Fuqia e erës dhe diellit në Ballkanin Perëndimor për një të ardhme të pastër

● Rajoni i Ballkanit Perëndimor zotëron më shumë se 23 gigavat (GW) të kapacitetit diellor…

By Mjedisi Sot


● Rajoni i Ballkanit Perëndimor zotëron më shumë se 23 gigavat (GW) të kapacitetit diellor dhe të erës, shifër e vlerësuar nga projekte në fazat e planifikimit dhe të ndërtimit, e cila rezulton të jetë gati tre të katërtat më shumë se një vit më parë dhe e krahasueshme me kapacitetin potencial të Gjermanisë.
● Ky projekt do të gjeneronte katër herë më shumë energji elektrike sesa termocentralet e gazit gjatë jetëgjatësisë së tyre dhe kjo do të mund ta nxirrte jashtë loje përdorimin e gazit për gjenerim energjie në rajon.
● Tranzicioni i energjisë së pastër mund të shmangë 103 milionë tonë emetime të CO2 përgjatë jetës, të barabarta me 87% të shkarkimeve të CO2 së rajonit në vitin 2022 dhe të kursejë mbi 9 miliardë euro të kostos së energjisë.

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë kapacitete të mjaftueshme diellore dhe të erës për të gjeneruar katër herë më shumë energji elektrike sesa nga impiantet me gaz, duke kursyer në këtë mënyrë miliarda euro dhe duke shmangur shkarkimet e konsiderueshme të karbonit përgjatë procesit, sipas një raporti të ri nga Global Energy Monitor.

Të dhënat e gjurmuesve Global Wind dhe Solar Power tregojnë se Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë bashkërisht një rendiment të kombinuar të energjisë diellore dhe asaj të erës prej 23 GW, që është 70% më shumë se një vit më parë dhe i krahasueshëm me potencialin e Gjermanisë.

Ndërsa Serbia aktualisht mbulon pjesën më të madhe të prodhimtarisë operative (444 megavat, ose 29%) dhe potenciale (10.9 GW, ose 47%) diellore dhe të erës në rajon, ajo rrezikon të mbetet prapa pasi Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut e kanë tejkaluar atë në shtimin e kapaciteteve të reja energjitike gjatë viteve të fundit.

Megjithatë, potenciali diellor dhe i erës në rajon përbën vetëm 7% të energjisë elektrike rajonale të prodhuar së bashku (1.5 GW). Në të njëjtën kohë, vetëm 6% (1.3 GW) e fuqisë prodhuese potenciale është në ndërtim e sipër dhe ka shumë të ngjarë të bëhet funksionale.

“Ballkani Perëndimor është në pozitë unike sepse rajoni nuk është aktualisht i lidhur me infrastrukturën e gazit. Era dhe dielli shfrytëzohen pak dhe zgjedhja e burimeve të ripërtëritshme është lëvizja më e gjelbër që ka kuptim ekonomik. Por, nevojitet më shumë vullnet politik brenda vendeve, dhe BE-ja e SHBA-ja duhet të mbështesin aftësitë prodhuese të energjisë së pastër të rajonit, në vend që të mbështesin gazin e shtrenjtë dhe ndotës.

Tha, Zhanaiym Kozybay, bashkautor i raportit dhe studiues për Global Energy Monitor

Për të zhbllokuar këtë aftësi prodhuese, qeveritë duhet t’i adresojnë pengesat që lidhen me planifikimin dhe lejet dhe të zhvillojnë korniza mbështetëse ligjore dhe infrastrukturë plotësuese për të ndërtuar një rrjet të pastër dhe fleksibël. Zonimi i ripërtëritshëm duhet të bëhet me masa mbrojtëse rigoroze mjedisore, për të zvogëluar ndikimet negative në natyrë dhe biodiversitet. Komunitetet lokale gjithashtu duhet të përfshihen në mënyrë aktive dhe të përfitojnë drejtpërdrejt nga projektet.

“Kjo shtysë e përshpejtuar drejt burimeve të ripërtëritshme është hap tepër premtues por duhet të garantojmë që ajo të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të drejtë. Qeveritë duhet të hartojnë korniza ligjore nxitëse për të ndihmuar lulëzimin e komuniteteve energjitike. Zhvilluesit e projekteve gjithashtu duhet të hapin një pjesë të nismave të tyre për pjesëmarrje aksionare të qytetarëve dhe komuniteteve vendore. Kjo do të ofronte një burim të ri të ardhurash për shumë familje, duke sjellë mundësi të reja ekonomike, sidomos për komunitetet në zonat e dikurshme të qymyrit.”

Tha, Chris Vrettos, menaxher i projektit në Federatën Evropiane të Komuniteteve të Energjisë, REScoop.eu

Nga ana e tyre, BE-ja dhe SHBA-ja duhet të përqafojnë diellin dhe erën në vend të gazit, si masë sigurie energjitike për ta ndihmuar Ballkanin Perëndimor të shfrytëzojë plotësisht aftësitë e tij prodhuese të energjisë së pastër.

“Pas shumë vitesh të mbështetjes së tepërt për hidrocentralet e prekura nga klima, është kënaqësi të shohësh diellin dhe erën duke marrë hov më në fund në Ballkanin Perëndimor. Sfida tani është përshpejtimi i përmirësimeve në planifikimin hapësinor, vlerësimet mjedisore dhe përfshirjen aktive të publikut për të parandaluar dëmtimin e biodiversitetit dhe për të krijuar mbështetje publike.”

Tha, Pippa Gallop, zyrtare e politikave të energjisë së Evropës Juglindore në Bankwatch