Kalendari Mjedisor


16 SHTATOR- DITA NDËRKOMBËTARE PËR MBROJTJEN E SHTRESËS SË OZONIT

16 shtatori shënon në gjithë botën Ditën Ndërkombëtare të Mbrojtjes së Shtresës së Ozonit, shtresës së brishtë të gazit që mbron tokën nga pjesa e dëmshme e rrezeve të diellit, duke ndihmuar kështu në ruajtjen e jetës në planet.

16 Shtator është caktuar nga OKB në 1994, si Dita Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Shtresës së Ozonit për të përkujtuar datën e nënshkrimit të Protokollit të Montrealit për substancat ozonholluese  në vitin 1987.

Përvjetori i kësaj ditë të rëndësishme nënvizon thirrjen drejtuar shteteve për të vijuar punën me mbrojtjen e shtesës së ozonit. Protokolli i Montrealit është përkufizuar nga Kofi Anan, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, si ‘marrëveshja ndërkombëtare më e suksesshme e realizuar deri më sot’.

Këtë vit, festohet 35 vjetori i Konventës së Vjenës dhe 35 vjetori i mbrojtjes globale të shtresës së ozonit. Jeta në tokë nuk do të ishte e mundur pa rrezet e diellit. Por energjia që buron nga dielli do të ishte e tepërt dhe e dëmshme për lulëzimin e jetës në tokë, po të mos ishte shtresa e ozonit.

Kështu, kur shkencëtarët që punuan në fund të viteve 1970 zbuluan se njerëzimi po krijonte një vrimë në këtë mburojë mbrojtëse, ata ngritën alarmin. Vrima – e shkaktuar nga gazrat që shkatërrojnë ozonin (ODS) të përdorura në aerosolë dhe aparatura ftohjeje, të tilla si frigoriferë dhe kondicionerët – po kërcënonte të rriste dhe rastet e kancerit të lëkurës, si dhe të dëmtojë bimët, të korrat dhe ekosistemet.

Në vitin 1985, qeveritë e botës miratuan Konventën e Vjenës për Mbrojtjen e Shtresës së Ozonit. Sipas Protokollit të Montrealit, qeveritë, shkencëtarët dhe industria punuan së bashku për të ulur përdorimin me 99 përqind të të gjitha substancave që shkatërrojnë ozonin. Falë Protokollit të Montrealit, shtresa e ozonit po shërohet dhe pritet të kthehet në vlerat e para vitit 1980 deri në mes të këtij shekull. Në mbështetje të Protokollit, Marrëveshja e Kigalit, e cili hyri në fuqi në 2019, do të punojë drejt zvogëlimit të hidrofluorokarbonit (HFCs), gazrave serë me potencial të fuqishëm të ngrohjes së klimës dhe dëmtimit të mjedisit.

Shtresa Ozonit

Atmosfera e Tokës përbëhet nga 5 shtresa: Troposfera, Stratosfera, Mezosfera, Termosfera dhe Ekzosfera. Në Troposferë ka një përqendrim shumë të lartë të molekulave të Ozonit, rreth 90%, duke krijuar një shtresë e cila quhet Shtresa e Ozonit.. Kjo shtresë është 10 – 20 km e trashë dhe mbështjell gjithë rruzullin tokësor.

Rëndësia e shtresës së Ozonit

Shtresa e Ozonit  është jetësore për planetin tonë. Ajo ka funksion mbrojtës nga efektet e dëmshme të rrezeve diellore dhe veçanërisht atyre UV-B. Për çdo 1% të vlerës së hollimit të shtresës së ozonit në stratosferë, ekspozimi ndaj dëmtimeve nga rrezatimi ultraviolet rritet nga 1.5 deri në 2 përqind.

Shkaku i dëmtimit të shtresës së ozonit

Dëmtuesit kryesorë të shtresës së ozonit, janë gazet të cilat në përmbajtjen e tyre kanë klor.  Këto gaze, kur arrijnë në stratosferë dhe bien në kontakt me Ozonin, shkaktojnë hollimin e shtresës së Ozonit. Për të kuptuar  më mirë impaktin që kanë këto substanca në shtresën e ozonit, vlen të përmendet se një atom klor shkatërron 100 mijë atome ozon. Substancat që ndikojnë në hollimin e shtresës së Ozonit, janë kryesisht hidrokarbure të klorinuara, të fluorinuara ose bromuret, të cilat kanë potencial të reagojnë me molekulat e Ozonit në stratosferë.

Klasifikimi i substancave ozon-holluese :

1.Klorofluorokarbonet (CFC); 2.Hidroklorofluorokarbonet (HCFC); 3.Hidrobromofluorokarbonet (HBFC); 4.Halonet ;5.Bromoklorometan (CH2BrCl); 6.Trikloroetan (metilkloroform (CCl4); 7.Tetrakloruri karbonit (CCl4); 8.Bromuri metilit (CH3Br).

Këto substanca çlirohen nga djegia e karburanteve të makinave, nga kimikatet në bujqësi, substanca si tretës organikë, si dhe ftohës në kondicioner, frigorifer, bombola zjarrfikës, etj.

Efektet që shkakton dëmtimi i shtresës së ozonit:

Rritja e vazhdueshme e ekspozimit ndaj rrezeve UV-B mund të shkaktojë tek njeriu një dëmtim të sistemit imunitar, të strukturës së ADN-së, rritje të prekshmërisë nga sëmundje infektive, kancer të lëkurës, sëmundje të syve deri në humbje të shikimit. Dëmtime në ekosistemin detar dhe organizmat e botës ujore, përfshirë peshqit apo dhe bimët ujore. Hollimi i shtresës së ozonit ka efekte direkte në uljen e aftësisë riprodhuese të peshqve dhe gjallesave të tjera detare. Dëmtime të bimëve dhe të  pyjeve si dhe të përmbajtjes së tyre ushqyese.

Nëse të gjitha shtetet palë të Protokollit të Montrealit do të përmbushin detyrimet e tyre, vlerësohet se përqendrimi i molekulave të Ozonit në stratosferë do të arrijë nivele “normale” (pra ato të vitit 1980) rreth viteve 2025-2040.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.