Gushti 2024, më i nxehti në histori

Gushti i vitit 2024 shënoi “muajin gusht” më të nxehtë në botë, duke tejkaluar edhe atë të një viti më parë. Në vendin tonë, muajin e kaluar, temperaturat maksimale të ajrit ishin 1°C deri në 7°C më të larta se zakonisht, duke qenë ndër më të lartat në rajonin e Mesdheut. Në shumë vende, temperatura […]

By Mjedisi Sot

Gushti i vitit 2024 shënoi “muajin gusht” më të nxehtë në botë, duke tejkaluar edhe atë të një viti më parë. Në vendin tonë, muajin e kaluar, temperaturat maksimale të ajrit ishin 1°C deri në 7°C më të larta se zakonisht, duke qenë ndër më të lartat në rajonin e Mesdheut. Në shumë vende, temperatura maksimale ditore e kaloi vlerën 35°C për pjesën më të madhe të ditëve. Madje, në disa raste, ajo arrinte deri në 40°C

Muaji gusht në vitet e fundit është karakterizuar nga vlera të larta të temperaturave të ajrit, të cilat në mjaft raste ia kanë kaluar edhe muajit korrik, si muaji më i ngrohtë nga pikëpamja klimatike për vendin tonë. Temperaturat mesatare të ajrit, në tërësi, gjatë këtyre 7 viteve të fundit kanë ruajtur një anomali prej +2.9°C më të lartë se norma. Shmangiet më të theksuara i kanë shënuar vlerat e temperaturave maksimale të ajrit, të cilat kanë arritur deri në +3.8°C. Anomali më të ulëta në vlerë (+2.0°C) kanë shënuar vlerat e temperaturave minimale të ajrit. Reshjet kanë shënuar një rënie prej -17.6% dhe janë vrojtuar në një numër ditësh me reshje më të ulëta se norma në vlerën prej -16.9%.

Gushti 2024 u shënua si “muaji gusht” më i nxehtë në botë, duke tejkaluar edhe gushtin e vitit 2023. Temperatura mesatare e ajrit në sipërfaqen e tokës arriti në 16.82°C. Ky gusht ishte 0.71°C më i ngrohtë se mesatarja e periudhës 1991-2020, për këtë muaj. Gjithashtu, vera e vitit 2024 u bë vera më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë. Ajo ishte 0.69°C mbi mesataren stinore të periudhës 1991-2020, duke thyer rekordin e mëparshëm të vitit 2023 që ishte 0.66°C mbi mesatare.

Sipas të dhënave nga satelitët ERA5 të Copernicus, që ofrojnë informacion që nga viti 1940, gushti 2024 ishte 1.51°C më i ngrohtë se periudha para-industriale. Ky ishte muaji i 13-të radhazi, duke filluar nga korriku 2023, ku temperatura mesatare globale e ajrit në sipërfaqen e Tokës ka qenë më shumë se 1.5°C mbi nivelet para-industriale.

Gushti 2024 vazhdon prirjen e muajve të mëparshëm, duke konfirmuar 2024-ën si vitin më të ngrohtë të regjistruar deri më tani. Temperatura mesatare globale për periudhën janar-gusht 2024 ishte 0.70°C më e lartë se mesatarja e viteve 1991-2020. Kjo është diferenca më e madhe e vërejtur ndonjëherë për këtë periudhë tetë-mujore. Gjithashtu, ajo është 0.23°C më e lartë se e njëjta periudhë e vitit 2023, i cili ishte viti më i nxehtë i mëparshëm.

Në vendin tonë, muajin e kaluar, temperaturat maksimale të ajrit ishin 1°C deri në 7°C më të larta se zakonisht, duke qenë ndër më të lartat në rajonin e Mesdheut. Në shumë vende, temperatura maksimale ditore i kaloi 35°C në shumicën e ditëve, duke arritur edhe 40°C në disa raste. Gjatë gushtit 2024, temperaturat ishin mbi normalen në 90% të kohës në javën e parë, si dhe 70-90% të kohës në javën e dytë deri në atë të katërt. Kjo rritje e temperaturave shoqërohet me risk të shtuar ndaj shëndetit (si p.sh., tensioni i të nxehtit), si dhe më shumë episode të zjarreve në pyje.

Në Evropë, temperatura mesatare për gushtin 2024 ishte 1.57°C më e lartë se mesatarja e periudhës 1991-2020. Kjo e bën atë, gushtin e dytë më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë për Evropën. Rekordi mbahet ende nga gushti i vitit 2022, i cili ishte 1.73°C mbi mesatare. Temperaturat ishin mbi mesataren në Evropën Jugore dhe Lindore, por nën mesataren në pjesët veriperëndimore të Irlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, Islandës, bregdetit perëndimor të Portugalisë dhe Norvegjisë jugore.

Në gushtin e vitit 2024, temperatura mesatare e sipërfaqes së detit ishte 20.91°C. Kjo përbën temperaturën e dytë më të lartë të regjistruar ndonjëherë për këtë muaj, duke qenë vetëm 0.07°C më e ulët se rekordi i gushtit 2023. Në pellgun e Mesdheut, temperatura e sipërfaqes së detit luhatej nga 29°C deri në 31°C. Devijimet nga nivelet normale të sezonit arritën deri në 5°C në detin Adriatik dhe 2-4°C në juglindje. Temperatura të larta të detit u vërejtën gjithashtu në detin Jon, ku temperaturat lokale arritën deri në 29°C.

Sa i përket variablave hidrologjike, gushti 2024 ishte më i thatë se mesatarja në shumicën e Evropës kontinentale, duke përfshirë Britaninë e Jugut, Irlandën, Alpet, Ballkanin, Rusinë veriperëndimore dhe pjesën lindore të Gadishullit Skandinav. Në këto zona, ishin raportuar thatësirë dhe zjarre. Shumica e rajonit të Mesdheut dhe Evropës Lindore përjetuan kushte më të thata se mesatarja përgjatë gjithë sezonit, në disa raste të shoqëruara me thatësirë të rëndë.

Burimi:

Prof. Dr. Petrit Zorba

Copernicus Climate Change Service /ECMW

climatebook.gr