Organizata EuroNatur dhe partnerët e saj në Ballkan ngrenë alarmin se gjuetia e paligjshme e shkurtëzës gjatë migrimit drejt Afrikës nëpër Gadishullin Ballkanik po çon drejt zhdukjes zogun e rrallë.
Në një njoftim të shpërndarë të hënën organizata EuroNatur dhe partnerë të saj në Ballkan vunë alarmin se gjuetia e paligjshme gjatë sezonit të shtegtimit të shkurtëzës drejt Afrikës, rrezikonte seriozisht këtë zog të rrallë.
Organizata thotë se çdo vit llogaritet se të paktën 160 mijë shkurtëza vriten ilegalisht në Serbi, Mal të Zi, Kroaci, Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë.
“E njëjta metodë e paligjshme përdore për gjuetinë. Gjuetarët vendosi imitues zëri në ligata dhe fusha gjatë natës për të tërhequr tufa të shkurtëzës që migrojnë drejt Afrikës. Me të lindur dielli gjuetarët qëllojnë mbi tufat duke vrarë me mijëra. Kjo mënyrë vret shumë më shumë shkurtëza se sa ajo e ligjshme”, thuhet në deklaratën për shtyp.
EuroNatur thotë se bashkë me organizatat partnere në Ballkan ata synojnë të ndalojnë këtë formë të gjuetisë së paligjshme dhe jo etike. Po ashtu organizatat kanë përgatitur një hartë që demonstron zonat ku më shpesh përdoren metoda të paligjshme gjuetie. EuroNatur shprehet se zonat e gjuetisë së paligjshme janë të njëjta dhe shpesh aktivistët gjejnë kurthe të ngritura në të njëjtin vend javë pas jave.
Biologët janë të shqetësuar se vrasja masive dhe e paligjshme e shkurtëzave për gjatë asaj që njihet si “Rruga e migrimit e Adriatikut”, do të sjellë kolapsin e popullatës së shkurtëzave në Europë.
“Vrasja masive e shkurtëzave duke përdorur përsëritës zëri bëhet kryesisht prej agjencive turistike të gjyetisë dhe shoqatave të gjuetarëve që organizojnë ekspedita për gjuetarë të huaj”, citohet në deklaratë Tibor Mikuska, nga Shoqëria Kroatë për Mbrojtjen e Shpendëve dhe Natyrës.
Në deklaratë EuroNatur dhe partnerët e saj kërkojnë nga organizatat e gjuetisë të ndalojnë format e paligjshme të saj dhe të lajmërojnë autoritetet në rast se bien në dijeni të tyre. Organizatat i kërkojnë autoriteteve të marrin masa konkrete dhe të aplikojnë ndëshkime për gjuetarët e paligjshëm.
Edhe pse gjuetia në Shqipëri është e ndaluar me moratorium prej vitit 2014, kjo nuk ka ndaluar gjuetarët e paligjshëm.
Aktivistë të mjedisit dhe mbrojtjes së shpendëve kanë vënë shpesh alarmin se ndërsa ka një moratorium në fuqi, në ligatina dhe zona ku mblidhen zogj shtegtarë është e lehtë të gjesh gjurmë të gjuetisë së paligjshme.
Burimi:
Reporter.al