Kapen personat që prisnin pemët dhe i digjnin për të prodhuar qymyr në Dibër

Dy persona, të identifikuar si shtetasit Luftar Kaçorri dhe Bujar Doriçi, janë proceduar në Dibër…

By Mjedisi Sot

Dy persona, të identifikuar si shtetasit Luftar Kaçorri dhe Bujar Doriçi, janë proceduar në Dibër pasi akuzohen se prisnin lëndë drusore dhe i digjnin me qëllimin për të krijuar qymyr, raporton BallkanWeb.

Blutë njoftojnë se bashkë me autorët është proceduar edhe specialisti i pyjeve për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 15m³ lëndë drusore dhe sasi të mëdha qymyri.

Strukturat e Hetimit të Krimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Dibër, në vijim të kontrollit të territorit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie kanë intensifikuar kontrollet dhe si rezultat në vendin e quajtur “Krej-Lurë”, kanë konstatuar të grumbulluara 15m³ lëndë drusore, si dhe disa gropa të mbushura me dru zjarri, ku më pas i ndiznin për prodhimin e qymyrit të drurit.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky aktivitet i paligjshëm kryhej nga shtetasi Luftar Kaçorri , 54 vjeç, banues në Tiranë, dhe shtetasi Bujar Doriçi, 53 vjeç, banues në Lurë. Për këto dy shtetas u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për veprat penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, “Fshehja e të ardhurave”.

Po në vijim të veprimeve hetimore nisi procedimi penal për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin F.B., me detyrë specialist pyjesh në zonën e Krej-Lurës.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 15m³ lëndë drusore dhe sasi të mëdha qymyri.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.