Kalendari Mjedisor


22 SHTATOR- DITA BOTËRORE PA MAKINA

22 shtatori është një ditë shumë e rëndësishme për mjedisin jetësor, ngase respektimi i kësaj date ndikon drejtpërdrejtë në uljen e ndotjes së mjedisit jetësor, me theks të veçantë të ajrit.

Ndotja e mjedisit tashmë është një fakt i hidhur pasi, përveç faktit që po shkatërrohet planeti tokë rrjedhimisht vihet në rrezik edhe jeta, përfshirë këtu edhe jetën njerëzore. Ndër arsyet kryesore të ndotjes së ambientit është edhe përdorimi i tepërt i automjeteve.

Kjo ditë synon sensibilizimin e njerëzve që të shmangin të paktën për një ditë makinat e tyre, të cilat shkarkojnë lëndë të dëmshme për organizmin dhe si një përpjekje për të kontribuar në mbrojtje të mjedisit.

Në periudhën 16-22 Shtator të çdo viti, me nismën e Bashkimit Evropian, organizohet “Java Evropiane e Qarkullimit”, e cila finalizohet me datën 22 Shtator, me ditën “Në qytet pa makinën time”.

Kjo nismë evropiane e ka zanafillën në Francë në 1998. U deshën vetëm katër vjet që ajo të bëhej një nga manifestimet me përfshirje më të madhe në fushën e mbrojtjes së mjedisit. Qëllimi i nismës evropiane është pikërisht ndërgjegjësimi për ndërmarrjen e politikave të suksesshme urbane nga vendimmarrësit për të mundësuar rritjen e vëllimit të transportit me mjete miqësore me mjedisin. Në këtë kuadër, në kryeqytet dhe në qytetet e Evropës shmangen lëvizjet me makina dhe në vend të tyre përdoren biçikletat dhe ecja në këmbë.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.