Kalendari Mjedisor

Dita Botërore e Bletës, çfarë i bën të veçanta

Dita Botërore e Bletës. Bletët, janë shumë të rëndësishme për shëndetin e planetit tonë. Për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e këtyre insekteve pjalmuese, kërcënimet me të cilat përballen dhe kontributin e tyre në zhvillimin e qëndrueshëm të planetit, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka caktuar 20 majin si Ditën Botërore të Bletës. Pse 20 […]

By Mjedisi Sot

Dita Botërore e Bletës. Bletët, janë shumë të rëndësishme për shëndetin e planetit tonë.

Për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e këtyre insekteve pjalmuese, kërcënimet me të cilat përballen dhe kontributin e tyre në zhvillimin e qëndrueshëm të planetit, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka caktuar 20 majin si Ditën Botërore të Bletës.

Pse 20 maji?

20 maji përkon me ditëlindjen e Anton Janša, i cili në shekullin e 18-të, filloi teknikat moderne të bletarisë në vendlindjen e tij Slloveni. Qëllimi i kësaj ditë, është të forcohen masat, që synojnë mbrojtjen e bletëve dhe insekteve të tjera që ndihmojnë në pjalmimin e bimëve, të cilët do të kontribuonin ndjeshëm në zgjidhjen e problemeve, që lidhen me furnizimin global të ushqimit dhe eliminimin e urisë në vendet në zhvillim.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (Food and Agriculture Organization, FAO) po u bën thirrje të gjithëve, përfshirë qeverive, kompanive, studiuesve dhe konsumatorëve, të ndërmarrin veprime për të ndihmuar në shpëtimin e bletëve.

Një e treta e prodhimit të ushqimit në botë, varet nga bletët.

Bletët pjalmojnë (një proces jetik për rritjen e bimëve) tre të katërtat (75%) e kulturave kryesore globale, duke përfshirë mollët, frutat e buta, fasulet dhe kungujt, si dhe bimë të tilla si domatet dhe luleshtrydhet. Bletët dhe pjalmuesit e tjerë, si fluturat, lakuriqët e natës dhe kolibrat, janë gjithnjë e më shumë nën kërcënim nga aktivitetet njerëzore. Megjithatë, pjalmimi është një proces themelor për mbijetesën e ekosistemeve tona.

Gati 90% e specieve të bimëve të egra të lulëzuara në botë, varen, tërësisht, ose të paktën pjesërisht, nga pjalmimi i kafshëve, së bashku me më shumë se 75% të kulturave ushqimore në botë, dhe 35% të tokës bujqësore globale. Jo vetëm që, pjalmuesit kontribuojnë drejtpërdrejt në sigurinë ushqimore, por ata janë çelësi për ruajtjen e biodiversitetit. Ne të gjithë varemi nga insektet pjalmuese dhe prandaj, është thelbësore të monitorohet ulja e numrit të tyre dhe të ndalohet humbja e biodiversitetit.

Bletët janë jetike për ruajtjen e ekuilibrit midis organizmave të gjallë si qeniet njerëzore, bimët dhe kafshët, si dhe mjedisin e tyre. Ato gjithashtu ndihmojnë në uljen e ndotjes. Studimet shkencore kanë vërtetuar, se bletët janë bërë gjithnjë e më të rrezikuara. OKB tha se një milion specie përballen me zhdukjen.

Çfarë mund të bëhet për të ndihmuar?

  • Mbillni bimë për bletët si margarita dhe tërfili i kuq në ballkone, tarraca dhe në kopshte;
  • Kopshtet me bar të paprerë, u jep bletëve një vend për t’u strehuar;
  • Lini një pjate të vogël me pak guralecë dhe ujë, për të ndihmuar bletët nëse kanë etje;
  • Mos përdorni pesticide;
  • Blini mjaltë dhe produkte të tjera nga prodhuesit vendas.