Hyn në fuqi ligji “Për gazet serrë të fluoruara”

Me hyrjen në fuqi të ligjit “Për gazet serrë të fluoruara”, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka hartuar edhe projektvendimin për dokumentacionin që sipërmarrësit që operojnë në këtë treg do të duhet të plotësojnë për t’u licencuar, sipas Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Projektvendimi është nxjerrë për konsultim publik. “Ky projektvendim përcakton dokumentacionin e nevojshëm për pajisjen […]

By Mjedisi Sot

Me hyrjen në fuqi të ligjit “Për gazet serrë të fluoruara”, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka hartuar edhe projektvendimin për dokumentacionin që sipërmarrësit që operojnë në këtë treg do të duhet të plotësojnë për t’u licencuar, sipas Agjencisë Telegrafike Shqiptare.

Projektvendimi është nxjerrë për konsultim publik.

“Ky projektvendim përcakton dokumentacionin e nevojshëm për pajisjen me licencë të sipërmarrësve që kryejnë importin, eksportin, magazinimin dhe vendosjen në treg të gazeve serrë të fluoruara, të pajisjeve që përmbajnë gaze serrë të fluoruara, ose funksionimi i të cilave mbështetet në këto gaze”, thuhet në relacionin e projektvendimit.

Nëpërmjet pajisjes me licencë të posaçme, do të kenë mundësi të importojnë gaze apo pajisje që funksionojnë me këto gaze vetëm sipërmarrësit e regjistruar.

Kjo do të ndihmojë ministrinë përgjegjëse për mjedisin, autoritetet doganore apo inspektoratin përgjegjës për mjedisin të evidentojnë sipërmarrësit që ushtrojnë veprimtari në fushën e gazeve me efekt serrë, monitorojnë sasinë e importuar të gazeve të fluoruara apo pajisjeve që funksionojnë me këto gaze, sipas kuotës vjetore, si dhe gjurmojnë sasinë e shpërndarë në tregun vendas. Në këtë mënyrë edhe të ndalojnë importin e pajisjeve të cilat nxirren nga tregu i Bashkimit Evropian dhe shpesh herë vendi ynë është pritës.

Miratimi i këtij projektvendimi nuk pritet të ketë ndikim financiar tek sipërmarrësit që do të importojnë, eksportojnë, magazinojnë dhe vendosin në treg gaze serrë të fluoruara apo pajisje që përmbajnë gaze serrë të fluoruara, ose funksionimi i të cilave mbështetet në këto gaze.

Duke mbajtur në konsideratë koston akuale për pajisjen me një licencë nga sektori i substancave ozonholluese, e cila është vetëm 100 lekë, edhe në rastin e licencës për hidrofluorokarbonet, kostoja pritet të jetë rreth 100 lekë.

Këto gaze përdoren kryesisht në qarqet ftohës të frigoriferëve, pajisjet e ajrit të kondicionuar, pompat e nxehtësisë dhe sistemet e mbrojtjes nga zjarri.