin e hidrocentralit të Kalivaçit. Shpallja e kompanisë fituese në këtë garë u krye në fund të muajit Tetor 2017 dhe gjatë këtyre muajve, sipas MIE “u krye negocimi i termave të kontratës”. Konsorciumi fitues Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive ‘Ayen Enerji’ dhe ‘Fusha’ shpk parashikohet të kryejë një investim në vlerë të përgjithshme prej 125,287,800 Euro. Fuqia e instaluar e përcaktuar me prurjen llogaritëse do të jetë 111 MË, prodhimi vjetor i energjisë elektrike mbi 366 milion kilovat/orë, ndërsa koha e zbatimit të punimeve për realizimin e veprës 30 muaj. Përmbyllja e procedurës, sipas ministrisë  “i hap rrugën konkretizimit të një prej veprave më të rëndësishme hidroenergjetike në vend, e lënë pezull prej shumë vitesh”. Por, mesa duket ky nuk do të jetë akti final për këtë vepër, historia e së cilës ka nisur rreth 22 vite më parë, kohë kur  një vendim qeverie, që mbante firmën e kryeministrit të kohës, Bashkim Fino, parashikonte që ndërtimi, operimi e më pas transferimi do të kryhej nga kompania italiane BEG SpA, në pronësi të biznesmenit Francesco Bechetti.

Por, organizata mjedisore, që prej vitesh kundërshtojnë ndërtimin e e HEC-eve mbi lumit Vjosë për shkak të vlerave të larta natyrore që ai paraqet, pritet t’i drejtohen gjykatës për kundërshtimin e kontratës së lidhur. Një praktikë e ngjashme është ndjekur edhe për hidrocentralin e Poçemit, ku banorët e zonës dhe organizata EcoAlbania çuan çështjen në gjykatë, duke arritur edhe një vendim pro tyre në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë. Aktualisht, avancimi për ndërtimin e këtij hidrocentrali është pezulluar, pasi palët kanë apeluar vendimin. Në fakt, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore në vitin 2015, kryeministri Edi Rama pati premtuar se do t’i pezullonte këto projekte dhe se lugina e Vjosës do të kthehej në zonë të mbrojtur mjedisore. Megjithatë, vetëm 1 muaj pas zgjedhjeve në 29 korrik 2015, Këshilli i Ministrave miratoi një bonus prej 8 pikësh për kompaninë turke “Çinar San,” në procedurën e dhënies me koncesion të pakërkuar të hidrocentralit të Poçemit. Në Shkurt 2016, Ministria e Energjisë hapi një tender duke ftuar oferta për ndërtimin e hidrocentralit në kuotën 70 metra mbi nivelin e detit. Dy muaj më vonë me 14 Prill 2016, bashkimi i kompanive turke “Çinar San” dhe “Ayen Energji,” u shpallën fitues të koncesionit pasi ishin pjesëmarrësi i vetëm në tender.  Në 9 Shtator 2016, për qëllimin e ndërtimit të HEC-it, u themelua kompania Kovlu Energji, në të cilën “Çinar San” zotëron 80 % të aksioneve dhe “Ayen Energji” 20 %.

Studimi i austriakëve

Në datën 14 maj, shkencëtarët nga 2 universitetet prezantuan  në Tiranë gjetjet e vlerësimit dy vjeçar të sedimenteve në lumin Vjosa, ku ndër të tjera treguan se si projektet e planifikuara të hidrocentraleve në Poçem dhe Kalivaç do të ndikonin në rrjedhën natyrore të sedimenteve që aktualisht transportohen në bregdet nga lumi Vjosë. Rezultatet e studimit vlerësojnë se rezervuarët do të mbushen brenda një periudhe maksimale prej 30-60 viteve. “Për shkak të ritmeve të larta të transportit të sedimenteve të Vjosës, mostrat tregojnë një humbje vjetore të rezervuarit prej rreth 2% në rastin e Kalivaç-it dhe më shumë se 2% në rastin e Poçem-it. Kjo është më shumë se dyfishi i mesatares globale të humbjeve të akumuluara vjetore, gjë që redukton ndjeshëm prodhimin e energjisë duke filluar nga viti i parë i operimit”, tha Christoph Hauer nga Universiteti i Burimeve Natyrore në Vjenë. Rrjedhimisht, pritet të ketë kosto shumë të larta ekonomike për menaxhimin dhe trajtimin e sedimenteve, me qëllim që të shmangen probleme të rënda teknike.

Nga ana tjetër mungesa e transportit të sedimenteve do të çojë në fragmentarizmin e shtratit të lumit në rrjedhën e poshtme, duke ndikuar në nivelet e ujërave nëntokësore dhe do të shkaktojë erozion bregdetar si dhe humbje të biodiversitetit. Të gjithë këta faktorë pritet të kenë efekte të dëmshme në sektorin e turizmit dhe atë të bujqësisë në pellgun ujëmbledhës të Vjosës. Më konkretisht studimi arrin në përfundimin se mbushja e rezervuarëve të Vjosës me sedimente llogaritet të ndodhë brenda 30-40 vitesh për Poçemin dhe 45-60 vitesh për Kalivaçin. “Modelimi numerik i rezervuarit të planifikuar në Kalivaç tregoi qartë se përmbytjet e vazhdueshme (në vit) në intervalin >1000 m3s-1 krijojnë rryma në rezervuar. Këto rryma, të nxitura nga përmbytjet e shpeshta, do të shkaktojnë probleme të rënda në portën e poshtme shkarkuese dhe në portat hyrëse të turbinave për shkak të depozitimeve”,-thuhet në dokument, duke shtuar se për të tejkaluar këto problematika, do të jetë i nevojshëm pastrimi, me kosto të lartë, që nga viti i parë i vënies në punë të hidrocentralit.

Gjithashtu, një tjetër përfundim lidhet me “degradimin e ekologjisë, humbjen e turizmit evropian në bregdet dhe e ekoturizmit në pellgun ujëmbledhës të Vjosës”.  “Ndërtimi i digave në këtë lumë specifik dhe sidomos në këtë seksion të sistemit lumor (zonë e madhe ujëmbledhëse dhe ngarkesa të larta sedimenti) është një koncept ‘problematik’ për sa i përket prodhimit të energjisë dhe përfitueshmërisë”, thuhet në raport. Ndërkohë që, përveç humbjeve të mëdha në vëllimin mbajtës vjetor, ndërhyrja e ujërave nga përmbytjet do të shkaktojë probleme të rënda në funksionim apo shfrytëzim. Meqë ndërveprimi mes rrjedhës së brendshme, transportit të sedimenteve, morfologjisë së lumit dhe ekologjisë nuk kuptohen në mënyrë adekuate, mungon zbatimi i masave të qëndrueshme të zbutjes së sedimentit në planet e menaxhimit të lumenjve. Përveç kësaj, mungojnë edhe metodat e standardizuara vlerësuese për zbulimin e anomalive në regjimin e sedimentit. “Për ta përmbledhur, ekziston rreziku i një situate me humbje të trefishtë”,-thuhet në studim.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.