Aktiviteti njerëzor


Therje e paligjshme e kafshëve të gjalla – AKU konfiskon më shumë se 200 kg mish

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi se Drejtoria Rajonale e AKU-së Durrës ushtroi kontroll në subjektin R.S për therjen e paligjshme të kafshëve të gjalla dhe tregtimin e produkteve ushqimore të pasigurta.

Sipas njoftimit nga kontrolli i ushtruar rezultoi se subjekti kryente procesin e therjes së kafshëve të gjalla në mënyrë të paligjshme në një ambient të improvizuar, ngjitur me njësinë e tregtimit të mishit. AKU tha se ambienti ishte tejet i amortizuar, i vogël në hapësirë dhe nuk plotësonte asnjë normë të kritereve higjeno-sanitare apo teknike-teknologjike për procesin e therjes së kafshëve të gjalla.

Sipas njoftimit, mbetjet teknologjike të procesit të therjes të kafshëve të gjalla, përfundonin në kanal duke mos u grumbulluar dhe u trajtuar në ndonjë ambient të posaçëm, duke kontaminuar mjedisin përreth. Sipas AKU, në të njëjtat mjedise të papërshtatshme ku kryhej therja e kafshëve të gjalla, subjekti përgatiste në mënyrë të paligjshme edhe produkti ushqimor “Sallam”, për të cilin nuk kishte asnjë dokumentacion në formën e kartës teknologjike apo etiketë mbi përbërësit dhe procesin e përgatitjes së tij.

Gjithashtu, në subjekt u evidentuan 257 kg  produkte ushqimore, mish dhe nënprodukte të tij të pacertifkuara dhe të pavulosura nga veterineri zyrtar, si dhe pa dokumentacionin përkatës, specifikisht 219 kg mish gjedhi, 14 kg mish deleje dhe 24 kg sallam.

AKU vendosi masat administrative të gjobës në vlerën 100,000 lekë për therje të kafshëve të gjalla në mënyrë të paligjshme, gjobë në vlerën 150,000 lekë për mungesën e gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore, konfiskim të produkteve ushqimore, të cilat do t’i nënshtrohen procesit të asgjësimi  dhe mjetet  e punës çengela, thika etj me të cilat është kryer aktiviteti i paligjshëm dhe bllokim i ambientit të improvizuar dhe të përdorur për kryerjen e procesit të paligjshëm të therjes së kafshëve të gjalla. 

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.