Autorë: Arlis Alikaj, Lucrezia Tiberio
Shqipëria po përjeton një rritje të madhe në sektorin e turizmit me një numër rekord prej 4.5 milionë turistësh të huaj që kishin vizituar vendin deri në qershor, duke shënuar një rritje prej 34% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky fluks i madh e ka shndërruar Shqipërinë në një destinacion të njohur dhe ka favorizuar njohjen e saj në rrjetet sociale, ku Ksamili shpesh përmendet me emërtimin “Maldivet e Europës”.
Pamje mahnitëse të një plazhi në Shqipëri. Foto: Costanza Musto
Megjithatë, ky sukses i shpejtë po shoqërohet nga disa sfida. Ndërsa shumica e reagimeve në rrjetet sociale janë pozitive, ka edhe komente që shprehin pakënaqësi, veçanërisht në lidhje me çmimet e larta në Jug të vendit dhe me mungesën e infrastrukturës. Shumë turistë kanë vënë re se ndërsa natyra dhe deti janë mahnitës, çmimet e larta dhe plazhi i mbipopulluar me shezlongje afër e afër janë shqetësuese.
Operatorët turistikë theksojnë se Shqipëria ofron ende një raport të mirë çmim-cilësi krahasuar me vendet e tjera të rajonit, por theksojnë nevojën për trajtimin e problemeve me infrastrukturën dhe përmirësimin e promocionit, bazuar te vlerat reale të vendit. Një zhvillim kaotik, i pamenaxhuar mirë, mund të dëmtojë qëndrueshmërinë afatgjatë të turizmit.
Matias Kelmendi, përfaqësuesi i agjencisë turistike ‘‘Explore Albania’’ sugjeron nevojën e një qasjeje më të strukturuar për të menaxhuar trafikun, për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të bërë një promovim të mirëorientuar të vendit. Shqipëria duhet të shfrytëzojë potencialin e saj, duke harmonizuar turizmin bregdetar me atë të aventurës dhe rural, për të krijuar një ofertë më tërheqëse dhe të qëndrueshme gjatë gjithë vitit. Për këtë, qeveria dhe sektorët e turizmit duhet të ndërmarrin hapa konkretë në mënyrë që një sukses i tillë të mos kthehet në një bumerang negativ, shton ai.
Si e humbi kaq shpejt Shqipëria statusin e 10 milionë turistëve?
Shqipëria priti rreth 10 milionë turistë në vitin 2023, duke krijuar pritshmëri të larta për sektorin e turizmit në vitin 2024. Megjithatë, shifrat për sezonin veror kanë qenë zhgënjyese, me rezervime jashtë pritshmërive dhe një rënie të konsumit të shërbimeve turistike. Deri në fund të korrikut, 6.36 milionë shtetas të huaj vizituan Shqipërinë, një rritje 23% nga viti i kaluar, por shpenzimet e tyre mbetën të ulëta.
Shqipëria vazhdon të jetë interesante për turistët, falë historisë dhe diversitetit të saj natyror, por rritja e çmimeve po krijon sfidat e saj. Gjenerata e re, e cila e eksploron Shqipërinë me entuziazëm, ka ndihmuar në rritjen e numrit të turistëve, ndërsa çmimet e larta mbeten pengesë.
Mungesa e kapaciteteve akomoduese dhe e një force punëtore të kualifikuar janë sfida të tjera për turizmin shqiptar. Shërbimet e makinave me qira dhe ofertat kulturore mbeten popullore, por stabilizimi i çmimeve mbetet i domosdoshëm për të mbajtur statusin e një destinacioni ekonomikisht të përballueshëm.
Balancimi i ruajtjes së identitetit unik të Shqipërisë me zhvillimin e industrisë së turizmit mbetet një sfidë për të ardhmen.
Shqipëria ka pasur në fokus tërheqjen e 10 milionë turistëve vitin e kaluar, duke e konsideruar këtë një arritje madhore në sektorin e turizmit. Qeveria ka investuar fort për promovimin e vendit me projekte si “Rilindja urbane” dhe infrastrukturë të re si Aeroporti i Vlorës, duke synuar turizmin elitar. Megjithatë, ky sezon turistik ka nxjerrë në pah disa të vërteta të hidhura.
Ndërsa statistikat e INSTAT flasin për rritje të numrit të turistëve, realiteti në terren tregon plazhe të zbrazura dhe biznese që ankohen për mungesën e klientëve. Promovimi intensiv pas pandemisë, që e pozicionoi Shqipërinë si një destinacion të preferuar, duket se nuk përkon me përvojat reale të turistëve, që përballen, veç të tjerash, me çmime të larta dhe infrastrukturë kaotike.
Disa zëra brenda sektorit kanë ngritur dyshime mbi saktësinë e statistikave zyrtare dhe ndikimin që kanë deklaratat e zhurmshme në perceptimin publik ndërkombëtar. Sfida për Shqipërinë është të harmonizojë suksesin statistik me përvojën e vërtetë të vizitorëve, duke kërkuar rishikim të strategjive për të ruajtur qëndrueshmërinë dhe për të përmbushur pritshmëritë e tregut turistik.
Shtohet konsumi dhe turizmi, por dështon menaxhimi i mbetjeve
Gjatë dy viteve të fundit, Shqipëria ka parë një rritje të konsiderueshme në numrin e turistëve dhe në nivelin e konsumit. Megjithatë, menaxhimi i mbetjeve ka mbetur i pandryshuar. Sipas INSTAT, në vitin 2023 u menaxhuan 844,157 tonë mbetje urbane, një rritje modeste krahasuar me 820,322 tonë në vitin 2022. Në të njëjtën kohë, përqindja e mbetjeve jo urbane të menaxhuara ra nga 11,62% në 2022, në 10,30% në 2023.
Mbetjet organike vazhdojnë të përbëjnë pjesën më të madhe të mbetjeve urbane të menaxhuara, duke mbetur të qëndrueshme, 57-58%. Mbetjet plastike, qelqi dhe kartoni po zënë një pjesë më të madhe në strukturën e mbetjeve urbane. Djegia për energji u rrit duke shkuar 4,55% për mbetjet urbane në vitin 2023, por riciklimi mbeti 18,81%, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin e kaluar.
Ndërsa depozitimi në landfille mbetet metoda kryesore e menaxhimit të mbetjeve, ka pasur një lehtësim të vogël, nga 76,58% në 2022 në 76,49% në 2023. Aplikimi i metodave të reja për mbledhjen e të dhënave, përfshirë pyetësorët elektronikë nga bashkitë, ka qenë pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar menaxhimin e mbetjeve. Megjithatë, grumbullimi i mbetjeve të pakategorizuara në kazanët e posaçëm, mbetet një sfidë e madhe në vend.
Përmirësimi i menaxhimit të mbetjeve mbetet i domosdoshëm për të përballuar sfidat e rritjes së turizmit dhe konsumit në Shqipëri.
Një pamje e ndotjes në një zonë turistike, që ilustron rrezikshmërinë e zhvillimit të pandërgjegjshëm dhe nevojën për një qëndrim të qëndrueshëm ndaj turizmit. Fotot: Costanza Musto
Shqipëria ia kalon Italisë në turizëm, por vetëm për sensacion, jo në qëndrueshmëri
Në vitin 2021, Shqipëria regjistroi një tërheqje të ndjeshme turistësh, me numrin e vizitorëve të huaj që u rrit me 114%, duke arritur në 5.7 milionë turistë, sipas Observatorit Ekonomik Italian. Një numër i konsiderueshëm vizitorësh erdhën nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Greqia dhe Italia. Megjithatë, këtë vit, pritshmëritë për turizmin nuk u realizuan; synimi për të arritur 14 milionë turistë nuk u përmbush, megjithëse fillimi i vitit 2023 ishte premtues, me rreth 3.3 milionë vizitorë nga janari deri në maj.
Eksperti i turizmit Ferjolt Ozuni shprehet kritik për shifrat: “Nuk u besoj shumë shifrave që dalin publikisht pasi është ende herët për të arritur në konkluzione dhe çështjet e shifrave hapin debate, pasi është e paqartë metodologjia e mbledhjes së informacionit. Sezoni turistik gjendet mes propagandës dhe realitetit. Nuk mund të quhen turistë ata që vijnë me “bukë me vete’’ dhe pastaj flasin për turizmin elitar kur turisti vjen në mëngjes dhe largohet në darkë, pra, kur në të vërtetë, është turizëm ekskursionar. Këta lloj turistësh shpenzojnë pak, për të mos thënë aspak dhe përfitimet më së shumti shkojnë në aeroport. E vërteta është që Shqipëria nuk është një vend ‘‘me kosto të ulët’’. Propaganda në TikTok e ka bërë strategji marketingu këtë gjë, por e vërteta është që kemi mungesë krahu pune, mungesë infrastrukture dhe turisti mbetet i zhgënjyer, vjen një herë dhe nuk kthehet më”.
Rritja e numrit të turistëve ka nxjerrë në pah shqetësimet për turizmin masiv dhe pasojat e tij, siç është presioni mbi komunitetet lokale, komercializimi i trashëgimisë kulturore dhe ndotja mjedisore. Ina Zhupa, deputete e Partisë Demokratike, ka theksuar se shifrat e publikuara janë rezultat i një strategjie politike dhe se shumica e turistëve të regjistruar janë emigrantë që kthehen për të vizituar familjet, duke ngritur kështu pyetje mbi vërtetësinë e statistikave.
‘‘Dua të theksoj rëndësinë e një analize kritike mbi shifrat që po publikohen lidhur me turizmin në Shqipëri. Shumë prej turistëve të regjistruar në statistika janë emigrantë që janë kthyer për të vizituar familjet e tyre, duke krijuar një iluzion mbi suksesin e turizmit në vend.
Këto të dhëna janë të gabuara dhe kanë pasoja të rënda. Pavarësisht shifrave të mëdha që dëgjohen në media, realiteti është se shumë shqiptarë vazhdojnë të jetojnë në varfëri, pavarësisht rritjes së dukshme të turizmit. Qeveria duhet të jetë më transparente, të ofrojë një pasqyrë të qartë të kontributit të turizmit në ekonominë e vendit dhe të shpjegojë pse shqiptarët nuk po përfitojnë nga kjo rritje’’, shtoi deputetja Zhupa për Portalin Vizion.
Alberto Sartori, është një italian që punon si koordinator ndërkombëtar i projekteve në organizata jo qeveritare italiane dhe aktualisht, drejton projektin “Mbështetje Institucionale për Shqipërinë në Sektorët e Bujqësisë dhe Peshkimit drejt Anëtarësimit në BE”. Ky projekt trevjeçar, i financuar me 2.5 milionë euro nga Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë dhe nga Agjencia e Zhvillimit, synon të forcojë kapacitetet institucionale dhe të ndihmojë Shqipërinë në integrimin me Bashkimin Evropian.
Alberto Sartori vëren se rritja e kostos së jetesës dhe ndikimi i turizmit në ekonominë shqiptare janë shqetësime të vazhdueshme. Ai thekson se pavarësisht punës së madhe promovuese, mungon një qasje kritike ndaj efektit të turizmit dhe se fitimet nga ky sektor shpesh nuk shpërndahen në mënyrë të barabartë në popullatën lokale.
‘‘Sipas përshtypjes sime, Shqipëria ka ndryshuar shumë shpejt vitet e fundit, sidomos pas vitit 2018. Interesi për turizmin ishte i pranishëm, por ai ka shpërthyer pas pandemisë Covid-19. Që nga viti 2021, fluturimet me “Wizz Air” e kanë ndihmuar rritjen e numrit të turistëve, duke e bërë më të lehtë udhëtimin drejt Shqipërisë.
Megjithatë, mungon një qasje kritike mbi ndikimin e turizmit. Ka shumë referenca pozitive në publikimet italiane për plazhet shqiptare, që duken si pjesë e një strategjie promovuese të qeverisë. Por Shqipëria ka probleme të menaxhimit të brendshëm dhe, pavarësisht të ardhurave nga turizmi, përfitimet shpesh nuk arrijnë te popullsia, pasi punësimi është kryesisht sezonal dhe me paga të ulëta.
Nuk flitet mjaftueshëm për efektet negative mbi mjedisin. Situata si ajo që ndodhi me vendgrumbullimin e mbetjeve në Vlorë, ku tymi i zi shkoi drejt plazhit, ka sjellë më shumë shqetësim për kënaqësinë e turistëve sesa për ndotjen mjedisore.
Gjithashtu, shumë zona po bëhen më pak të aksesueshme për vendasit dhe më shumë për turistët. Ka pasur kritika për fotografitë e plazheve bosh që qarkullojnë dhe për vlerësimet e pasakta mbi rritjen e turizmit. Mungesa e mediave të pavarura e bën të vështirë sigurimin e të dhënave të sakta dhe të besueshme për situatën aktuale të turizmit në vend’’.
Pasuritë natyrore në rrezik, rrezikojnë edhe të ardhmen e vetë turizmit
Ahmet Mehmeti, ekspert mjedisi dhe përfaqësues i Klubit Ekologjik Shqiptar, po ashtu tregon për impaktin e turizmit masiv në ndotjen e resurseve të ujit dhe në ndërtimin e infrastrukturës në zona të mbrojtura, si dhe në rreziqet që sjell kjo për biodiversitetin dhe mjedisin. Ai thekson nevojën për të zhvilluar një model turizmi të qëndrueshëm që të respektojë ambientin dhe të përfshijë mirëqenien e komuniteteve lokale. ‘‘Shqipëria ka potencial të shkëlqyer për turizëm të qëndrueshëm, por është e rëndësishme të eksplorohet si mund të shfrytëzohet ky potencial në harmoni me nevojat mjedisore dhe shoqërore. Turizmi i qëndrueshëm përfshin mbrojtjen e ambientit dhe përfshirjen e komuniteteve lokale.
Humbja e biodiversitetit për shkak të urbanizimit të tepruar po rrezikon pasuritë natyrore dhe potencialin turistik të Shqipërisë. Megjithëse debati mbi mbeturinat plastike është aktual, Shqipëria vazhdon të ketë nivelet më të larta të mbetjeve në rajon, me 73% të mbetjeve plastike në Mesdhe.
Rritja e turizmit mund të sjellë degradim ambiental, duke përfshirë shkatërrimin e habitatit dhe ndotjen”. Mehmeti thekson se është thelbësore që Shqipëria të bëjë të vetin një model turizmi që respekton natyrën dhe mbështet mirëqenien e komuniteteve lokale.
Turizmi ndërkombëtar në Shqipëri përbën 46% të totalit të eksporteve, por nuk ka sjellë përfitimet e pritshme për popullatën. Fuqia punëtore është kryesisht sezonale dhe me pagë të ulët; pasuritë e gjeneruara nga sektori nuk shpërndahen në mënyrë të barabartë.
Sidoqoftë, investimet e mëdha në infrastrukturë, rrezikojnë të dëmtojnë biodiversitetin dhe ambientin. Zonat bregdetare dhe liqenet, si liqeni i Ohrit dhe liqeni i Pogradecit, po vuajnë nga ndotja dhe ndërtimi i tepruar.
Një pamje e ndotjes në një zonë turistike, që ilustron rrezikshmërinë e zhvillimit të pandërgjegjshëm dhe nevojën për një qëndrim të qëndrueshëm ndaj turizmit. Fotot: Costanza Musto
Në këtë kontekst, është thelbësore që Shqipëria të zhvillojë një model turizmi të qëndrueshëm që të respektojë ambientin dhe traditat lokale. Me biodiversitetin e saj të pasur dhe peizazhet mahnitëse, Shqipëria ka potencial të madh për të tërhequr vizitorë në mënyrë të përgjegjshme dhe të qëndrueshme, duke garantuar gjithashtu mirëqenien e komuniteteve lokale dhe mbrojtjen e pasurisë së saj natyrore.
Përballja me sfidat e turizmit masiv dhe degradimit ambiental është thelbësore për të bërë të mundur që turizmi të kontribuojë jo vetëm në ekonominë, por edhe në ruajtjen e bukurisë natyrore dhe kulturore të Shqipërisë për brezat e ardhshëm.
Rikonstruksioni në Drilon, Pogradec. Gratë e fshatit lihen pa punë dhe pa perspektivë
Kohët e fundit, vizituam Drilonin, dikur një nga pikat më piktoreske të Pogradecit. Aty, në vend të grave lokale që shisnin produktet e tyre artizanale, tashmë sheh vetëm makineri dhe punëtorë. Gratë e Drilonit shprehen se rikonstruksioni i ka lënë pa burimin kryesor të të ardhurave të tyre.
Pamje nga rikonstruksioni në Drilon, Pogradec, ku gratë e fshatit po përballen me humbjen e burimeve të të ardhurave nga shitja e produkteve tradicionale. Fotot: Costanza Musto
Punimet kanë sjellë jo vetëm shqetësime për humbjen e të ardhurave, por edhe për dëmtimin e mjedisit, me përdorimin e materialeve si çeliku dhe hekuri. Banorët e zonës ndihen të dorëzuar dhe shprehen se ndryshimet e imponuara po dëmtojnë atë që ishte një mrekulli natyrore.
Kritikat janë drejtuar drejt Fondacionit Amerikano-Shqiptar të Zhvillimit, i akuzuar nga opozita për veprime kontroverse. Krijuar nga Kongresi Amerikan për të rritur investimet strategjike në rajon, transformimi i institucionit në OJQ ka ngjallur dyshime mbi interesat dhe përgjegjësitë e tij.
Ndërkohë që punimet vazhdojnë pa një afat të qartë përfundimi, gratë që mbetën pa të ardhura nuk kanë marrë asnjë formë kompensimi apo mbështetje tjetër. E ardhmja e tyre mbetet pezull, ndërsa Driloni ndryshon para syve të tyre.
Gruaja rurale: Shtylla e turizmit dhe e kulinarisë
Gratë rurale në Shqipëri vazhdojnë të përballen me sfida të mëdha dhe kanë njohuri të kufizuara mbi të drejtat e tyre. Pavarësisht përpjekjeve për barazi gjinore, ato shpesh janë të harruara nga institucionet, çka ndikon në rolin e tyre në turizmin rural.
Megjithëse kontribuojnë si mikpritëse dhe prodhuese, shumë gra nuk marrin mbështetje të mjaftueshme për zhvillimin e aftësive të tyre. Dallimi mes tyre dhe grave në politikë thekson nevojën për strategji që mbështesin fuqizimin ekonomik të grave dhe që njohin rolin e tyre në turizëm dhe në zhvillimin e qëndrueshëm.
Gratë nga Librazhdi dhe Përrenjasi, që ndodhen në zonën e mbrojtur nga UNESCO, luajnë një rol të rëndësishëm në turizmin dhe në kulinarinë e kësaj zone. Ato përballen me sfida të mëdha për shkak të fluksit të turistëve, por theksojnë se qeveria lokale ofron pak mbështetje për punën dhe angazhimin e tyre.
Sipas Iniciativës për Fuqizimin Ekonomik të Grave në Turizmin Rural, është jetike që nënat dhe gratë e zonave rurale të angazhohen më shumë, pasi ato janë forca kryesore punësimi në sektorët e turizmit dhe agro-ushqimit. Në samitin e fundit, 90 gra dhe vajza nga bashkitë Elbasan, Kolonjë, Korçë dhe Pukë u mblodhën për të diskutuar rëndësinë e kontributit të tyre në zhvillimin e përgjithshëm social, ekonomik dhe turistik. Mungesa e infrastrukturës dhe mundësive tregon se investimi në vajzat rurale është thelbësor për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm.
Pavarësisht përpjekjeve për barazi gjinore, gratë rurale vazhdojnë të përballen me probleme të ndryshme, siç janë pensionet e ulëta, papunësia dhe mungesa e mundësive për lëvizje sociale. Ndërsa ato mbajnë një peshë të rëndësishme në turizëm dhe bujqësi, mbështetja e tyre është thelbësore për një të ardhme më të denjë.
Ky artikull është zhvilluar me mbështetje nga Journalismfund Europe