22 MAJ- DITA NDËRKOMBËTARE E BIODIVERSITETIT
Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit është shpallur nga Kombet e Bashkuara në vitin 1993, për të theksuar rëndësinë e biodiversitetit.
Kombet e Bashkuar shpallën 22 Majin si Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit për të rritur ndërgjegjësimin dhe përmirësuar vlerësimin e çështjeve të biodiversitetit. Fillimisht, në fund të vitit 1993, Komiteti i Dytë i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara shpalli si Ditë Ndërkombëtare të Biodiversitetit 29 Dhjetorin, ditën e hyrjes në fuqi të Konventës së Biodiversitetit. Por në Dhjetor 2000, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 22 Majin si Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit, për të kujtuar miratimin e tekstit të konventës në 22 Maj 1992 nga Akti Final i Konferencës së Nairobit për Miratimin e tekstit të Konventës së Biodiversitetit.
Sot, më shumë se kurrë më parë, ekosistemet natyrore dhe shumëllojshmëria biologjike janë nën një rrezik serioz.
• Rreth 50.000 lloje biologjike kanë filluar të zhduken çdo vit.
• Në nivel botëror, numri i llojeve të shpendëve është duke u zvogëluar, ndërkohë që 1/4 e të gjithë gjitarëve është nën një rrezik serioz zhdukjeje.
Ndikimi i njeriut krijon ndryshime të dukshme në mjedis. Shumë prej këtyre ndryshimeve ndodhin në mënyrë të shpejtë, gjë që e bën tepër të vështirë përshtatjen e llojeve, duke çuar në një zvogëlim progresiv të numrit të bimëve dhe të kafshëve.
Rreziqet kryesore me të cilat po përballet biodiversiteti janë: humbja e habitateve natyrore, fragmentimi i tokës, ndotja, mbishfrytëzimi dhe hyrja e llojeve jovendase ,ndryshimi i klimës, shpyllëzimi etj.
