Banorët e fshatit Guri i Bardhë në Klos u paraqitën të enjten në dëgjesën publike të thirrur prej kompanisë e cila po planifikon ndërtimin e dy hidrocentraleve të vegjël, në një prej parqeve natyrore të vendit tonë.
Banorët e Gurit të Bardhë, një fshat në Njësinë Administrative Xibër të Klosit, u njoftuan disa ditë më parë për një dëgjesë publike që do të mbahej në prani të tyre, lidhur me planet për ndërtimin e dy hidrocentraleve në përroin e fshatit që ndodhet në Parkun Natyror “Mali me Gropa – Bizë – Martanesh”.
Përfaqësuesit e komunitetit të zonës si edhe aktivistë mjedisorë u mblodhën për të kundërshtuar rishtazi këto plane, por hasën në mungesën e vetë përfaqësuesve të kompanisë që kishte njoftuar konsultimet.
“Zona ku planifikohet të ndërtohen 2 hidrocentralet është brenda Parkut Natyror Mali me Gropa – Bizë – Martanesh- një zonë e paprekur me një peizazh të mrekullueshëm. Në mbështetje të banorëve të prekur, ne jemi të angazhuar për ta ndjekur këtë proces në rrugë institucionale dhe jo vetëm”, tha Olsi Nika, drejtuesi i organizatës mjedisore EcoAlbania.
Për dhjetëra banorë të këtij fshati këto plane nuk janë të reja, pasi projekti fillestar për ndërtimin e hidrocentraleve në fjalë daton që prej vitit 2020. Gjithsesi, pas refuzimit të lejes nga Ministria e Mjedisit në vitin 2021, kompania “Geoalb Energy” ka aplikuar sërish pas tre vitesh për lejen pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
Banorët u shprehën të vendosur për të vijuar kundërshtimin dhe protestat ndaj hidrocentraleve, duke theksuar se ndërhyrjet në mjedis do rrezikonin të ardhmen e brezave pasardhës.
“Ne nuk na duhen HEC-et, ne na duhen investime të tjera. Nuk duam të behet ndërhyrje në mjedis”, tha njëri prej banorëve të fshatit, Resul Baleta.
Disa prej tyre kanë nisur të investojnë tashmë në zhvillimin e turizmit të zonës, ndaj dhe ndërhyrjet dhe rrezikimi i mjedisit do ishin me pasoja për ta.
“Nuk duam t’na mallkojnë brez-pas-brezi pse nuk e kemi ruajtur këtë vend”, përfundoi Baleta.