Varësia nga plastika e bën largimin e saj tejet kompleks. Ajo është bërë pjesë e pandashme e infrastrukturës sonë moderne dhe mbështet shumë shërbime jetësore. Ndërkohë, pasojat mjedisore janë gjithnjë e më shqetësuese. Prodhimi dhe asgjësimi i plastikës po dëmton oqeanet përmes ndotjes, depërtimi i mikroplastikës në ekosistemet ujore po çon drejt futjes së saj në zinxhirin ushqimor të shumë specieve. Ndërkohë, ndikimet nuk janë të limituara vetëm në mjedis. Për shkak të shkarkimeve gjatë procesit të prodhimit të lëndës plastike, edhe klima preket nga ky polimer.
Shumica e njerëzve janë të vetëdijshëm se plastika një përdorimshe është një problem i madh mjedisor por shumë pak e kuptojnë se ajo prodhohet drejtpërdrejtë nga përpunimi i naftës dhe gazit natyror.
Rritja e popullsisë dhe konsumerizmi po nxisin rritjen dramatike të prodhimit të plastikës në dekadat e ardhshme. Kjo rritje e shpejtë e prodhimit të plastikës vë nën presion të madh përpjekjet për kufizimin e ngrohjes globale dhe mbrojtjen e ekosistemeve detare dhe tokësore. Rreziku qëndron jo vetëm në sasinë e madhe të plastikës së prodhuar, por edhe në pasojat afatgjata të mbetjeve të saj në mjedis.
Sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), vetëm rreth 9% e plastikës riciklohet në mbarë botën. Në një raport të tetorit, OECD shkruante se vetëm përmes ”politikave strikte për të kufizuar prodhimin dhe kërkesën”, së bashku me menaxhimin më të mirë të mbetjeve, mund të arrihet që bota t’i japë fund depozitimit të plastikës në mjedis, deri në vitin 2040.
Ndotja me plastikë gjenerohet nga përdorimi dhe asgjësimi i paqëndrueshëm i produkteve plastike në shoqërinë moderne, duke kërcënuar ekonomitë, ekosistemet dhe shëndetin e njerëzve. Rreziqet e mundshme të mikroplastikës për shëndetin e njerëzve, ekosistemet dhe kafshët janë gjithnjë e më shqetësuese, pasi janë zbuluar në ushqimin e njeriut, ajër dhe ujë të pijshëm.
Raportet e WWF dhe Bankës Botërore nxjerrin në pah situatën kritike të menaxhimit të mbetjeve plastike në Shqipëri. Vendi renditet ndër më problematikët, ku rreth 73% të plastikës së prodhuar nuk riciklohet dhe depozitohet së bashku me mbetjet e tjera.
Shifrat tronditëse tregojnë se 65% e mbeturinave detare janë polimere sintetike, me gati 58.5% të tyre të përqendruara përgjatë vijës bregdetare. Ky problem buron kryesisht nga asgjësimi jo i duhur i mbetjeve, duke krijuar një kërcënim të madh për ekosistemet detare dhe mjedisin.
Shqipëria ka ndërmarrë hapa konkretë për t’u përballur me sfidën e ndotjes me plastikë, duke miratuar në prill 2018 një vendim me masa të rëndësishme. Politikat përfshijnë vendosjen e çmimit për qeset plastike dhe krijimin e rregullave për përmbajtjen e materialeve plastike.
Vendimi synon të inkurajojë përdorimin e materialeve alternative duke kërkuar që plastika të përmbajë të paktën 55% lëndë të parë nga riciklimi ose materiale të biodegradueshme. Vendosja e çmimit konsiderohet një metodë efektive për dekurajimin e përdorimit të tepruar të qeseve plastike dhe nxitjen e ndryshimit të sjelljes së konsumatorëve.
Qeveritë e mëdha sot nuk po arrijnë të bien dakord mbi elementet bazë të një traktati të ri të OKB-së për t’i dhënë fund ndotjes plastike, ndërsa vendet prodhuese të naftës dhe gazit (të ndihmuara nga lobistët e industrisë petro-kimike) mbrojnë interesat e tyre ekonomike.
Bisedimet në Busan, ishin menduar të ishin hapi përfundimtar në arritjen e një traktati të OKB-së për t’i dhënë fund ndotjes nga plastika.
Diplomatët kanë kryer një analizë të thellë të dështimit të bisedimeve, duke nxjerrë në pah kompleksitetin e konfliktit midis interesave ekonomike dhe atyre mjedisore. Rezistenca e vendeve prodhuese të naftës dhe mospajtimet rreth mekanizmave të financimit kanë qenë pengesat kryesore në negociata.
Debati ndërkombëtar mbi paktin global të plastikës ka arritur në një pikë kritike, me dy qasje kryesore në konflikt. Një koalicion prej mbi 100 vendesh kërkon të përfshijë dispozita ligjërisht të detyrueshme për kufizimin e prodhimit të plastikës dhe eliminimin gradual të produkteve dhe kimikateve që përdoren për prodhimin e saj.
Në anën tjetër, vendet kryesore prodhuese të naftës dhe gazit si Arabia Saudite, Rusia, Kuvajti dhe Irani rezistojnë fuqimisht ndaj këtyre kufizimeve. Qëllimi i tyre është të mbrojnë tregun e tyre ekonomik, duke parandaluar çdo kufi që mund të dëmtojë industritë e tyre të naftës dhe gazit.
Vendet dhe kompanitë që prodhojnë karburante fosile e shohin industrinë e petro-kimikateve, përfshirë plastikën, si një shpëtim sepse kërkesa për naftë dhe gaz në sektorin e energjisë pritet të bjerë ndërkohë që bota po kalon në burime më të pastra për energji dhe transport.
Financimi mbetet sfida kryesore në negociatat ndërkombëtare për reduktimin e plastikës, duke pasqyruar dinamika të ngjashme me ato të diskutimeve klimatike të OKB-së. Pyetja thelbësore vazhdon të mbetet se cili do të përballojë koston e tranzicionit për vendet në zhvillim.
Bëhet fjalë për një sfidë komplekse me përmasa globale: vendet e pasura, të cilat historikisht kanë kontribuuar më shumë në ndotjen me plastikë, duhet të mbështesin financiarisht vendet në zhvillim. Kjo mbështetje synon krijimin e kapaciteteve për prodhimin dhe përdorimin e reduktuar të plastikës, si dhe zhvillimin e sistemeve efektive për menaxhimin e mbetjeve. Kjo mbetet një çështje kyçe, e cila pritet të nxisë një debat të gjerë në të ardhmen, ngjashëm me samitin e klimës COP29 në Baku. Samiti përfundoi me një objektiv të ri dhe të diskutueshëm për financimin e klimës, i cili nga shumëkush u konsiderua si i pamjaftueshëm për të adresuar nevojat reale.