Energjia e pastër, rruga e Shqipërisë drejt dekarbonizimit të plotë

Si palë nënshkruese e Marrëveshjes së Parisit, Shqipëria është zotuar për “rritje të temperaturës mesatare…

By Mjedisi Sot

Si palë nënshkruese e Marrëveshjes së Parisit, Shqipëria është zotuar për “rritje të temperaturës mesatare globale nën 2°C mbi nivelet para-industriale” dhe do të vazhdojë përpjekjet drejt “kufizimit të rritjes së temperaturës në 1.5°C mbi nivelet e periudhës para-industriale”. Kalimi i këtij pragu, sipas Panelit Ndërqeveritar të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (IPCC), rrezikon të shkaktojë një sërë efektesh të rënda, ndër të cilat thatësira më të shpeshta dhe intensive, valë të intensifikuara të të nxehtit dhe reshje vërshuese.

Në Raportin e tij të Gjashtë të Vlerësimit (AR6), ky Panel zbuloi se çdo rritje mbi 1.5°C do të prodhonte ndikime shumë më serioze për klimën. Për të kufizuar ngrohjen në 1.5°C, shkarkimet globale të gazeve serë duhet të arrijnë kulmin përpara vitit 2025, më së voni, dhe të ulen me 45% nën nivelet e 2010, deri në vitin 2030.

IPCC përdor një gamë të gjerë modelesh vlerësimi të integruara (IAM) për të prodhuar skenarë që analizojnë se si bota mund të arrijë të kufizojë ngrohjen brenda pragut 1.5°C. Fillimisht u analizuan 24 nga skenarët e IPCC-së brenda kësaj trajektoreje, në përputhje me Marrëveshjen e Parisit dhe konsideratat e fizibilitetit. Më pas, skenarët u shqyrtuan në nivel kombëtar për të zhvilluar një sërë shtigjesh të shkarkimeve brenda trajektores 1.5°C për Shqipërinë, bazuar në metodologjinë shkencore më cilësore në dispozicion.

Shqipëria është e përfshirë në krijimin e një tregu vendas në mbështetje të sektorit të energjisë, duke garantuar sigurinë e energjisë, eficiencën energjitike, mbrojtjen e mjedisit dhe reduktimin e shkarkimeve të GS-ve përmes marrjes së masave të ndryshme, por edhe të investimeve të identifikuara në dokumente politikash, të tilla si Strategjia Kombëtare e Energjisë, Planet e Veprimit për Eficiencën e Energjisë, Plani i Konsoliduar i Veprimit për Energjinë e Rinovueshme, Plani Kombëtar për Zbutjen e GS-ve, dhe Strategjia e Transportit.

Sfidat kryesore me të cilat përballet aktualisht sektori energjitik shqiptar përfshijnë:

  • Plotësimin e kërkesës për energji dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik;
  • Përmirësimin e kushteve për reduktimin e intensitetit të përdorimit të energjisë;
  • Rritjen e sigurisë së furnizimit me energji përmes rritjes së efikasitetit të energjisë dhe burimeve të rinovueshme të saj;
  • Bashkëpunimin dhe integrimin rajonal;
  • Investimet e vazhdueshme për të zvogëluar humbjet në shpërndarje dhe për të përmirësuar normat e arkëtimit.

Trajektorja 1.5°C për Shqipërinë

Zbatimi i metodologjisë në Shqipëri na lejon të shohim se çfarë reduktimesh të shkarkimeve nevojiten për t’u përafruar me kufirin 1.5°C të Marrëveshjes së Parisit. Me masat e zbatuara aktualisht, shprehur si “me masat ekzistuese” (ME), do të çonte në shkarkime prej 12 MtCO2e në vitin 2030. Kjo barazohet me 15%, mbi nivelet e vitit 2018.

Reduktim i shkarkimeve brenda vitit 2030 me 10 MtCO2e, duke mbetur efektivisht i njëjtë me nivelet e vitit 2018. Kjo referohet edhe si “MSH” (masa shtesë), në Figurën 1 pasi arritja e këtij objektivi do të kërkonte politika shtesë për zvogëlimin e shkarkimeve.

Për të qenë në përputhje me trajektoren 1.5°C, shkarkimet e Shqipërisë në vitin 2030 do duhet të zbresin me 31-39% nën nivelet e vitit 2018, duke përjashtuar përdorimin e tokës, ndryshimin e përdorimit të tokës dhe pylltarinë (PTNPTP), ose 6-7 MtCO2e/vit.

Deri në vitin 2050, shkarkimet e Shqipërisë pritet të jenë 71-80% nën nivelet e vitit 2018, ose 2-3 MtCO2e (përjashtuar PTNPTP).

Figure 1: Diapazoni 1.5°C për Shqipërinë (duke përjashtuar PTNPTP)

“Shqipëria importon rreth 20% të nevojave të saj për energji elektrike dhe kjo sasi që importohet, prodhohet nga djegja e lëndëve fosile në vende të tjera. Nëse Shqipëria arrin që këtë sasi prej afro 20% ta prodhojë vetë nga burime të rinovueshme, si rrjedhojë do të pakësohet 20% emetimi i gazrave nga djegja e lëndëve fosile për prodhimin e sasisë së energjisë që importohet në Shqipëri. Kështu Shqipëria, duke konsumuar 100% energji elektrike nga burime të rinovueshme, kthehet në një model inkurajues për reduktimin e emetimeve të gazrave serrë për vendet e tjera. Ky model mund të paraqitet nga përfaqësuesi i qeverisë së Shqipërisë në COP 29, e cila do të mbahet nga data 11 deri më 22 nëntor në Azerbajxhan”.

Thotë Lavdosh Feruni, Drejtor i shoqatës së Bujqësisë Organike.

Me synim përmirësimin e PKEK-së së saj, Shqipëria e tkurri me 2 MtCO2e hendekun e saj të ambicieve. Kjo është e lavdërueshme dhe mund të kuptohet si kryerja e 40% të punës së nevojshme për të shkuar drejt trajektores 1.5°C. Në përmbushje të kësaj nisme dhe përmes forcimit të dokumenteve të saj kombëtare të klimës në përputhje me shtigjet drejt trajektores 1.5°C, Shqipërinë do të mund të përmbushë angazhimet e saj në kuadër të Marrëveshjes së Parisit, bazuar në të dhënat shkencore më të fundit.

Kërkesat për dekarbonizim

Nuk ka një mënyrë të vetme për të rendur drejt 1.5°C. Ekzistojnë shumë shtigje dekarbonizimi, të gjitha me kërkesat e tyre se ku të orientohen aktivitetet në funksion të klimës dhe të zvogëlohen shkarkimet. Gjithsesi, ekziston një formulë e përbashkët: shpërndarja e energjisë së rinovueshme, shmangia hidrokarbureve dhe masat e efikasitetit të energjis, të cilat shoqërohen me reduktim të kërkesës për energji. Megjithatë, plani i saktë mund të ndryshojë dhe mund të varet nga ajo që i përshtatet më së miri kontekstit kombëtar të Shqipërisë, siç përcaktohet nga ata që janë të përfshirë në procesin e politikave.

Tre rrugët ilustruese të zgjedhura janë shtigjet e (1) Elektrifikimit të Thellë, (2) Angazhimeve “Net-Zero” dhe (3) Varësisë Minimale ndaj CDR-së.

Elektrifikimi i thellë: Kap më së miri reduktimet e shpejta të kostove të vërejtura nga përdorimi i energjisë së erës dhe asaj diellore gjatë dekadës së fundit, si dhe potencialin për përparim në të ardhmen. Për shkak të analizës së avancuar të kostos, ky shteg, në përgjithësi, gjurmon normat më të thella të elektrifikimit.

–              Kostoja e niveluar e energjisë elektrike bie në <10 USD/MWh deri në vitin 2050.

–              Transporti i elektrizuar përmes mbështetjes së fortë për EV dhe shtrirjes së infrastrukturës së karikimit.

Angazhimet “zero karbon”: Kjo qasje supozon se disa nga angazhimet kryesore “zero karbon” të shpallura nga ekonomitë kryesore janë përmbushur, duke arritur kështu zero shkarkime të CO2 deri në vitin 2050.

–              Koordinim i fortë ndërmjet politikave, p.sh. përmes prezantimit gradual të politikave që shkurajojnë karbonin, të cilat bëhen më të rrepta me kalimin e kohës, duke shmangur kështu goditjen e menjëhershme të modeleve aktuale të biznesit.

Varësia minimale ndaj EDK-së: I jep përparësi përdorimit të reduktuar të teknologjive që eliminojnë sasi të dyoksidit të karbonit, për shkak të kostove të tyre jashtëzakonisht të larta, si dhe efektivitetit të tyre të diskutueshëm për të qenë optimale.

–              Është me rëndësi të shihen si të mëvetësishme rritja e PBB-së me atë të shkarkimeve. Presupozohet se është e mundur të arrihet një shkallë e lartë e zhvillimit socio-ekonomik në të njëjtën kohë me reduktimin e sasisë së shkarkimeve.