Si ti ndalni flakët?
Mësimet e nxjerra nga zjarret e Australisë. Edhe shumë vende të tjera janë të ndjeshme.
Një mënyrë për të kuptuar shkallën e shkatërrimit, që kanë shkaktuar zjarret në pyjet e Australisë, mund të jetë ajo nëpërmjet të dhënave dhe fotove. Rreth 11 milionë hektarë të këtij shteti janë shkrumbuar që nga muaji shtator, pothuajse sa e gjithë sipërfaqja e Bullgarisë, shkruan The Economist. Deri më tani, rreth 26 njerëz janë raportuar të vdekur, mbi 2,300 shtëpi janë shkatërruar dhe mbi gjysmë miliardë kafshë janë djegur të gjalla ose të asfiksuara nga tymi.
Por këto shifra tregojnë vetëm një pjesë të historisë. Një re e madhe tymi është përhapur nëpër oqeanin Paqësor të Jugut, duke arritur deri në Buenos Aires. Shoqëria flegmatike e Australisë është tronditur. Ju mund të mendoni se Australia është veçanërisht e ndjeshme ndaj zjarreve të pyjeve. Por ky do të ishte një gabim. Shumë vende të tjera kanë pothuajse të njëjtat kushte me ato të Australisë, si fizikisht ashtu edhe politikisht, përfshirë terrenin e ngjashëm dhe një lidership që ende nuk është zgjuar plotësisht për t’u përballuar me realitetin e ri, që po krijon ndryshimi i klimës.
Në të gjithë botën, stinët e nxehta po bëhen më të gjata dhe po shkaktojnë gjithnjë e më shumë dëme. Zonat në rrezik përfshijnë bregdetin perëndimor të Amerikës, Mesdheun, Afrikën Jugore dhe disa pjesë të Azisë Qendrore. Nëse kjo tingëllon alarmante, nuk duhet të harrojmë atë që ndodhi në vitin 2018 në Kaliforni, e cila u përball me zjarret më vdekjeprurëse të pyjeve në historinë e saj, duke vrarë mbi 80 njerëz dhe duke bërë që të evakuohen pjesë të caktuara të Los Anxhelos, ndërkohë që mbi 100 njerëz kanë vdekur në zjarret e rëna në Greqi.
Si rezultat, mësimet e nxjerra nga tragjedia e Australisë janë të rëndësishme. Një prej tyre është se ndryshimet klimatike po i bëjnë këto “ferre përvëluese” gjithnjë e më të shpeshta. Është gjithashtu e vërtetë se zjarret në pyje janë një pjesë e gjatë e ekologjisë së disa territoreve. Por teksa bota po bëhet gjithnjë e më e nxehtë dhe më e thatë, shpeshtësia dhe ashpërsia e tyre po rritet. Në vitin 2019, temperatura mesatare e Australisë ishte më e larta që kur filluan regjistrimet në 1910, 1.5 ° C mbi mesataren afatgjatë. Sasia e reshjeve, ndërkohë, ishte 40% nën mesataren afatgjatë dhe në nivelin më të ulët që nga viti 1900. Për të paktën një dekadë, modele klimatike kanë parashikuar me saktësi thatësirat dhe zjarret përvëluese në Australi. Një mësim tjetër i nxjerrë është se ndërsa zjarret përkeqësohen, mënyrat e vjetra të parashikimit dhe të mbajtjes së tyre në kontroll janë vjetruar.
Edhe pse mund të duket e çuditshme, planifikimi i sistemit të zjarreve në Australi është shumë më përpara shumicës tjetër të botës, për shembull, kodet e tij të planifikimit kërkojnë të kufizojnë rreziqet e zjarrit. Sidoqoftë, ky sistem dhe një forcë vullnetare zjarrfikëse heroike janë tejkaluar. Vëmendja tani duhet të kthehet në mënyrën e të mbijetuarit me këto zjarre. Në disa vende, kjo do të thotë të ndërtosh struktura që mund t’i rezistojnë flakëve. Rajone të tjera mund të mos konsiderohen më si të përshtatshme për banimin e njerëzve.
Nëse qeveritë dhe banorët nuk veprojnë, atëherë tregjet financiare do të jenë ato që do të veprojnë. Në Kaliforni firmat e sigurimeve kanë humbur 24 miliardë dollarë nga zjarret e fundit, dhe kostoja e risigurimit të këtyre rreziqeve po rritet pasi investitorët po nënvlerësojnë shtëpitë në vendet e rrezikshme.
Mësimi i fundit është se, pasi kostot e ndryshimit të klimës nuk janë më parashikime abstrakte të temperaturës, por ju filloni të nuhasni diçka vetë me hundët tuaja, atëherë edhe politika e atij shteti duhet të ndryshojë me patjetër. Politikanët konservatorë të Australisë kanë minimizuar rreziqet e klimës, pjesërisht sepse rreth 70% e eksporteve të vendit vijnë nga nxjerrja e burimeve natyrore, më së shumti qymyri dhe xeherori i hekurit, të cilat dërgohen në Kinë.
Scott Morrison, Kryeministri australian, i cili i fitoi zgjedhjet në vitin 2019 në mënyrë mahnitëse, sidomos në Queensland, një shtet i lëkundshëm me një industri të madhe të qymyrgurit, tani po kritikohet për politikat e ngurta të qeverisë së tij ndaj klimës dhe për përgjigjet e vakëta që po jep në këtë periudhë tejet të vështirë që po kalon shteti i tij.
Pozicioni i tij mund të jetë i sigurt tani për tani, por 61% e australianëve mendojnë se ndryshimi i klimës është një problem, i cili duhet luftuar sa më parë. Herët ose vonë, në vende të nxehta dhe të thata në të gjithë botën, politikanët që nuk arrijnë të përballen me fatkeqësitë klimatike mund të shikojnë besueshmërinë e tyre në popull të shkrumbohet njësoj si hektarët e pyjeve që u shkrumbuan së fundmi.
