Raporti rajonal për klimën dhe zhvillimin në vendet e Ballkanit Perëndimor, i publikuar së fundmi nga Grupi i Bankës Botërore, nxjerr në pah nevojën e vendeve të rajonit për të investuar në zvogëlimin e risqeve që sjellin ndryshimet klimatike.
Banka Botërore publikoi të mërkurën më 17 Korrik një raport rajonal mbi risqet e ndryshimeve klimatike në Ballkanin Perëndimor, si edhe disa zgjidhje potenciale për uljen e humbjeve ekonomike e mjedisore si edhe zhvillimin e vendeve të rajonit.
“Ndryshimet klimatike janë kërcënim i qartë ndaj zhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor dhe kostot e investimeve për përshtatje janë të konsiderueshme,” tha Xiaoqing Yu, drejtor i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, duke shtuar se lajmi i mirë është që përfitimet e tyre janë edhe më të mëdha.
Sipas ekspertëve të raportit, investimet e bëra në këtë kuadër do të ndihmonin në shmangien e humbjeve të jetëve njerëzore, gjithashtu edhe të pasurive apo rënies së prodhimtarisë, duke ndikuar kështu në rritje më të shpejtë të ekonomisë.
“Përfitimet nga veprimet në kuadër të klimës do të ishin tejet të konsiderueshme për Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu Shqipërinë dhe vendet e tjera”, citon raporti.
“Përgatitja për rreziqet klimatike na mundëson të shpëtojmë jetë, të mbrojmë komunitetet vendore, dhe të nxisim rritjen ekonomike”, tha Xiaoqing Yu.
Ballkani Perëndimor është një rajon i ndikuar seriozisht nga ndryshimet klimatike, duke përmendur këtu përmbytjet, zjarret, thatësirën dhe dukuri të tjera të fatkeqësive natyrore.
Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, investimet për përshtatjen me ndryshimet klimatike, veçanërisht në ekonomitë me të ardhura të ulëta dhe të mesme, sjellin përfitime të konsiderueshme, ku çdo 1 Dollar i investuar përkthehet në rreth 4 Dollarë përfitime.
“Përshtatja me ndryshimet klimatike është element kyç për vendet e Ballkanit Perëndimor me qëllim rritjen e potencialit dhe nxitjen e rritjes së fuqishme dhe të qëndrueshme”, tha Nicolas Marquier, menaxher rajonal i IFC– për Ballkanin Perëndimor.
Gjetjet e raportit gjithashtu theksojnë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të pakësojnë shkarkimet e gazrave serrë, me qëllim që të vijojnë të përforcojnë sigurinë e energjisë dhe të tërheqin investime ndërkombëtare.
“Shkarkimet e gazrave serrë në nivelin zero neto në mbarë ekonominë deri në vitin 2050 janë të arritshme nëse energjia diellore, e erës dhe ajo hidrike arrijnë të prodhojnë 95% të të gjithë energjisë”, citojnë gjetjet e raportit.
Burimi:
Reporter.al